E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet aktori i madh, Xhevat Qena

Me rastin e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të aktorit të madh shqiptar, Xhevat Qena, në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë u mbajt akademi përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Familjarët, miqtë dhe kolegët e Qenës, vlerësuan lartë veprën dhe kontributin e tij në zhvillimin e vlerave artistike, kulturore dhe teatrale në vend.

Aktori Adem Mikullovci vlerësoi përkushtimin dhe kontributin e aktorit të madh në ngritjen në nivel profesional dhe më të lartë të teatrit dhe filmit kosovar.
“ Xhevati ishte aktor i institktit, aktor i talentit, punëtor dhe njeri i madh”, është shprehur Mikullovci.

Ndërkaq, bashkëshortja e Qenës, aktorja Leze Qena, ka kujtuar jetën e përbashkët profesionale por edhe atë private me aktorin e ndjerë. Ajo ka shpalosur disa nga kujtimet e saja dhe disa nga filmat që aktorët kanë luajtur bashkë.
“Aktor komplet, ka luajtur me mish e me shpirt, çdo rol që Xhevati e ka luajt, ai e ka përjetu”, është shprehur ajo.

Akademia përkujtimore është organizuar me iniciativë private nga familjarët dhe miqtë e Qenës. Ata kanë shprehur keqardhje për neglizhencën e institucioneve në përkujtimin e aktorëve të mëdhenj.

Xhevat Qena ka luajtur qindra role në teatër dhe film. Për mbi dyzet vjet ne skenë, ai hyn në radhën e aktorëve cilësor, me merita të pakontestueshme për teatrin kosovar. Një prej roleve më të suksesshme të Xhevat Qenës është padyshim ai në shfaqjen "Përqafimi", i autorit Ranko Marinkoviq./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›