Me këtë sundim të ligjit, utopike të mendohet për investitorë

Pavarësisht reformave të ndërmarra nga Qeveria, mjedisi biznesor në Kosovë vazhdon të jetë i pafavorshëm për bizneset vendore dhe shihet si i rrezikshëm për investimet e huaja. Kështu thanë zyrtarë të Grupit për Studime Politike dhe Juridike, të cilët prezantuan një vlerësim të politikave dhe ndikimit të tyre, dhe disa rekomandime për autoritetet përgjegjëse.
Problemet me të cilat përballen bizneset vendore ende janë mjaft të mëdha. Kreu i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë mjedisi është duke u dobësuar më tej, dhe si pasojë bizneset vendore mund të hulumtojnë mundësitë e bartjes së prodhimit në ndonjë vend të rajonit.
Gërxhaliu kërkoi që autoritetet të fokusohen më shumë në forcimin e rendit dhe ligjit, që sipas tij, është faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm.
“Derisa të kemi këtë trend të sundimit të rendit dhe ligjit, është utopike të mendohet në investitorë të huaj, apo në tërheqjen e investimeve të diasporës. Derisa nuk do të kemi sundim të rendit dhe ligjit, cili do të jetë modaliteti për përmirësimin e imazhit dhe nëse nuk kemi përmirësim të imazhit, si mund të paramendohet zhvillimi ekonomik, përmes absorbimit të këtyre indikatorëve”, tha Gërxhaliu, transmeton RTK.
Reformat e bëra në mjedisin biznesor në Kosovë, janë reflektuar në përmirësimin e rangimit të Kosovës në raportin e të bërit biznes të Bankës Botërore. Por, gjendja ende mbetet e rëndë dhe institucionet nuk po arrijnë të krijojnë politika të qëndrueshme dhe efektive për adresimin e sfidave.
Arbëresha Loxha, zyrtare Grupit për Studime Politike dhe Juridike, tha se korrupsioni po dëmton sektorin publik, por edhe atë privat, si dhe po dekurajon investitorët e huaj, sidomos në fushën e prokurimit publik.
“Prokurimi publik në Kosovë është një treg shumë i madh, i cili vlerësohet të jetë rreth 800 milionë euro, apo afër 14 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2011. Kjo bën që ndërmarrjet shumë lehtë të bien pre e presioneve politike dhe të politizohen”, theksoi Loxha.
Ndër rekomandimet e këtij grupi janë: hetimi i parregullsive në tenderimin publik, definimi i kritereve specifike për tenderët publikë, rritja e efikasitetit të inspektorëve tatimorë etj. /Indeksonline/