Në Koltinë përkujtohen 14 dëshmorë

Në fshatin Kotlinë të Komunës së Kaçanikut, sot në 14 vjetorin e rënies janë përkujtuar 14 dëshmorë dhe 15 martirë të rënë të këtij fshati.
Latif Loku, kryetar i Këshillit të fshatit tha se populli shqiptar kurrë s’ka pushuar luftën për liri, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në luftën çlirimtare edhe në fshatin tonë u bë një mobilizim i përgjithshëm. Jo vetëm të rinjtë por edhe brezat tjerë u vunë në ballë të luftës ndërkaq nuk kursyen as jetën”. tha Loku
Ndërkaq kryetari i Komunës, Besim Ilazi tha se dëshmorët e rënë më shumë e deshën lirinë se sa jetën e tyre. “Ata ia dhanë lumturinë popullit tonë dhe ne sot po e ndërtojmë shtetin tonë, një shtet demokratik ashtu siç e deshën ata” tha kryetari Ilazi.
Të pranishmit në këtë tubim përkujtimor i ka përshëndetur Mustaf Loku, në emër të familjeve të dëshmorëve.
Ai duke i falënderuar të pranishmit ka thënë se muaji mars është muaji i dhembjes së madhe për ne kotlinasit por njëkohësisht edhe muaji i krenarisë.
Në Kotlinë, në luftimet e 9 marsit të vitit1999, ranë dy dëshmorë si dhe u djeg një pjesë e shtëpive të fshatit, ndërsa më 24 mars të vitit 1999, në mënyrën më çnjerëzore u vranë 26 kotlinas, prej tyre 11 dëshmorë dhe 15 martirë ndërkaq më vonë karvanit të dëshmorëve nga ky fshat iu shtua edhe një dëshmor i cili ra në luftimet në kufirin shqiptaro-shqiptar, në Koshare.
Në nderim të të rënëve, nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” kanë shfaqur një program kulturor artistik, ndërkaq pranë lapidarit të ngritur janë vendos kurora lule e më pas homazhe janë bërë edhe te varrezat e dëshmorëve. /Indeksonline/