E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denazifikimi gjerman (1945-’46)

14-02-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Në vitet e para pas mbarimit të Luftës II Botërore, detyra e autoriteteve fitimtare ndaj vendeve të mundura, ishte përtëritja e një botëkuptimi të ri në mendësinë e njerëzve. Një dokumentar i dhënë nga emisioni televiziv në mëngjesin e datë 3 gusht 2008, kishte si objekt përpjekjet për denazifikimin në Gjermani. Të paditurit si zelltarë në veprimtarinë naziste u regjistruan dhe u futën në kampe përqendrimi. Atje u bë një hetuesi e fortë. Personat të cilëve iu dolën dëshmitarë për bashkëpunim në krimet naziste, iu drejtuan gjyqeve. Të tjerët, më pak të dëmshëm, u liruan; por pasi kishin mbushur disa pyetësorë, në të cilët çdo mungesë sinqeriteti do të ndëshkohej.
U bë e qartë për secilin se nazizmi ishte shkaktar mjerimesh, ishte i dënueshëm dhe njerëzit duhej ta shkëpusnin mendjen njëherë e përgjithmonë nga doktrina kobndjellëse e tij; e të vetedukoheshin me pluralizmin, që është antipodi i diktaturës. Iu dha literatura e porositur për këtë qëllim. Iu bë e qartë se do të përpunoheshin ligje të forta kundër racizmit, kundër diktaturave dhe kundër ideologjive të tyre. Të rinjtë e të rejat do të kalonin nëpër kurse në të cilat do të shtjelloheshin leksione për demokracinë, për partitë pluraliste që do t’i shërbenin asaj, demokracisë, për përkushtimin e ngritjes së një shteti të ri, diametralisht të kundërt me veprimtarinë e diktaturës. Nostalgjikët duhet të çliroheshin nga mendësitë e së kaluarës dhe të rinjtë kishin misionin që të kontribuonin në këtë drejtim. Do të forcohej kultura e disiplinës demokratike, për të rindërtuar ekonominë e rrafshuar. Dihet sesi u ngrit shteti pluralist gjerman, me çfarë ritmesh, dhe si u krijua bumi ekonomik gjerman, duke tejkaluar shtetet, madje edhe ato që nuk kishin pësuar shkatërrimin ekonomik tërësor, si Gjermania naziste gjatë Luftës II Botërore. Sipas përgatitësve të dokumentarit televiziv, puna ishte e vështirë dhe kërkonte këmbëngulje. Sepse pjesa më e madhe e personave ishte e kapluar nga makina propagandistike e Hitlerit dhe e propagandistit të tij fanatik, Dr. Gëbelsit.
Dekomunistizimi, detyrë e pasnëntëdhjetës/Në Bashkimin Sovjetik, kjo lloj veprimtarie mori përmasa hakmarrëse, sipas programeve të luftës së klasave. Kuptohet se abuzimet ishin të shumta. Lufta kundër kolaboracionistëve mori përpjesëtime të tejmasshme, të stimuluara edhe nga përgjimet se cilat ishin mendimet, jo vetëm veprimet e personave të inkriminuar, në përputhje me konsolidimin e shtetit monist. Fanatizmi i skajshëm doktrinar arriti gjer aty, sa në BS të përmbylleshin në kampet komuniste të „riedukimit“ (domethënë të mizorisë komuniste) të gjithë ata që u riatdhesuan si robër në duart e gjermanëve! – gjë që s’kishte precedent pas mbarimit të të gjitha luftërave të mëparshme! Dihet mirë episodi tragjik i djalit të Stalinit, që kishte rënë rob, së bashku me armata të tëra, në fillimet e Luftës së Stalingradit. Stalini e mohoi të birin. Ky, i dëshpëruar, iu drejtua telave rrethues me voltazh të lartë të kampit dhe vrau veten.
