E Shtunë, 31 Tetor 2026

Që kurrë të mos ketë “natë kristalesh”

14-02-2013 / Nga Joana Kosho

"Të harrosh do të thotë t’i vrasësh të gjithë viktimat edhe njëherë"
Elie Wiesel, fitues i Çmimit Nobel për Paqen

Kristallnacht ‘nata e kristaleve’, ose e njohur ndryshe si ‘nata e kristaleve të thyera’, është Shën Bartolomeu i hebrenjve dhe preludi i një shkatërrimi masiv e i pashembullt. E filluar në natën e ftohtë të 9 nëntorit 1938, vala e dhunës kundër sinagogave, shtëpive dhe bizneseve të hebrenjve përfshiu Gjermaninë, Austrinë dhe pjesët e aneksuara të Çekosllovakisë. Xhamat e rreth 267 sinagogave u thyen dhe ndërtesat u shkatërruan plotësisht; shumë hebrenj u sulmuan në shtëpitë e tyre dhe një pjesë e tyre u vranë. Nata e Kristaleve hapi siparin e një prej periudhave më të errëta dhe më të turpshme të historisë njerëzore, holokausti.
E derivuar nga fjala greke holόκαυστος (holókaustos) që do të thotë djegie totale (hólos, "e tërë" apo “totale” dhe kaustós, "djegie"), holokausti ishte genocidi dhe vrasja masive e rreth gjashtë milionë hebrenjve nga nazistët gjermanë, sponsorizuar dhe drejtuar nga Adolf Hitleri dhe Partia Naziste, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. E njohur dhe me termin ‘Shoah’ (kataklizmë) në hebraisht, kjo katastrofë njerëzore u konsumua në të ashtuquajturat kampe përqendrimi, ku hebrenjtë detyroheshin të kryenin punë nga më të rëndat, vdisnin nga uria, mbyteshin në dhomat e gazit, apo digjeshin në krematoriumet e ndërtuara posaçërisht për projektin demoniak e antisemit të nazistëve. 27 janari, dita kur të burgosurit e kampit më famëkeq të Auschwitz-it në Poloni u çliruan nga trupat ruse, është përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, si datë përkujtimore për viktimat e holokaustit.
Antisemitizmi nazist, nuk është fenomen i shekullit XX; hebrenjtë janë persekutuar që në kohërat biblike, kur Faraoni i Egjiptit i keqtrajtoi dhe i ktheu në skllevër, derisa Moisiu i priu në eksodin e famshëm drejt tokës së premtuar. Gjatë historisë, shumë Faraonë, Neronë dhe persekutues të tjerë i përndoqën hebrenjtë. Në vitin 1543, Martin Lutheri i dha popullit gjerman një këshillë ‘të vyer’ sesi duhet të trajtoheshin hebrenjtë. “Së pari”, shkroi ai, “sinagogave të tyre duhet t’i vihet zjarri; dhe çfarëdo që nuk do të digjet, duhet të mbulohet nga papastërtia apo pluhuri, që të mos i mbetet asnjë shenjë.”  Predikimi i Lutherit ishte tregues i antisemitizmit të asaj periudhe, që mori hov pas Luftës së Parë Botërore, në një kohë kur hebrenjtë fajësoheshin për humbjen e luftës dhe poshtërimin e Gjermanisë nga paqja e Versajës. Më 14 gusht të vitit 1919, një korrespondent i Berlinit për The Times raportonte: Rastet e shfaqjes së antisemitizmit, po shpeshtohen”.
Plani antisemit i përshkruar në librin Mein Kampf, shkruar gjatë muajve të kaluar në burg dhe i botuar në korrik të 1925-ës, i dha krah Hitlerit që pas ardhjes në pushtet në vitin 1933, të ndërtonte një makineri çmendurake përndjekjeje që ‘shkundi’ Evropën deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Historiani Saul Friedländer shkruante se: "Asnjë grup social, asnjë komunitet fetar, asnjë institucion arsimor apo profesional në Gjermani dhe në të gjithë Evropën, nuk deklaroi solidaritetin e tij me hebrenjtë".
