E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Me depot e reja të ujit do hiqen depozitat nga tarracat

Furnizimi i kryeqytetit me ujë të pijshëm pritet të përmirësohet ndjeshëm. Ministri iPunëve Publike Sokol Olldashi gjatë inspektimit në depon e re të ujit në Dajt deklaroi se me këtë investim Ujësjellësit të Tiranes iu shtuan edhe 10 mijë m3 kapacitet depozitimi. Kreu i transporteve deklaroi se nga ky investim do të përfitojnë zona si Tirana e Re, Komuna e Parisit, Kodra e Diellit, Sauk, Selitë etj.
 

Ministri i Punëve Publike përshëndeti gjithashtu edhe transferimin e Ujësjellësit të Tiranës nën varësinë e Bashkisë. “Transferimi i ujësjellësit duhet të ishte mbyllur që në fundvitin 2007, por z.Rama, me një qëndrim tërësisht politik, dhe logjikisht të paqëndrueshëm refuzoi të merrte administrimin, ndonëse kishte dy vjet që akuzonte qeverinë se nuk i jepte ujësjellësin. Tashmë Bashkia ka qartësisht qëndrim tjetër dhe unë jam shumë i kënaqur që procesi i transferimit do të ndodhë edhe në Tiranë, gjë që do ta çojë ndërmarrjen më afër qytetarëve të Tiranës dhe të njësive të tjera vendore që shërbehen nga kjo ndërmarrje” theksoi Olldashi
 

Olldashi gjithashtu u shpreh se së shpejti do të ndërtohen edhe dy depo të reja në Kinostudio dhe në zonën e qytetit Studenti, gjë që do të bëjë të mundur fillimin e heqjes së depozitave individuale të banorëve nga tarracat e pallateve të kryeqytetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›