E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Iran arrestohet një gazetar i AFP-së

Forcat iraniane të sigurisë kanë arrestuar një gazetar të agjencisë së lajmeve AFP, i cili të mërkurën kishte përcjellë protestat e opozitës në Teheran, të cilat u organizuan me rastin e 30 vjetorit të pushtimit të ambasadës amerikane në Iran, njoftoi sot AFP.

Medieve të huaja ju është ndaluar që të mbulojnë protestat, që nga koha e shpërthimit të demonstratave në shenjë proteste kundër zgjedhjeve të kontestuara presidenciale, të cilat u zhvilluan në qershor, për të cilat opozita ka theksuar se kanë qenë të manipuluara, me qëllim që të sigurohet rizgjedhja e presidentit Mahmoud Ahmadinejad.

Farhad Pouladi ka qenë duke e mbuluar protestën, në momentin kur është ndalur dhe arrestuar nga agjentët e sigurisë, dy prej të cilëve kanë pasur të veshura uniforma, ndërsa një tjetër ka qenë civil, tha shefi i zyrës së AFP-së në Teheran, Jay Deshmukh.

Që nga dita e mërkurë, ne nuk kemi asnjë informatë për Pouladin, shtoi ai.

Deshmukh tha se Ministria iraniane e Kulturës ka ofruar garanci se rasti i Pouladit do të trajtohet si prioritet.

Faqja reformiste në internet, Mowjcamp, theksoi se gjatë protestave të së mërkurës, janë arrestuar së paku 23 persona në Teheran dhe në qytetin perëndimor Rasht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›