Por, siç duket profesori i nderuar nuk kishte dëgjuar për shqiptarët, këtë komb të vogël, por shumë të veçantë, që si nga pikëpamja institucionale, ashtu dhe shoqërore apo individuale, i përkrahu hebrenjtë, kur e gjithë Evropa nuk pati guximin të bënte të njëjtën gjë. Që nga viti 1933 të gjitha vendet evropiane hartuan ligje antihebraike. Të tilla hartoi edhe Italia, e cila i bëri presion Shqipërisë të hartonte ligje antihebraike, por që kurrë nuk u miratuan nga Mbretëria Shqiptare. Mbreti Zog urdhëroi që çdo hebre që kërkonte të vendosej në Shqipëri t’i jepej pasaporta shqiptare pa asnjë pengesë. Përkrahja e popullit shqiptar për hebrenjtë nuk mungoi as gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku shumë familje vendase i strehuan dhe i shpëtuan me vetëmohim, duke rrezikuar jetën e tyre.
Këtë vit, kjo datë e rëndësishme si për kombin hebre që pësoi humbje tragjike, ashtu dhe për kombin shqiptar që tregoi vlera dhe humanizëm të pashembullt, u përkujtua në qytetin e Krujës, ku shumë familje u nderuan në kujtim të kontributit të tyre për shpëtimin e hebrenjve. Aktiviteti i organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkia Krujë dhe Ambasada e Izraelit në Shqipëri, ku ishte e ftuar për përshëndetje dhe Shoqata e Miqësisë Shqipëri - Izrael, rikujtoi historitë e dhimbshme të holokaustit dhe njëkohësisht evidentoi historitë e shpresës, humanizmit dhe solidaritetit që familjet shqiptare dhe i tërë populli shqiptar shfaqi pa kursim ndaj hebrenjve.
Më 25 janar, në nderim të ditës përkujtimore të holokaustit, në Bashkinë e Krujës u mblodhën personalitete zyrtare si ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi, ambasadori i Izraelit në Shqipëri, z. David Cohen, zv/ambasadori i Izraelit z. Avraham Lev Louis, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri -Izrael, z. Petrit Zorba, si dhe shumë përfaqësues të familjeve krutane që kanë dhënë kontributin e tyre në ngritjen lart të vlerave, humanizmit dhe krenarisë shqiptare. Familjet e Refik Veselit, të Shaban Kuqit, Zenepe Meçes, Kikes, e mjaft të tjerëve, të cilët janë nderuar e dekoruar dhe nga institucioni i Yad Vashemit, por gjithashtu shumë e shumë më tepër familje shqiptare ndihmuan për mbrojtjen, zhvendosjen, strehimin – pra shpëtimin e hebrenjve. Një përkujtim i veçantë shkoi për familjen e z. Refik Veseli, i pari shqiptar i dekoruar me titullin e lartë “I nderuar mes kombesh”, i cili hapi siparin e dekorimeve të tjera, jo vetëm të familjeve krutane, por dhe për ato të Beratit, Vlorës, Tiranës, Shkodrës, etj.
Holokausti dhe historitë e tij të tmerrshme tregojnë se deri ku mund të arrijë mizoria (ç) njerëzore, por njëkohësisht tregon diçka të bukur: fuqinë dhe dinjitetin e shpirtit njerëzor, forcën e atyre njerëzve që i mbijetuan ferrit dhe nuk kërkuan hakmarrje. Gjithashtu kjo ditë përkujton dhe historitë sui generis të solidaritetit, vetëmohimit dhe miqësisë së pakushtëzuar të shqiptarëve ndaj hebrenjve. Kjo ditë duhet kujtuar, që historitë e urrejtjeve, përndjekjeve dhe diskriminimeve mes popujve të mos përsëriten kurrë më.

Autorja është Pedagoge gazetarie dhe gazetare pranë Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Izrael

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›