E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Itali ka rreth gjysmë milion shqiptar, 220 mijë janë në punë

Shpërndarja krahinore e punonjësve shqiptarë

Emigracioni shqiptar lindi në vitet nëntëdhjetë me eksodet spektakolare drejt brigjeve italiane. Që atëherë ka kaluar shumë kohë dhe tregu i punë s ka ndryshuar jo vetëm në Itali e Shqipëri, por në të gjithë botën. Gjatë viteve numri i shqiptarëve ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur në datën 1.1.2011 kuotën 482.627 emigrantësh të rregullt në territorin italian (10,6% të totalit të emigrantëve).

Një vit më parë, domethënë në fillim të 2010-s shqiptarët ishin më pak (466.684), ndonëse si përqindje mbi numrin e përgjithshëm ishin më tepër (11%), shenjë se në kategorinë e emigrantëve ka edhe shtetësi të tjera që rriten më shumë. Sidoqoftë, puna është bërë arsyeja kryesore e emigracionit nga Shqipëria, si rrjedhim duhet tu kushtojmë vëmendje punonjësve shqiptarë që punojnë në sektorët e ekonomisë italiane.

Pyetjet që kanë të bëjnë me punën janë të shumëllojshme. Sa janë shqiptarët që punojnë? Ku punojnë? Në cilët sektorë? Si është zhvilluar në kohë prania e tyre territoriale e lidhur me punën? E së fundi, a kanë ndikim emigrantët në botën ekonomike? Natyrisht, në konceptin e punës futen si të punësuarit, ashtu edhe të vetëpunësuarit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë si të punësuar (me kontratë pune të varur) në ndërmarrjet italiane ose të huaja.

Në 2011, sipas të dhënave Inail (Istituto Nazionale Assicurazione contro gli Infortuni sul Lavoro Instituti Kombëtar i Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë), në Itali punonin gjithsej 220.473 shqiptarë. Kjo e dhënë përfshin të gjithë llojet e punonjësve, si ata me kontratë me kohë të caktuar, ashtu edhe ata me kohë të pacaktuar, përfshirë punonjësit stinorë. Ajo që bie menjëherë në sy është se numri i punonjësve shqiptarë ka pësuar një rënie lidhur me vitin e mëparshëm.

Në fakt, një vit më parë shqiptarët ishin 224.339. Nuk mund tia atribuojmë marrjes së shtetësisë italiane nga ana e qytetarëve shqiptarë as edhe një pjesë të vogël të rënies, sepse baza e të dhënave të Inail-it përfaqëson të gjithë ata që kanë lindur jashtë shtetit. Ulja pra i detyrohet krizës ekonomike, ecurisë së tregut të punës e masave për menaxhimin e hyrjeve të reja të punonjësve të huaj.

Gjatë gjithë vitit 2010 janë marrë në punë nga fillimi 13.855 shqiptarë, shumë më pak se shifra 15.472 e vitit 2009. Kjo do të thotë se tregu italian i punës ka tërhequr më pak shqiptarë. Për të pasur një vizion të saktë e dinamik të situatës së punësimit të shqiptarëve duhet gjetur diferenca midis të punësuarve dhe atyre që kanë dalë nga puna. Shenja, sikurse vitin e kaluar, ka qene negative. Është e qartë se kriza ka filluar ti godasë seriozisht shqiptarët.

Si janë shqiptarët në raport me kombësitë e tjera të pranishme në Itali?

Para së gjithash duhet thënë se punonjësit shqiptarë përbënin gjatë 2010-s 7% të të gjithë punonjësve emigrantë. Krahasimi me Rumaninë ka qenë mjaft interesant derisa ishte vend jo komunitar, meqë është vend i lindjes me shumë pika të përbashkëta me Shqipërinë. Tani që Rumania është anëtare e Bashkimit Europian, qytetarët e të cilës gëzojnë liri qarkullimi edhe për punë, krahasimi mund të ishte devijues. Megjithatë, punonjësit rumunë në Itali në datën 1.1.2011 ishin 712.763 (22,7% të totalit), duke zënë vendin e parë absolut, të ndjekur pas nga shqiptarët (7%), nga marokenët 205.667 (6,6% të totalit) e nga ukrainasit (4,7%). Vijojnë për nga numri i të punësuarve kinezët, polakët, moldavët e kështu me radhë.

