E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yrrnek, Amerika

Nga Nebih Maxhuni më 25 korrik 2011 në ora 08:10

Myslimanët e Kosovës e duan vendin të jetë i lirë si Amerika. Kush nuk është mysliman, sipas islamit, e ka vendin në xhehenem. I quan të pavërteta akuzat se Naim Tërnava ka lidhje me islamikët radikalë. Beson se në Kosovë nuk ka radikalizëm islamik, por ka radikalizëm laik dhe katolik. Imami Shefqet Krasniqi flet për Express.

Express: Kohëve të fundit është protestuar për ndërtimin e një qendre islame dhe një xhamie të madhe në Prishtinë. A e përkrahni këtë protestë?
Shefqet Kraniqi: Fillimisht me lejoni të shpreh keqardhjen time për zvarritjen e kërkesës së kamotshme për ndërtimin e një xhamie të madhe dhe qendre islame deri në ditët e sotme, e që u bë shkak rrëmuje e polemikash të panevojshme, e që duket shume ironike të ngrihet aq tension për një vend të paqes, të shtëpisë ku adhurohet Zoti që porosit për unitet, tolerancë, mëshirë, dashuri, moral e vlera të tjera të shëndosha për individin dhe shoqërinë. Po ashtu, ndjej keqardhje që në vend se qasja ndaj kësaj kërkese të jetë pozitive, e drejtë dhe përmbajtësore, është keqpërdorur në mënyrën më të vrazhdë nga një pjesë e intelektualëve dhe mediave. Janë të turpshme tendencat që ta paraqesin këtë kërkesë si punë inati, si kërkesë politike e çfarëdo shkaku tjetër përderisa është e dukshme nevoja për ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës ku nuk ka asnjë xhami e që do t’i përmbushte kërkesat e qytetarëve, gjegjësisht xhematit të cilët falen në shi e në borë. Çfarë të keqeje ka që edhe xhamia të ndërtohet në qendër të qytetit, aty ku janë edhe faltoret e dy komuniteteve të tjera?! Pastaj dihet se kjo kërkesë daton që nga periudha 2000-2002 e aq më tepër për të janë dhënë edhe premtime nga vetë kryetari i Komunës, Isa Mustafa në vitin 2008. Prandaj, gjithsesi që e përkrah zërin e myslimanëve kur ngrihet për të drejtat e tyre si qytetarë të këtij vendi, e jo të luaj rolin e spektatorit e të vazhdoj tërë jetën me ankesa, por të ec përpara dhe me edukimin e pastër shpirtëror që merr nga feja të ngrihet në dije, mirësi e produktivitet.

Express: Ishte paralajmëruar protesta në Prishtinë kundër moslejimit të bartjes së shamive nëpër institucione shkollore?
Shefqet Krasniqi: Po. Mendoj që shamia duhet të sanksionohet në Ligjin e arsimit në Kosovë dhe duhet të lejohet pasi ajo është një e drejtë bazike e lirisë fetare dhe të mendimit në vendin tonë. Ne myslimanët e Kosovës e duam Kosovën të jetë e lirë sikur Amerika. Tamam si në Amerikë, ku njerëzit nuk diskriminohen për shaminë që mbajnë, për ngjyrën e lëkurës që kanë e për besimin e bindjet e tyre, edhe ne, Kosovën e duam si Amerikën. Të lirë dhe demokratike dhe të mos ketë ligje diktatoriale dhe shtypëse të lirisë fetare, siç është ligji i shamisë, i cili i varros për së gjalli femrat me shami të vendit tonë, duke i dëbuar nga sistemi me dhunë. Kjo që bëhet në Kosovë është një aparteid fetar dhe ne besojmë se futja e shamisë në Kosovë, është hapi i parë drejt emancipimit të Kosovës dhe dhënies fund të diskriminimit fetar në vendin tonë. Toleranca ndërnjerëzore dhe ndërfetare nuk mund të kultivohet vetëm me fjalë, ajo duhet të jetë e prekshme për çdo njeri. Prandaj kur shohim se përpjekja për të mbrojtur laicitetin e shtetit prodhon dëm më shumë se dobi duhet të ndryshohet vizioni për të krijuar një ambient stabil e paqësor ku secili ushtron të drejtën e tij, natyrisht duke e ditur se ajo mbaron aty ku fillon e drejta e tjetrit.

Express: Së fundmi jeni paditur nga disa persona për shkak të deklaratave tuaja për Nënën Tereze. A i njihni këta njerëz dhe se çfarë mendoni për padinë e bërë ndaj jush?
Shefqet Kraniqi: Për padinë që është bërë kundër meje për fjalët e mia kundër Terezes mendoj se këto akuza janë qesharake dhe cenojnë lirinë fetare në vend. Unë kam thënë çfarë kam thënë për Terezen dhe sipas besimit tonë islam, kush nuk është mysliman, pra nuk e beson Allahun në mënyrën e duhur, e ka vendin në xhehenem. Këtu janë parime kuranore, kështu thotë Kurani, unë nuk mund ta ndryshoj atë, ja lexojeni, e keni para.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›