E Diel, 1 Nëntor 2026

Tomas Xhefersoni në Paris

Parisi i ka mrekulluar gjithnjë amerikanët. Edhe Tomas Xhefersoni në ketë aspekt nuk ishte përjashtim. Përshtypja që la Parisi tek ai, ishte e jashtëzakonshme. Me bulevardet, me urat, parqet, pallatet e tij të bukura, Parisi ishte si një ëndërr artisti apo një parajsë xhentëlmeni. Megjithatë për Xhefersonin që kishte jetuar në plantacionin e tij në Virxhinia, ishte e vështirë të mësohej me dëndësinë e këtij qyteti. Parisi kishte 600 mijë banorë. Nga ata, fare pak majmeshin, kurse shumica jetonte në varfëri të madhe. Fytyrat e tyre të uritura shiheshin kudo në rrugët e Parisit. Por mbi këtë masë njërzish e cila do të shpërthente një ditë, kishte një shtresë njerëzish që bënin një jetë elegante.
Vajzën e regulloi në një shkollë aristokrate franceze me ndihmën e mikut të tij të vjetër markezit Lafajet, heroit të revolucionit amerikan. Lafajeti i dha Xhefersonit kyçin e shoqërise aristokrate franceze. Rekomandimet e tij i hapën dyert e Parisit. Kur Xhefersoni u vendos me banim në Champs Elysees, shtëpia e tij u bë qendra ku mblidhej elita franceze. Zotërinj me kulturë e shije takoheshin shpesh e flisnin për idera të guximshme, merreshin me thashetheme, flirtonin. Ishte një botë eksituese. Xhefersoni atë kohë ishte 42 vjeç. Detyra zyrtare nuk ishte e vështirë pasi ambasador i qeverisë amerikane ishte Benxhamin Franklin që gëzonte një reputacion të madh në Francë. Pas ardhjes se Xhefersonit ne Paris, kur ministri i jashtëm francez e pyeti: Ju jeni ai që do zëvëndësoni zotin Benxhamin Frenklin? Xhefersoni u përgjigj: Askush s'mund ta zëvëndësoje atë, zotëri. Unë jam pasardhësi i tij në këtë post.
Në Francë Xhefersoni njohu nga afër pasojat e një qeverisje të keqe dhe mizerabilitetin e varfërisë. Ajo çfarë pa ai në Evropë i forcoi bindjen e vërtetuar nga historia që e ardhmja i takonte Amerikës. Në një letër dërguar Monrosë, Xhefersoni shpërthente : "Sinqerisht do të doja t'u krijohej mundësia të vinit këtu..kënaqësia e udhëtimit nuk do të qe aq e madhe sa ç'e prisni, por do ia vlente. Do t'u bënte të admironit vëndin tuaj, tokën tuaj, klimën, barazinë, lirinë, ligjet, njerzit dhe edukatën. O Zot! Njerzit tanë nuk e dinë se sa të bekuar janë për gjërat kaq të çmuara që kanë në posedim të cilat nuk i ka asnjë popull tjetër në botë. E pranoj, as unë vetë se kisha idenë... Ndërsa sheh njerëz që ikin prej këtu për të ardhur në Amerikë, unë do të thoja, që nuk do te kemi rastin të shohim asnjë amerikan që të linte Amerikën për të jetuar në Francë."
Në shëtitjet e tij në Paris dhe udhëtimet jasht tij, Xhefersoni takohej me njerëz të ndryshëm, fshatarë, punëtorë e dëgjonte historira të trishtueshme që i mbushnin zemrën me hidhërim. Një ditë pas kthimit nga Fonteblo, u ndal e bisedoi gjërë e gjatë me një grua punëtore e cila e bëri të shohë skutat e thella të jetës franceze. Bisedat me njerëzit i dhanë Xhefersonit një tablo shokuese të Francës para-revolucionare. Varfëri në fundin e shoqërisë dhe pisllëk në krye të saj. Në një letër drejtuar Xhejms Medisonit, Xhefersoni shkruante :"Pasuria e këtij vëndi është e përqëndruar në mënyrë absolute në pak duar. Ata punësojnë lulen e këtij vëndi si shërbëtorë. Shumica e njerzve të varfër nuk mund të gjejnë punë.. Pasoja e kësaj pabarazije të jashtëzakonshme është mjerimi."
Duke bërë krahasim midis Amerikës dhe Evropës Xhefersoni arrinte përfundimisht në konkluzionin që Evropa ishte një ferr. Ai dënonte gjithë sistemin politik e shoqëror mbi të cilën qe ngritur shoqëria evropiane. Ai nuk uronte që amerikanët të vinin për studime në Francë. "Amerikani që vjen në Francë për studime, ai humbet në parimet e tij, kulturën, shëndetin dhe lumturinë" konkludonte presidenti i ardhshëm i Amerikës, Tomas Xheferson. Sidoqoftë, jo çdo gjë ishte e papëlqyeshme për të. Xhefersonit i pëlqeu arkitektura franceze, artet, si edhe pijet franceze. Atij i pëlqyen shumë qershiat, kumbullat, dardhat që ishin më të mira se ato të Amerikës. Rrushi veçanërisht për të ishte i mrekullueshëm.
Ai shkruante me dashuri dhe respekt për qytetarët francezë me vetkontrollin e tyre."Nuk kam njohur kurrë popull më gjeneroz, mikpritës për të huajt, të ngrohtë dhe të devotshëm për shoqërinë e tyre të zgjedhur"

