E Diel, 1 Nëntor 2026

John Withers

Për ambasadorin amerikan, John Withers, e ardhmja e Shqipërisë do të jetë shumë e mirë. "Ajo do të vijë shumë shpejt, pavarësisht sesa larg mund t‘u duket njerëzve tani", kështu ka deklaruar z. Ëithers, në një intervistë dhënë për gazetën "Shqip" nga Gjirokastra. Ambasadori amerikan ka vizituar qytetin e gurtë, ku ka marrë pjesë në natën finale të Festivalit Folklorik Kombëtar, aty ku u shpalos më e mira e traditës folklorike shqiptare. Në Gjirokastër, ai është ngjitur në skenë ku ka dhënë çmimin për diversitetin kulturor, më pas ka marrë pjesë në çeljen e "Klubit Rinor", me fonde të akorduara prej Ambasadës Amerikane. Galeria e Arteve në kalanë e qytetit muze të Gjirokastrës, do të rikonstruktohet me një fond prej rreth 48 mijë dollarësh, akorduar po nga ambasada amerikane në Tiranë. Përmes këtij investimi, ajo do të shndërrohet në një mjedis bashkëkohor për konferenca, ekspozita, aktivitete artistike etj. "Ky projekt synon të mbështesë këtë vlerë historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e Gjirokastrës", tha ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John Ëithers. Gjatë intervistës, ai shpreh vlerësimet për qytetin e gurtë, por edhe për personalitetet e njohura të tij duke nisur nga Çeriz Topulli, Musine Kokalari e Ismail Kadare e deri tek Eqrem Çabej, si dhe vlerëson historinë, kulturën e qytetit "pasuri e trashëgimisë kulturore botërore", mbrojtur nga UNESCO.

Zoti ambasador, brenda një periudhe shumë të shkurtër ju keni ardhur për herë të dytë në Gjirokastër. Cila është arsyeja që u rikthyet në Gjirokastër?

Në fakt, kjo është hera ime e tretë që vizitoj Gjirokastrën. Herën e parë ne kemi cekur shumë shkurtazi Gjirokastrën gjatë kthimit tim nga Saranda për në Tiranë dhe motivi mbetet i njëjtë, ky qytet është i mbushur plot me histori, është një qytet i mbushur me heronj si, p.sh Çerçiz Topulli, është një qytet i letërsisë i Musine Kokalarit dhe Ismail Kadaresë, është një qytet i mendjeve të ndritura sikurse profesor Eqrem Çabej. Dhe janë këto tradita të tilla sikurse Festivali Folklorik Kombëtar në të cilën unë kam pasur rastin të marrë pjesë këto ditët e fundit të cilat krijojnë atë copë të mrekullueshme të krijuar prej shumë fijesh të ndryshme shumëngjyrëshe dhe kjo është arsyeja që më ka sjellë këtu. Është me të vërtetë një qytet shumë i bukur, por më e rëndësishmja është një qytet shumë mikpritës dhe i ngrohtë, është një qytet i njerëzve dhe i miqve të rinj. Unë këtu njoh artistë të rinj, gjithashtu jam njohur me mjeshtër të artizanatit, me nxënës të shkollave prandaj kush mund t‘i rezistonte një miqësie të tillë. Doja të përmendja këtu edhe kryetarin e bashkisë zotin Flamur Bime, me të cilin nuk kam thjesht një njohje zyrtare. Për mua ai është një mik, ashtu sikurse edhe prefektja, zonja Mimoza Çomo, e cila gjithashtu është një person i respektueshëm.

Pa dashur dhe pa e ditur ju keni thënë pak më parë të njëjtën gjë që ka thënë poeti ynë i madh, Dritëro Agolli, që "po të lëvizësh pak një gur në Gjirokastër pas këtij guri është një histori" dhe në këtë kuptim do t‘ju pyesja çfarë do t‘u rekomandonit miqve tuaj të rinj sa i takon menaxhimit dhe administrimit të kësaj pasuri kulturore që mbart ky qytet?

Ju keni pasur mundësinë që të merrni pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të fondit të ambasadorit për ruajtjen e pasurisë kulturore dhe besoj që kjo ka lidhje dhe me filozofinë e asaj që dua të them. Nuk bëhet thjesht fjalë për ruajtjen e ndërtesave dhe monumenteve, por për Gjirokastrën, e cila shkon përtej monumenteve dhe përtej ndërtesave, bëhet fjalë për hapësirën e shpirtit. Më lejoni që t‘u citoj një frazë lidhur me këtë. E kam gjetur te libri i zotit Naxhi Kasaruhos, i cili ka shkruar "Gjirokastra, kronikë në këngë" dhe besoj që ndoshta ju duhet ta njihni. Ai thotë: "Gjirokastra duket sikur është ndërtuar për të zgjuar ide të mëdha, është një nga qendrat më të rëndësishme të civilizimit të Ballkanit dhe si pasojë një nga qytetet në të cilat etja e madhe për jetën, për lirinë dhe kulturën është shpalosur fuqishëm. Më shumë sesa e bukur, Gjirokastra është unike, e rëndësishme, domethënëse". Atëherë besoj që e keni kuptuar që bëhet fjalë për një thënie të zotit Ismail Kadare.

