Në Gjykatë... 'lekët i dua paradhënie'
Nëse krahason tarifën për ngritjen e një padie, me “hakën e punës” së kërkuar nga psikologu/ja, sheh se vlera e saj është trefish. Aq më shumë kjo vlerë të duket abuzuese, nëse ke parasysh mënyrën e dhënies së tyre: në dorë!!! Pra vetë gjykata nxit një pagesë informale Divorcet janë një ndër proceset civile më të shpeshta pranë Gjykatës së Tiranës e ndër rrethe. Aq të shpeshta janë bërë, rutinë, sa janë kthyer në një mënyrë fitimi të ardhurash të pastra jo vetëm për avokatët, (fakt i njohur), por çuditërisht kohët e fundit edhe për psikologët. Të vendosur pranë gjykatave si ekspertë të jashtëm, që kontribuojnë në marrjen e vendimit nga gjykatësi/ja në lidhje me të drejtën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, roli i tyre konsiston në dhënien e mendimit mbi gjendjen morale e materiale të familjes, kushtet në të cilat jetojnë dhe ku është më e përshtatshme të jetojë fëmija. Kjo e gjitha bazohet në nenin 155 të Kodit të Familjes. Deri në këtë pikë duket se asgjë nuk është e gabuar. Përkundrazi, në një situatë të tillë dramatike, shpesh herë të tensionuar për shkak të mungesës së kuptimit mes partnerëve, roli i psikologut do të konsiderohej një amortizator i situatës. Por realiteti i përballur në gjykatë është pak i ndryshëm. Paditësi/ ja apo i padituri/ paditura njihen me psikologen në sallën e gjyqit në prani të gjykatëses. Shpjegohet roli i tij/ saj në proces. Pjesa tjetër zhvillohet ose në korridoret e gjykatës, ose në shkallët e saj. Ja biseda e një psikologeje, që për shkak të privatësisë së procesit të gjykimit do të lihet anonim. “Unë jam psikologja në procesin tuaj. Pa raportin tim, ju nuk mund të zhvilloni më tej procesin. Puna ime kushton 30 000 lek (të reja). I dua paradhënie”. Këtu fillon dhe shtangia, por edhe revolta qytetare. Hap faqen në internet të Gjykatës së Rrethit Tiranë. Faqja është vërtetë e mbushur me informacion të vlefshëm. Gjen aty të gjitha tarifat, sipas Ligjit 8435, dt. 28.12.1998. Tarifa për ngritjen e një Padie për Zgjidhje Martese është 9000 lek. Po kështu në të njëjtën faqe gjen të listuar emra avokatësh të licensuar, ekspertësh ligjorë, përkthyes të autorizuar, ekspertë për mbikëqyrje e kolaudim etj. I vetmi informacion i munguar që lidhet për sa më sipër po trajtojmë, janë emrat e psikologëve dhe tarifat e tyre. Të jetë një “harresë, apo mungesë rastësore”? Nëse krahason tarifën për ngritjen e një padie, me “hakën e punës” së kërkuar nga psikologu/ja, sheh se vlera e saj është trefish. Aq më shumë kjo vlerë të duket abuzuese, nëse ke parasysh mënyrën e dhënies së tyre: në dorë!!! A tatohet ky psikolog/e për këtë veprimtari??? Në rastin konkret jo. Pra vetë gjykata nxit një pagesë informale, të dyshimtë. Ca më tepër, ku bazohet vlera e kësaj pagese? Në të gjitha shkollat e vendit prej kohësh punojnë psikologët të cilët merren me këshillimin e nxënësve. Shkollat në rastin më të mirë kanë një numër nxënësish që varjon nga 500 deri në 1500 dhe problematikat e tyre janë të shumëllojshme. Paga e një psikologu shkolle është 35000 -40000 lek në muaj. Nuk po thellohem më tej në faktin se mbi çfarë kriteresh është bërë përzgjedhja e psikologut. Nga ana tjetër, nëse dikush do të më thoshte se ashtu si avokati, edhe psikologu kryen një shërbim privat, do të provoja t’i jepja këtë përgjigje: Në gjykatë për një proces civil, siç është rasti i divorcit, mund të paraqitesh edhe pa avokat, duke ja kursyer xhepat vetvetes, ose nëse vendos të zgjedhësh një të tillë, atëherë po sipas “fuqisë së xhepave” bën zgjedhjen. Në rastin e psikologut, nuk ke të bësh me zgjedhje, por me një zgjidhje të përcaktuar nga ligji. Kështu që ligji duhet të rregullojë edhe veprimtarinë e tij në aspektin ekonomik, me tarifa të qarta, të përcaktuara dhe të specifikuara, si në rastin e tarifave të tjera. Ajo që dua të tërheq vëmendjen është, se Gjykata e Tiranës dhe gjithë gjykatat e tjera në rrethe, urgjent edhe për rastin e psikologut duhet të jenë transparent dhe domosdomërsisht krah qytetarit. Jo të gjitha çiftet që divorcohen kanë të ardhura të bollshme për xhepin e tyre, që të paguajnë vlera të tilla për psikologun. Aq më tepër kur paga mesatare në Shqipëri, qoftë në sektorin privat, qoftë atë shtetëror nuk i kalon vlerën prej 35000 lekësh në muaj. Kështu që, përveç andrallave e shqetësimeve të shumta të prishjes së familjes, duket se çifti i duhet të përballet dhe me dilemën materiale, të të punuarit një muaj të tërë, për të paguar psikologun, për dy vizita, që do të bëjë dhe për raportin prej 1.5 faqesh në formatin A4, që në shumë raste ndryshon shumë pak nga një divorc në tjetrin. Aspekti social që duhet të përfaqësonte kjo figurë, është zbehur dhe të lë një shije të hidhur. Por më e keqja ndodh kur duke dalë nga gjykata harron pse “shkove” dhe i vetmi preokupim ngelet gjetja e 30 000 lekëve të kërkuara????
Etleva Smaçi