Në 14 korrik 1789 një turmë e madhe parizianësh të zëmëruar, të armatosur iu sulën Bastijes dhe vranë guvernatorin.
Kur Luigji i XVI u njoftua për këtë, ai tha: Po ky është rebelim! Jo, Madhëri, erdhi përgjigja, është revolucion.
Një episod i vogël i atyre ditëve tregon se çfarë konsiderate e respekti të madh kishin francezët për Xhefersonin. Arqipeshkopi i Bordosë, i emëruar si shef i komisionit për hartimin e kushtetutës franceze i shkroi një letër Xhefersonit ku i kërkonte ndihmë në hartimin e saj, si specialist në këtë fushë. Tomas Xhefersoni në letrën e tij të përgjigjes duke i uruar sukses komisionit në hartimin e kushtetutës franceze i spjegonte me takt se si i huaj atij nuk i takonte të merrte pjesë në hartimin e saj. Një angazhim i tillë mund të kompromentonte pozitën e tij si diplomat.
Konflikti mbi kushtetutën i përçau anëtarët e Asamblesë franceze dhe u ndje nevoja e një diskutimi të qetë e të mënçur. Markezi Lafajet dinte se ku të drejtohej për këshillë. Ai i shkroi një letër Tomas Xhefersonit duke i kërkuar leje t'i sillte për darkë disa anëtarë të asamblesë. Xhefersoni i tha se ata do të ishin të mirseardhur. Ditën tjetër, tetë nga figurat drejtuse të asamblesë franceze, Laffayett, Duport, Barnave, Blacon, Mounier, Alexander la Meth Maubourg dhe Dagout, drekonin me Tomas Xhefersonin. Nga ora 4 pasdite deri në 10 të darkës, burrat vazhduan diskutimin ndërsa Tomas Xhefersoni i dëgjonte me vëmendje e simpati. Shumë vite më vonë në autobiografinë e tij, Tomas Xhefersoni shprehej me respekt për patriotizmin e tyre, shumë prej të cilëve ishin të destinuar të linin kokat nën thikën e gijotinës Franceze.
Në 23 nëntor 1789, kur mbërriti në Norfolk, i ardhur me leje në vëndin e tij, Tomas Xhefersonin e priste një surprizë e madhe. Presidenti Xhorxh Uashington, të cilin ai e admironte në mënyrë të verbër, e kishte emëruar sekretar të shtetit të ri amerikan.

Marre nga libri Udhetim ne Historine Amerikane/ Albana Melyshi Lifschin (2003 )

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›