E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kosovë, nafta si uji

Me shtimin e veturave në Kosovë, është rritur edhe kërkesa për derivatet e naftës. Vetëm gjatë vitit 2010, në tregun kosovar është importuar naftë në vlerë prej 134 milionë eurosh. Sipas naftëtarëve, rritja e numrit të veturave dhe kompanive të këtij lloji, është arsyeja e rritjes së shpenzimit Nga Albulena Maloku më 25 korrik 2011 në ora 08:18

Kosovarët po e rrisin luksin nga ditë në ditë. Pavarësisht se çmimi i naftës dhe derivateve të saj është shtrenjtuar, për kosovarët kjo nuk paraqet aspak problem. Kërkesat për këtë produkt dhe vajrat hidraulike e motorike janë shtuar më shumë viteve të fundit. Shkak është se kosovarët tash po blejnë më shumë vetura.

E përveç kësaj, në Kosovë viteve të fundit janë futur mekanizma e kompani të huaja, të cilat vazhdojnë të operojnë e t’i zgjerojnë bizneset e tyre.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, që nga viti 2008 e deri më tash, miliona litra më shumë të naftës e derivateve të saj janë futur në tregun kosovar.

Në vitin 2008, janë importuar mbi 241 milionë litra naftë, në vlerë prej 106 milionë eurosh. “Gjatë vitit 2009 e 2010, është rritur sasia e litrave të importuara në krahasim me 2008. Gjatë 2009-ës, janë shpenzuar rreth 121 milionë euro për importin e 297 milionë litrave naftë. E gjatë 2010-ës, në tregun kosovar janë futur 295 milionë litra naftë, në vlerë prej 134 milionë eurosh”, thuhet në të dhënat e Doganës së Kosovës. E në pesëmujorin e parë të këtij viti, janë importuar 111 milionë litra në vlerën e 55 milionë eurove.

Përveç kësaj, edhe për benzinë, janë shtuar kërkesat më shumë. Në krahasim me 2008-ën, ku ishin importuar 116 milionë litra, që kapin vlerën prej 53 milionë euro, në 2009-ën, sasia e importuar arrin në 123 milionë litra. “E më 2010, për këtë produkt kërkesa ka qenë më e vogël. Janë importuar 106 milionë litra për 13 milionë euro”, thuhet në këto të dhëna. Në periudhën pesëmujore të këtij viti, janë 38 milionë litra benzinë që kanë hyrë në tregun kosovar, në vlerë prej 20 milionë eurosh.

Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Nazmi Bytyqi, tregon për Express, arsyet pse janë gjithë këto litra më shumë të importuara pas vitit 2008. Sipas tij, kërkesat për këtë produkt janë rritur shumë më shumë për shkak se janë shtuar veturat në vend. “Shtimi i veturave, ardhja e mekanizmave të ndryshëm në vend dhe hyrja në treg e shumë kompanive, ka bërë që litrat e naftës e derivateve të shtohen nga viti në vit”, thotë Bytyqi. Ai tregon se në vazhdimësi po rriten kërkesat në treg për këtë produkt. Por, kjo thotë se do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

“Ndërtimi i autostradës dhe i rrugëve të tjera në vend, e shton kërkesën për këtë produkt”, thotë Bytyqi për gazetën. Ngritja e çmimit të naftës, sipas tij, nuk mund të ndikojë që të bjerë shitja e këtij produkti. Krejt kjo pasi kosovarët kanë kërkesa të mëdha dhe vazhdojnë të mos ndalen me blerjen e veturave të reja. “Kompanitë janë zhvilluar, e po ashtu edhe kosovarët e kanë shtuar numrin veturave”, tha ai.

Bytyqi e vlerëson edhe aksionin e Task Forcës, për parandalimin e kontrabandës në Veri. E kjo, sipas tij, do të ndikojë që në tabelat e importit të naftës e derivateve të saj, të shtohen sasitë e importuara. Kjo, pasi që do të ulet niveli i kontrabandës dhe e gjithë kjo do të futet në rrugë ligjore në treg.

Cilësia e naftës dhe e derivateve të saj në Kosovë, sipas njohësve të kësaj fushe, është më e ulëta në rajon. Bëhet fjalë për ato derivate që kanë përmbajtje të sulfurit 50 ppm, që është e ndaluar në shtetet e BE-së. Shumica e derivateve të naftës importohet nga Maqedonia, ku përqindja më e madhe e sulfurit gjendet te nafta e rafinerisë maqedonase OKTA.

Sipas statistikave të MTI-së, në Kosovë rreth 65 për qind e derivateve të naftës janë me përqindje të sulfurit 50 ppm, ndërsa mbi 30 për qind importohen produkte të naftës me 10 ppm. Ndërkaq, me ndryshimet e fundit, standardi i naftës së importuar do të jetë me përmbajtje të sulfurit vetëm 10 ppm. Kaq është e lejuar edhe në vendet e BE-së.

Miliona për vajra
Kërkesat janë shtuar edhe për vajin solar. Në vitin 2008, janë importuar 3 milionë litra vaj solar, kurse më 2009 e 2010, sasia e importuar është e njëjtë. Në të dy vitet janë importuar nga 4 milionë litra vaj solar. E, në pesë muajt e parë të këtij viti, në treg janë futur rreth 2 milionë litra. Edhe kërkesa për vajra motorike, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, është e lartë. Më 2009, janë importuar 4 milionë litra vajra motorike, po e njëjta sasi është importuar edhe gjatë 2010-ës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›