Në një vend si Shqipëria, fobia ndaj kolaboracionizmit përfshiu edhe nacionalçlirimtarët e zhgënjyer. Akuzat e falsifikuara dhe pohimet në hetuesi për faje të paqena, u bënë sipas modelit të hetuesisë barbare të sistemit akuzues të Vishinskit, me direktivat e Stalinit. Vendi ynë kishte edhe specifikën që ishte, gjatë viteve që pasqyron dokumentari (1945 - ’46 - ‘47), nën urdhrat e emisarëve të Titos. Ky “pushtim” i nëndheshëm, madje, ishte jetësuar jo vetëm gjatë Luftës, por edhe në vazhdimësi, nga diktatet  që përçoheshin prej ambasadorit të Beogradit në Tiranë. Në kujtimet e tij, “Ditari i nji zemre të lënduese”, autori Prengë Gruda, nacionalçlirimtar i zhgënjyer, e kishte gruan përkthyese nga serbo-kroatishtja në zyrën e Enverit. Ajo i kishte thënë të shoqit, nën detyrimin për ta mbajtur fshehtësinë, se Enverit i kishte vajtur në zyrë ambasadori i Jugosllavisë në Tiranë dhe i kishte thënë që të masakrohej kleri katolik, se ishte nën ndikimin e Papa Vojtilës. Kjo e kishte tronditur pa masë shkruesin e kujtimeve, që ia kishte thënë të fshehtën Uan Filipit, édhe ai i zhgënjyer nga veprimtaria si person i shquar në instancat e nacionalçlirimtares. E fshehta nuk vonoi që të bëhej realitet, brenda javës! Uan Filipi u quajt tradhtar dhe u ekzekutua, për „fajësira“ të tjera; por edhe autori i ditarit do të kishte pasë të njëjtin fat, nëse nuk do të ishte arratisur në botën e lirë. Në një shkrim për Mukjen, që do t’i kishte dhënë vendit tonë një fizionomi krejt të ndryshme, nëse nuk do të funksiononte ajo që mund të quhej kolaboracionizmi i nënrrogozshëm i klikës së Enverit ndaj RSF të Jugosllavisë, është vënë në dukje abuzivizmin tendencioz me bashkëpunimin (kolaboracionizmin) shqiptar dhe krimin komunist që shpërtheu në emër të kësaj dukurie në të  gjitha vendet e pushtuara, por te né i shumëfishuar. Veçse nuk kemi pasë përmendur në shkrimin për Mukjen, edhe një fakt të veçantë, atë të kolaboracionizmit tjetër, që sapo e shprehëm dhe për të cilin mund të japim edhe një fakt shtesë, në lidhje me autorësinë e prishjes së “Marrëveshjes së Mukjes“, që iu ngarkua djallëzisht nacionalistëve: Në letrën që Miladin Popoviçi i kishte dërguar Titos, shkruhej: “Kemi ndikuar në PPSH dhe në LNÇ (lexó, duke shmangur eufemizmin: “I kemi dhënë urdhër Enverit“) që të prishim Marrëveshjen e Mukjes”. Këtë e dëshmon libri i R. Rajovit, „Autonomia Kosovo“, botuar në Beograd në vitin 1985. Këtu, si kohë,  jemi në vigjiljen e luftës civile, por edhe në periudhën e terrorit të shfrenuar komunist, që u manifestua edhe me gjyqe kundër nacionalçlirimtarësh të zhgënjyer: Shefqet Beja u ekzekutua me varje, ndërsa të tjerë u asgjësuan:  Riza Dani, Kostë Boshnjaku, Hasan Reçi, Enver Sazani, Kasëm Radovicka, Faik Shehu. Kryetari i Këshillit  Nac.çl. të qarkut të Dibrës, Edip Tërshana, u dënua me vdekje dhe letra e tij drejtuar Enverit nga qelia, duke e stigmatizuar për antishqiptarizmin e tij në lidhjet me Jugosllavinë titiste, do të mbetet një dokument lapidar: „Kjo âsht tradhti kombëtare“. Gjyqet bënin edhe akuza profashiste ndaj luftëtarëve kundër okuptatorit: „Kush nuk është me ne, është fashist!” - që u bë objekt kritikash në Plen. e Beratit por, pastaj, terrori komunist (i stigmatizuar nga Sejfulla Malëshova në po atë plenum), vazhdoi në të vetën. Ndërkaq kolaboracionizmi i një shteti të madh si Franca, pati të ndëshkuar si kolaboracionistë Daladierin, intelektualin Brazilak (për të cilin pati peticione të shumta për falje të jetës nga shumë njerëz të spikatur të intelektualizmit francez), si edhe disa të tjerë. Mareshelin Peten, kreun e kolaboracionizmit francez, të cilit iu fal jeta nga De Goli.