Gjithmonë na vjen mirë kur qytetit tonë i bëhen komplimente të tilla, por ajo që do të thosha është se dukeshit shumë i gëzuar në mbrëmjen e mbylljes së festivalit kur dorëzuat Çmimin e Diversitetit Kulturor. Realisht si e vlerësoni atë?

U ndjeva i nderuar që të mund të jepja Çmimin për Diversitetin, sepse unë mendoj që është diçka që mund ta shihnim në disa plane dhe ky çmim është shumë më e thellë nga sa mund të duket. Kështu, niveli i parë ishte në lidhje me diversitetin kulturor. Mua m‘u dha mundësia që t‘i jepja çmimin grupit të Gjirokastrës me Vallen e Dropullit, që përfaqësonte një pakicë kombëtare dhe Shqipëria e është një shembull në këtë drejtim. Gjithashtu, ndërsa mendova lidhur me diversitetin kulturor nuk mund të lija pa përmendur edhe diversitetin historik. Ajo që unë pata mundësi të shihja ishin valltarë, këngë, instrumente të ndryshme, këngëtarë të talentuar të cilët dhanë performancën e tyre dhe përfaqësuan të gjithë Shqipërinë duke përfshirë veriun, jugun, lindjen dhe perëndimin. Ishte e mrekullueshme ta shihje këtë. Gjithashtu, ishte bukur të shihje mënyrën sesi ata shpalosnin jetën duke filluar nga jeta baritore, këngë lidhur me kosheren e bletëve, këngë për jetën në fshat, këngë për festimin e pasurisë, bollëkut ushqimor, gjithashtu këngë që u këndonin bukurisë së vashave, por edhe djemve të pashëm gjithashtu, ndërsa një pjesë e këngëve përcillnin edhe histori. Por them se të gjitha këto u tejkaluan nga kënga isopolifonike. Ishte e mrekullueshme të dëgjoje këngë aq të lashta dhe një metodë e të kënduarit aq të lashtë saqë ndoshta mund të shkoje përtej mijëra vjetëve. Mendova se kjo mënyrë të kënduari, mund të përafronte pak me mënyrën sesi Homeri dhe baladat e lashta janë kënduar. Ishte mahnitëse.

Së fundi, zoti ambasador, mund të sillni një opinion për zhvillimet politike në Shqipëri? Si do t‘i përkufizonit ju zhvillimet aktuale, raportet e saj dhe reflektimin në jetën e zonave periferike sikurse është Gjirokastra?

Sa herë flasim për politikën, mendoj se njerëzit kanë parasysh konfliktualitetin ose idenë e dy palëve që nuk bien dakord me njëra-tjetrën. Por mendoj se ky përkufizim do të ishte i cunguar. Nëse do ta mendonim këtë çështje sikurse motorin e një makine, ajo që ne mund të shikojmë, është se nëse motori do të ishte i ri, do të ishte i shndritshëm. Atëherë ne do të mendonim se makina do të ishte jetëgjatë. Por, ka diçka që e ndihmon motorin të vazhdojë punën, sepse pavarësisht faktit se mund të duket i ri dhe i ndritshëm po ta vinim atë në punë, ai thjesht nuk do të funksiononte. Që të punojë, motori ka nevojë për vajin e vendosur brenda tij. Në pamje të parë vaji duket sikur të bën duart pis, sikur ndoshta ka një aromë të pakëndshme, por është pikërisht ai që e ndihmon motorin që të vazhdojë punën. Dhe ajo që unë shikoj për Gjirokastrën dhe për qytete të tjera në të cilat unë kam qenë, është që ruajtja e kësaj trashëgimie kulturore mund të përdoret si një rezervuar forcash për të sotmen dhe të ardhmen e cila mund të shndërrojë për mirë këtë reagim karshi politikës, historisë dhe kulturës. Duke menduar që politika në fakt do t‘u shërbente këtyre të fundit. Prandaj ruajtja e trashëgimisë shqiptare është me shumë vlera. Dhe unë do të doja të thosha që e ardhmja e Shqipërisë do të jetë shumë e mirë dhe do të vijë shumë shpejt, pavarësisht sesa larg mund t‘u duket njerëzve tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›