E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekte të dështuara?

Njëjtë si projekti energjetik Kosova e Re, edhe ai i Hidrocentralit të Zhurit po zvarritet në kohë pa fund. Qeveria tash ka vendos që projektin e Zhurit ta dërgojë edhe një herë në rishikim të fizibilitetit. Interesimi i investitorëve, pas këtyre neglizhencave, po bie për ditë e më shumë. Nga Ismail Gashi më 24 korrik 2011 në ora 15:00

Kosova është duke rishikuar edhe njëherë fizibilitetin e projektit energjetik Hidrocentrali i Zhurit. Përveç kostos, problem tjetër që do të negociohet është marrëveshja me Shqipërinë, e cila tashmë ka filluar projektet e saj energjetike të cilat do të shfrytëzojnë ujërat e përbashkëta. Edhe këtë projekt energjetik po e përcjell fati i atij të Kosovës së Re. Zvarritja e nisjes së procedurave tenderuese.

Qeveria e Kosovës në mandatin e kaluar të saj kishte deklaruar se projekti ka arsye ekonomike dhe si i tillë do të realizohet. Mirëpo, ky prioritet i qeverisë Thaçi do të hyjë përsëri në fazën e rishikimit.

Arbnor Kastrati, këshilltari politik i ministrit të zhvillimit ekonomik Besim Beqaj, ka deklaruar për Express se projekti i HC të Zhurit është në fazën e rishikimit dhe vlerësimit të fizibilitetit.

“Gjithashtu janë duke u vazhduar konsultimet e nevojshme me palën shqiptare rreth disa çështjeve të hapura rreth shfrytëzimit të ujërave konform marrëveshjeve ndërshtetërore në mes të Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë”, tha ai.

Kastrati ka shtuar se njëkohësisht është duke u vlerësuar edhe një herë nevoja e madhësisë së kapacitetit të HC të Zhurit.

Nuk është vetëm çështja e shfrytëzimit të ujërave dhe respektimi i Konventës së Helsinkit për ujërat ndërkufitare, por tani, sipas zyrtarëve të MZHE`së, janë edhe pikëpyetje tjera rreth këtij projekti.

“Dy janë dyshimet kryesore: afati i kufizuar i shfrytëzimit të energjisë së prodhuar nga kjo HE, që është në shpërputhje me investimin e nevojshëm dhe si pasojë e saj çmimi i lartë i energjisë së prodhuar”.

Përderisa në mandatin e ministres së MEM-it, Justina Shiroka Pula, projekti pothuajse ishte i përfunduar, tani nuk flasin asgjë për afate konkrete.

“Tani për tani nuk mund të flitet për afate konkrete, pasi që ende jemi në fazën e vlerësimit, që është parakusht për të ndërmarrë masat tjera që do të çonin deri te fillimi i punëve në implementimin e projektit. Nëse të gjitha analizat plotësuese do të konfirmonin arsyeshmërinë e vazhdimit të projektit, atëherë do të mund të flasim për afate konkrete”, ka thënë Arbnor Kastrati, këshilltar politik i ministrit Beqaj.

Ujërat që do të shfrytëzohen në këtë projekt janë ato të lumit Caljane, Restelice, Brod dhe Plave, të cilët kur bashkohen në territorin e Shqipërisë formojnë lumin Luma të Kukësit. Nëse ndërtohet hidrocentrali i Zhurit, rrjedha e këtyre katër lumenjve do të ndryshoje, çka do të shoqërohej me tharjen e lumit Luma.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Isa Mulaj thotë se investimi në këto kapacitete dhe të gjitha hidrocentralet tjera të identifikuara në Kosovë së bashku nuk siguron më shumë se 9 për qind të energjisë së përgjithshme që i nevojitet Kosovës për konsum.

Duhen 330 milionë euro

Në vitin 2001 ishte kryer studimi parë i fizibilitetit për Hidrocentralin e Zhurit, pas atij të viteve 1970`ta, por që është rishikuar në vitin 2009 nga kompania kroate “Elektro-Projekt Zagreb”. Kapaciteti prodhues i hidrocentralit, pas rishikimit të studimit, është paraparë të rritet për disa megavat.

Kjo rritje ka ardhur për shkak të ndryshimit të trasesë së kanalit. Hidrocentrali i Zhurit parashihet të ndërtohet me një kapacitet prej 305 MW.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›