E Diel, 1 Nëntor 2026

"Në F1, vetëm me një ekip konkurrues"

Vetëm 24 orë pasi Ferrari konfirmoi afrimin e Fernando Alonsos, finlandezi Kimi Raikonen deklaron se ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Një alternativë është që ish-kampioni i botës të largohet nga Formula 1, por kjo varet edhe nga ofertat që do t‘i paraqiten. "Ende nuk e kam vendosur se çfarë do të bëj, nuk e di nëse do të vazhdoj të garoj apo jo", shpjegoi Raikonen. "Kisha një kontratë për sezonin e ardhshëm, por tani ajo marrëveshje nuk ekziston më. Kjo ka bërë që situata të ndryshojë. Botërori i rally-t? Po, ekziston si mundësi. Me siguri mund të them një gjë: nuk do të qëndroj në Formula 1 për të garuar me një skuadër të vogël, me të cilën nuk do të kisha shanse të luftoja për titullin. Nëse do të vazhdoj të garoj, objektivi im është të shpallem kampion. Nuk ka kuptim të qëndroja pa synime të tilla". Duke folur për fundin e parakohshëm të marrëveshjes me Ferrarin, kampioni i botës më 2007-n tha: "Normalisht kur ke një kontratë duhet ta përfundosh, por këtë herë situata ishte disi ndryshe. Nuk kam asnjë gjë të keqe për të thënë për Ferrarin, janë treguar gjithmonë profesionistë. Tani presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›