E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë pacientë në Qendrën Emergjente

Nga Express më 24 korrik 2011 në ora 17:54

Temperaturat e larta që po mbretërojnë ditëve të fundit dhe aksidentet në komunikacion e kanë shtuar edhe numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore pranë qendrave shëndetësore në Kosovë. Vetëm në Qendrën Emergjente të QKUK-së është dyfishuar numri i pacientëve për shkak të temperaturave, kurse nga 15 deri në 20 për qind ka rritje edhe të atyre që kërkojnë ndihmë për shkak të lëndimeve nga aksidentet në komunikacion.

Specialisti i mjekësisë emergjente në Qendrën Emergjente, Sinan Musliu ka thënë për Kosovapress se numrit të madh të atyre që kërkojnë ndihmë në këtë qendër, tashmë i janë shtuar edhe pacientë tjerë që kërkojnë ndihmë për shkak të temperaturave të larta dhe aksidenteve në komunikacion.

Ai tha se ky fluks vjen edhe për faktin se qendrat mjekësore nëpër Kosovë nuk i kryejnë si duhet punët dhe japin shpesh herë udhëzime të panevojshme për në Qendrën Emergjente.

“Po zakonisht në Qendrën Emergjente është numri më i madh i pacientëve nga e gjithë Kosova për arsye se për fat të keq duhet të them nëpër qendra regjionale qoftë nga Gjilani, Mitrovica, Peja apo qytete tjera me indikacion apo pa indikacion japin udhëzime për Qendrën Emergjente. Dihet se Qendra Emergjente është shërbim terciar, ku duhet të trajtohen vetëm rastet e rënda që nuk mund të trajtohen askund në Kosovë, mirëpo tek ne është e kundërta”, ka thënë ai.

Dihet se prej të nxehtit më shumë dhe kryesisht preken fëmijët, moshat e vjetra, si dhe të prekurit nga sëmundjet kronike, mirëpo nuk përjashtohen as të tjerët. Doktor Musliu rekomandon që këto kategori t’iu shmangen ekspozimeve në diell gjatë orëve të mesditës.

Ndërkaq numrin e pacientëve në Qendrën Emergjente e ka shtuar edhe fakti se gjatë këtyre ditëve ka më shumë qytetarë, të cilët marrin lëndime nga aksidentet në komunikacion.

Doktor Musliu thekson se nuk ka javë, ku nga pesë deri në gjashtë raste nuk përfundojnë me fatalitet për shkak të moskujdesit të faktorit njeri.

“Me të madhe sidomos në muajt, qershor, korrik dhe gusht shtohet me të madhe ky numër, shtohet më shumë se në muajt tjerë, diku rreth 15-20 minimumi edhe atë pjesa dërmuese me pasoja fatale. Nuk ka javë nga katër, pesë apo gjashtë raste që nuk përfundojnë në mënyrë fatale sidomos në komunikacion komplet për shkak të moskujdesit faktorit njeri”, thotë Musliu.

Ndërkaq vapa e madhe që ka mbretëruar gjatë javëve të fundit është ulur paksa në dy ditët e fundit, por temperaturat e larta do të kthehen prapë gjatë ditëve në vijim. Zyrtarë nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, thonë se temperaturat që mbretërojnë tani janë të natyrshme për stinën e verës. Sidoqoftë mjekët rekomandojnë shmangien nga rrezet e diellit nga ora 11.00 deri në 16.00.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›