Këto jepen për krahasime me denazifikimin i cili, ndonëse pati një Nuremberg për krerët e gjenocidit nazist, pati edhe ligje të forta për denazifikimin, siç e pamë edhe gjatë këtij shkrimi. Duhet thënë, megjithatë, se nazizmi nuk bëri ndaj gjermanëve atë batërdi që ndodhi në vendin tonë ndaj shqiptarëve. Veçse, meqë krahasimet historike janë pjesë e vetë historisë dhe, duke pasur parasysh se edhe komunizmi është një sistem i krahasueshëm me nazizmin për kah numri i viktimave (Nazizmi: 25 milion, komunizmi 100 milion viktima), atëherë secili prej këtyre sistemeve duhej të çrrënjosnin trallisjen e trurit prej nostalgjive, të pashmangshme në sistemet totalitare. Gjermania e jetësoi këtë detyrë në mënyrë të drejtpeshuar, por vendimtare.
Kurse vendi ynë jo vetëm që s’mund të krenohet për çrrënjosjen e mendësive komuniste, por sot ndodhemi edhe përballë paradoksesh që ish-fanatikë të diktaturës së E. Hoxhës, po na japin leksione demokracie; por edhe historianët e asaj kohe, lakenj të regjimit dhe falsifikues të historisë, po mëtojnë të na bëjnë historinë e asaj periudhe të hidhur dhe të drejtuar mizorisht kundër interesave tona kombëtare...
Veçse këtu duhet përcaktuar një vijë e qartë demarkacioni se cilët janë komunistët dhe cilët janë antikomunistët, të cilët do t’u kundërviheshin atyre të parëve, për një pluralizëm të sinqertë. Dihet, tashmë, se shembja e komunizmit në vendin tonë u bë për arsye madhore, për dështimin ekonomik të komunizmit në shkallë planetare në kompeticionin global. Nacionalizmi ynë e bëri detyrën e tij kombëtare, për të mos rënë nën kthetrat mashtruese të komunizmit, në vendin tonë. Por ai u shfaros në luftën civile e më tej, nën dhunën e terrorit të kuq, duke lënë amanetin gjer në plotonin e ekzekutimit: „Rroftë Shqipëria“. Tanimë vija dalluese ndërmjet pluralizmit dhe antipluralizmit, apo ndërmjet demokracisë së vertetë dhe asaj fiktives -  me mendësitë e së kaluarës- është qëndrimi i 1990-s: Me dy gishtat lart, apo me grushtin në ballë! Me britmat për heqjen e emrit të E. Hoxhës Universitetit të Tiranës, apo me ruajtjen e këtij emri. Me sinqeritetin e parullës për shkuarjen drejt Europës dhe për miqësinë me demokracinë amerikane, apo me parullat hileqare të Ramiz Alisë që ne s’jemi as lindje, as perëndim! Me dënimin e krimeve të komunizmit, apo me maskimin e këtyre krimeve (Këtë nuk po ia mëson dot as AP-ja e KE-së, majtizmit tonë, as sot!). Me izolimin e prerë dhe pa mëdyshje, pa përjashtuar edhe dënime për krimet më të rënda, të të gjithë mëkatarëve sadistë të diktaturës, apo me lënien e tyre si kontingjent rezervë, si repart pararojë, për situata të provokuara destabilizimi nga ana e forcave nostalgjike. Kur miku i çmuar i demokracisë së brishtë të fillimit, polaku i shquar Tadeus Masovievski, na dha këshillën e artë “të bënim dekomunistizimin”, né sikur e dëgjuam vetëm me një vesh këtë këshillë që do të ishte shpëtimtare. Kjo, veç atyre që thamë, nënkuptonte edhe që demokracia jonë e pakonsoliduar siç duhet, të mos lejonte që, në emër të demokracisë eterike, anakronike për ato gjendje të rrezikshme, - të mos lejonte, pra, - që të fuqizohej ekonomikisht afarizmi i kuq, i cili këtë prioritet e përdori, më vonë, në dobi të tij.
