E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në Kopenhagë do paraqes revolucionin industrial jeshil të Shqipërisë”Nga Pandeli Pani, DWKryeministri, Sali Berisha, flet pas Kongresit të Partive Popullore Evropiane Zoti Berisha, ju shikoj që dilni me shumë buzëqeshje nga ky kongres dhe besoj

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Në Kopenhagë do paraqes revolucionin industrial jeshil të Shqipërisë”Nga Pandeli Pani, DW

Kryeministri, Sali Berisha, flet pas Kongresit të Partive Popullore Evropiane

Zoti Berisha, ju shikoj që dilni me shumë buzëqeshje nga ky kongres dhe besoj se kjo është mënyra më e mirë për të shprehur atë që ju keni arritur gjatë këtyre takimeve.

Unë shfrytëzoj në maksimum dhe intensivisht Konferencën e Partive Popullore Evropiane, ku janë të pranishëm të gjithë kryeministrat e vendeve të Bashkimit Evropian që qeverisin nga qendra e djathtë, mes të cilëve figura kryesore ka qenë kancelarja Merkel, për të paraqitur të gjitha zhvillimet në Shqipëri, për të kërkuar mbështetje për procesin e integrimit. Dhe konkretisht, me kancelaren Merkel, atë bisedë të shkurtër që zhvillova, ia përkushtova zhvillimeve dhe vizitës së saj të ardhshme në Shqipëri. Kancelarja Merkel gjatë mandatit të shkuar më ka premtuar në mënyrë të përsëritur se do të vizitojë Shqipërinë. Kësaj radhe kancelaria më premtoi në mënyrë të prerë dhe unë kam bindje se kancelarja e mban fjalën se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë.

E gjithë Evropa gjatë këtij viti feston epokën e kthesave dhe vitin e ardhshëm Shqipëria pritet të festojë kthesën. Më datën 8 ju patët edhe një miting. Diçka më shumë rreth këtij mitingu, i cili për fat të keq nuk u përkrah nga opozita...

Ky miting, siç mund ta keni ndjekur, ishte më madhështori në historinë e Shqipërisë. Kam mbetur me një ndjenjë mirënjohjeje të pakufishme ndaj atij gjysmë milioni shqiptarësh, që lanë çdo gjë për të festuar ditëlindjen e lirive të tyre. Mitingu ka mbushur ekranet e medieve më serioze në botë, faqet e gazetave më të mëdha dhe kjo u bën nder të madh mbarë shqiptarëve. Mitingu u bojkotua, siç mund të keni konstatuar, me gjithë ftesën, nga krerët aktualë të Kryesisë së Partisë Socialiste, madje, në mënyrën më absurde u shpall si një antimiting apo bënë gjeste të tjera të turpshme të paprecedent. Mbushën në prag të tij rrugët e kryeqytetit me plehra nga vetë kryetari i bashkisë. Sidoqoftë, mendoj se këto gjeste nuk zbehën aspak madhështinë e mitingut. Mendoj për rrugën ende të gjatë që ka për të bërë Kryesia e Partisë Socialiste për t’u ngjitur në ato pozicione, sepse e majta evropiane e festoi rënien e Murit të Berlinit, ndonëse pa diskutim kjo është një meritë e qendrës së djathtë, e atyre që ndërtuan Evropën, por të majtët ishin të pranishëm në Berlin, me kancelarin dhe përfaqësuesit e tjerë kryesorë të Perëndimit. Këtu munguan të majtët shqiptarë, të cilët, me sa duket, edhe për shkak të trashëgimisë së tyre, nga e cila nuk shkëputen dot, nuk mund të merrnin pjesë. Sidoqoftë, 20-vjetori vjen dhe sërish do t’i ftojmë. Ne shohim përpara.

Do t’i kthehem edhe njëherë çështjes së opozitës. Çfarë mesazhesh të erdhën nga ky kongres në lidhje me opozitën, e cila vazhdon të bojkotojë parlamentin?

Nga ky kongres, nga çdo personalitet, i majtë apo i djathtë që unë kam takuar deri më sot, në mënyrë kategorike dhe absolute, nuk është as edhe një i vetëm që pranon kërkesën e opozitës për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, pasi aty ka një vendim gjykate. Oferta tjetër, që unë ua parashtrova të gjithë bashkëbiseduesve, që është të krijohet komisioni hetimor, t’u japë shumicën për të hetuar të gjitha aspektet e tjera, përveç problemit të përcaktuar nga gjykata, hartoni të gjitha amendamentet mbi rekomandimet, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të mira. Këto ishin më të mirat që kemi bërë. Të tjerat të jenë më të mirat që kemi bërë sërish dhe të përmirësojmë më tej procesin zgjedhor.

Edhe dy pyetje kisha, e para kishte të bënte me problemin e vizave dhe liberalizimin e tyre. Kur mund të pritet kjo gjë, çfarë sinjalesh ka?

Kam marrë garanci të plotë dhe totale për këtë proces, sikundër kam siguruar bashkëpunimin për bashkëbiseduesit e mi, se ne po bëjmë çdo gjë për të përmbushur me përpikëri detyrimet që rrjedhin për këtë proces.

Ju do të jeni javën tjetër edhe në Kopenhagë. Çfarë bën Shqipëria në drejtim të klimës?

Në Kopenhagë unë paraqes “Green Albania”, paraqes Shqipërinë jeshile, paraqes revolucionin industrial jeshil të Shqipërisë. Shkoj ballëhapur, sepse ne për momentin jemi vendi me energjinë në të pastër në rajon dhe Evropë dhe do vazhdojmë me vendosmëri në këtë drejtim. Natyrisht unë nuk mund të them se do të përjashtohen format e tjera të energjisë, por do i jepet përparësi maksimale energjisë së rinovueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›