Në Gjeorgji arrijnë ndihma humanitare amerikane
Një anije e marinës amerikane e ngarkuar me furnizime humanitare arriti në portin gjeorgjian të Batumit me ndihma për gjeorgjianët e zhvendosur nga operacionet ushtarake ruse.
Anija USS McFaul, me një ngarkesë që përfshin mjete higjiene, ushqime për fëmijë, batanije dhe furnizime të tjera, është e para mes disa anijeve amerikane që do të shpërndajnë ndihma gjatë ditëve të ardhshme.
Drejtorja e Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Henrieta For, tha se deri tani kanë arritur rreth 13 milion dollarë ndihma dhe të tjera janë gati për t'u dërguar dhe shpërndarë.
Ndërkohë, një tren me naftë që udhëtonte nga Azerbaixhani për në bregdetin gjeorgjian të Detit të Zi shpërtheu pranë qytetin të Gorit, zonë që ishte e pushtuar nga forcat ruse deri të premten e kaluar. Pamjet televizive tregonin re të mëdha tymi që dilnin nga treni i shkatërruar. Autoritetet gjeorgjiane fajësojnë Rusinë për shpërthimin duke thënë se ai u shkaktua nga një minë toke.