Pa na ranë më qafë edhe qejfmbeturit karrieristë e megalomanë, që nuk u shpërblyen sipas të ashtuquajturave merita të tyre, e që e drodhën pa pikë galeje dhe bënë causa comune me partinë emërndërruar, në të cilën gëlonin edhe kontingjentet e krimit, ish-sigurimsat, vullnetarët e Enverit dhe nostalgjikët e pandreqshëm. ( Le të bëhet krahasimi me denazifikimin!). Po japim si shembull atë personin e pafytyrë që, përdhosës i këshillës së Masovievskit, na doli me filozofinë e mbrojtjes së botëkuptimit komunist, të sintetizuar në „ç’të merremi me të“, në kuptim të lënies rehat të... komunizmit! Të tjerë, cinikë të paskrupullt, kanë gjetur mënyrën e çuarjes së ujit në mullirin e majtizmit tonë, aspak i sinqertë ndaj Perëndimit, duke quajtur “komunistë” bash ata që i vunë gjoksin botës së vjetër e që u ndeshën që në hapat e parë të demokracisë me hipokritët që bënë politikën e Ramizit. Ithtarët e këtij të fundit i trazojnë ujërat për të vënë shenjën e barazimit ndërmjet anëtarëve të PPSH-së jofanatikë, me mëkatarët që janë të molepsur me krimet e sigurimit. Këta do të dëshironin të nakatoseshin me anëtarësinë në përgjithësi, që të mbulonin gjurmët e krimit të tyre:  Unë komunist, ti komunist të gjithë komunistë! Por njerëzit nuk janë aq naivë që të bien në këto kurthe: Një mjek i zoti, një inxhinier i talentuar, një gjeolog me intuitë shkencëtari… ishin të nevojshëm për partinë, që donte t’i jepte një ngjyresë pozitive imazhit të saj . Një kardiolog nga më të përkushtuarit, siç ishte kreu i ardhshëm i PD-së, ishte i denjë për pluralizmin e tij të sinqertë dhe për antikomunizmin e tij që nënkupton antienverizmin, që është ekuivalent i antistalinizmit. Një antagonist i tij politik, i ka pas dhënë garancinë për të marrë teserën e partisë, kur doktori kishte vajtur njëherë në Orikum. Berisha nuk u tregua entuziast  për këtë ofertë. Por bashkëbiseduesi i tij, mjek edhe ai, madje jo vetëm me tesër partie, por edhe me besueshmëri politike, e bëri të mendojë kandidatin e mundshëm por këtë anëtarësí, me këtë arsyetim të ftohtë e të thjeshtë: - A ke menduar se, duke qenë pa parti, nuk do të mundesh të jesh pjesëmarrës në konferencat shkencore ndërkombëtare dhe do të të digjen disa nga ftesat e rëndësishme? Dr. Berisha dukej i luhatur. – Ma thuaj nesër, përfundimisht, i tha bashkëbiseduesi dr. Berishës. Kuptohet se pranimi pati këtë shtysë e cila nuk mund të shpërfillej. Por, nga kjo konfidencë me shkrim, që nuk njihet gjerësisht, mësojmë edhe dy pika të tjera: 2. Se me kursimet e dietave doktori vinte nga jashtë me një çantë të madhe librash mjekësorë, ku nuk mungonin edhe libra të karakterit sociofilozofik. Këto ndërkalleshin  mes librave mjekësorë. Por ishin libra të rrezikshëm, sepse autorët shpreheshin në dobi të pluralizmit. 3. Në atë intervistë, flitej me siguri se Doktor Berisha nuk ishte mjek i Bllokut të Udhëheqësve, ose i Klinikës Speciale, siç thuhej atëherë. Por këtë e kemi edhe nga një burim më i sigurt akoma: Nga Nexhmije Hoxha. Kjo e thotë si me mburrje se “ajo vetë nuk ishte dakord”, në njërin nga  librat e saj të kujtimeve.  Veçse nuk janë të pakët ata që shprehen, me dashakeqësí, se ka qenë mjek i Bllokut!  Janë ata mëkatarë që ua do puna ta quajnë komunist! – që të fshehin komunizmin e tyre keqbërës. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›