Në çfarë sektorësh punojnë shqiptarët?

Statistikat konfirmojnë se shqiptarët në Itali punojnë në të gjithë sektorët makroekonomikë. Vihen re përqendrime që ndryshojnë sipas sektorëve, por nuk janë përqendrime të tilla sa të na bëjnë të flasim për specializim  etnik në tregun e punës. Në sektorin industrial, deri në fillim të 2011-s, punonin 104.078 shqiptarë, pra pjesa më e madhe. Bëhet fjalë për industrinë mekanike, kimike, ndërtimore, elektrike, ushqimore, tekstile, drunore, etj. Në sektorin e shërbimeve rezultojnë 92.784 të punësuar. Këtu përfshihen nënsektorët si tregtia, transporti, shëndetësia, pastrimet, turizmi, asistenca në familje, etj. Së fundi, bujqësia: në këtë sektor punojnë jo pak shqiptarë: 20.027. Në përqindje, rendi i pranisë në sektorët ekonomikë paraqitet kështu: industria (47,2%), shërbimet (42,1%), bujqësia (9,1%). Diçka ka ndryshuar gjatë vitit. Në fakt, një vit më parë, në industri punonin më shumë shqiptarë (110.731); e kundërta ka ndodhur në sektorin e shërbimeve ku numri i tyre është rritur (ishin 90.056); gati e njëjtë prania e tyre në bujqësi (vitin paraardhës kanë qenë 20.158). Pra është verifikuar një lëvizje brenda tregut të punës të shqiptarëve, një kalim nga industria tek shërbime. Nga përqindjet dallohet që ulet numri i të punësuarve në industri në favor të shërbimeve e të bujqësisë.

Gati 60% e shqiptarëve, më 1.1.2011, punonte në krahinat veriore. Krahina e Lombardisë zinte vendin e parë me 42.680 punonjës. Duhet shënuar një rënie e punonjësve në këtë krahinë. Një vit më parë ishin 43.999. Janë verifikuar ndryshime edhe në rendin e krahinave sipas pranisë së punonjësve shqiptarë. Ndërsa një vit më parë vendi i dytë i takonte qartësisht Toskanës, tani ky vend i takon dy krahinave njëkohësisht. Si krahina e Toskanës, ashtu edhe ajo e Emilia Romanjas kanë pasur 12,8% shqiptarë. Në të vërtetë, Toskana ka ndonjë njësi më tepër, por diferenca është me gjithë mend e papërfillshme, diferencë që është shkurtuar gjatë 2010-s. Me pak fjalë, shqiptarët e Toskanës janë reduktuar në numër e janë rritur ata që punojnë në Emilia Romagna. Vendin e katërt e të pestë e kanë zënë Veneto (19.465) e Piemonte (18.522), pasuar nga krahina e Lacios (11.606). Midis krahinave të fundit, vetëm Lacio ka rezultuar në rritje, ndërsa Piemonte e Veneto e kanë ndërprerë traditën e rritjes konstante. Në vendin e fundit është Sardenja, ku punojnë 446 shqiptarë, numër përnjimend modest.

Është interesant të vëmë re se si rritja në kohë e femrave nuk ka çuar në prurje të mëdha drejt shërbimeve të familjes. Fuqia punëtore shqiptare është e shpërndarë mirë e përdoret edhe në sektorët përgjithësisht të lënë pas dore nga studiuesit, si bujqësia p.sh., ku shqiptarët zënë vendin e parë midis vendeve jo komunitare. Statistikat dëftojnë para së gjithash stabilitetin dhe integrimin e shqiptarëve në indin ekonomik italian. Megjithatë, për shkak të krizës ekonomike diçka po ndryshon. Duke filluar nga lëvizshmëria brenda sektorëve ekonomikë, që tregon gjithsesi një farë fleksibiliteti të fuqisë punëtore shqiptare, që për dy vjet radhazi humb vende pune. Kjo dinamikë përbën një arsye më tepër për të vazhduar me monitorimin e punës së shqiptarëve në Itali.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›