E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kuvend kërkesa e prokurorisë për Neranxin

Topalli informoi deputetët për mbërritjen në Kuvend të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama "per heqjen e imunitetit të deputetit të grupit parlamentar E majta për Integrim, Nikollaq Neranxi". 

TIRANË-Ka qënë pikërisht Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, që në seancën plenare të sotme informoi deputetët për mbërritjen në Kuvend të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Dokumenti i dorëzuar nga Prokuroria kërkon "heqjen e imunitetit të deputetit të grupit parlamentar E majta për Integrim, Nikollaq Neranxi".
Rregullorja e Kuvendit parashikon shqyrtimin e kërkesës nga Këshilli i Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, që më pas harton një raport që ia përcjell parlamentit për votim.
Kërkesa e Prokurorisë, e publikuar më 13 mars, erdhi pas dyshimeve të organit qendror të akuzës për kontrabandë mallrash nga ana e deputetit Neranxi. Ky i fundit u padit penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme, në janar të vitit 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Si posedues i një subjekti privat të tregtimit të lëndëve ushqimore, Nikollaq Neranxi dyshohet se ka bërë kontrabandë mallrash me vlerë mbi 13 milion lekë të reja. Pas shqyrtimit të materialit kallëzues, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit leje për të ushtruar ndjekjen penale ndaj deputetit të LSI-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›