E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe zonat e influencës në identitetin kombëtar...

Megjithë shtrirjen e kufizuar gjeografike dhe problemet e vazhdueshme, Shqipëria vazhdon të jetë një parcelë mjaft e rëndësishme e planeve politiko-sociale të të gjitha palëve. Individë apo konjuktura, bashkësi apo qeveri, me një masterplan të caktuar infiltrojnë në vendin e 28 mijë km katrorë vetëm me një qëllim; të formojnë në vend një atmosferë të caktuar që përputhet me qëllimet e tyre. Oksidentalizim, kristianizim, orientalizim, liberalizim dhe emra të tjerë të huaj që nuk bëjnë pjesë në fjalorin e gjuhës tonë shqipe enden në mendjen e tyre. Rruga më e shkurtër për të manipuluar një shoqëri patjeter që është marrja nën ombrellë dhe tutorizimi i figurave të rëndësishme, intelektualëve apo politikanëve. Atëherë kur nuk ka të tille, ia vlen t`i krijosh artificialisht, duke iu atribuar tituj, duke i lançuar si akademikë të rendësishëm apo duke iu krijuar resurset e nevojshme për të ngjitur shkallët në mënyrë drastike.
Dikush është shkrimtar, dikush gjenetikisht disident, dikush arkitekt, dikush vetëm dhelpër, ndërkohë që shumë të tjerë nuk janë asgjë përvçse qytetarë medioker. Por mjafton dëshira e tyre për të bashkëpunuar dhe ndonjë kompleks i vonuar inferioriteti rreth vetes dhe identitetit të tyre për t`i angazhuar në masterplan. Një vit në Europe, nje shkrim në gazetë, nje intervistë në "prime time"në një televizion të ndjekur dhe personaliteti është gati.Tashmë ai mund të flasë në emër të iluminizmit, mund të ligjërojë ligjerata pa iu trembur analizave, bile mund të mundeë çdo bashkëbisedues me argumenta ``perëndimore``. Epiteti i ``analistit`` që sapo ka marrë është më i fortë se imuniteti i deputetit dhe më i padepërtueshem se jeleku antiplumb.
E gjithë kjo vjen aq natyralisht sa qe edhe vetë personi në fjalë fillon të besoje në kapacitetin e tij, në bagazhin dhe kontributin që mund të japë për promovimin e vlerave në shoqeri. Dhe jeta vazhdon, çarku lëviz, të tjerë intelektualë parafabrikate depërtojnë në kupolën e shoqëriëe. Ne vazhdojmë të liberalizohemi, distancohemi nga shallvaret e pleqve që na kanë lënë kaq mbrapa, çdo ditë zbulojmë një centimetër më shumë të dekoltesë, zhdukim aksesorët e vjetër dhe i zëvendësojmë ata me ëe rinj. Si pa kuptuar fillojmë të ndryshojmë rutinen e ditës sonë, mënyrën sesi flasim mënyrën sesi dëgjojmë njerezit. Tashmë jemi liberalizuar edhe ne.
Për fat të keq, në këtë erë të re identiteti është me i manipulueshem se plastelina. Edhe më konservatorët e ndiejne veten si ishuj sheqeri në mes të oqeanit dhe dashur padashur humbasin në tretësirën e tij. Jemi koshientë që jemi tretur, po gjithsesi nuk pajtohemi me faktin dhe mundohemi te dukemi ndryshe nga ç`ka ndodhur në realitet. Na e ndryshuan jetën ``analistët`` nën rrogoz,dhe ne as nuk bërtitëm dot, na mbeti vikama në grykë. Ata vazhdojnë të flasin për identitet në gazeta, por mua nuk më irriton aspak pafytyrësia e tyre. Levat vetëm përcojne forcën që ushtron dora e jashtme, dhe dora pasi kryen punen i flak në ndonjë cep. Ajo që më lë pa gjumë tërë natën është mosrezistenca e popullit tim, tretja kaq e shpejtë e tij, mohimi i gjërave për të cilat në fakt duhet të krenohej. Ky është një dëm që nuk do te riparohet kurrë, është një tumor që do të mbysë me metastazat e tij brezat në vazhdim. Dhe ``analistët`` nuk do të jenë fajtorët e vetëm, ky krim do te jete i përbashket. Heshtja është po aq e dënueshme sa mëkati, neglizhenca plagos më shumë sesa thika. Prandaj sot ndoshta duhet thirrur me zë më të lartë se ``intelektualët parafabrikatë`` që njerëzit të dëgjojnë diçka përtej korit të tyre. Dhe për ta bërë këtë nuk mjafton një zë, as një duet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›