E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Lekbibaj me helikopter, poshtë borës ka jetë

Komuna Lekbibaj, e pare dje nga helikopteri

Dështon 4 herë sprova për të marrë një të sëmurë.

Uturima e helikave zgjon banorët e izoluar në komunat e Tropojës, hidhen ndihma nga ajri.

Poshtë borës ka jetë. Më në fund, qetësimi i motit ka mundësuar fluturimin e parë me helikopter nga Kukësi në drejtim të fshatrave të thella të izoluara të Lekbibajve dhe Margegajve në Tropojë. Atje ku çdo ditë deklarohen njerëz të humbur, të cilët në të vërtetë janë izoluar pa asnjë lloj komunikimi në shtëpitë e tyre që mezi duken nga lartësia. Në fakt, helikopteri mbi të cilën ndodheshim dhe ne, e pati të pamundur të ulej në Curraj të Epërm dhe në Gegaj, për shkak se trashësia e dëborës ishte shumë e madhe dhe se terreni ishte shumë i papërshtatshëm, duke bërë që ndihmat ushqimore për banorët të hidheshin në dëborë. Po kështu, dhe tentativat e pilotëve për tu ulur në fshatin Gegaj për të marrë një të sëmurë ishin të pamundura. Pritet që në ditët në vijim, me përmirësimin e motit dhe pushimin e reshjeve, të ketë më shumë operacione qoftë nga toka, qoftë nga ajri. Takimi me ekipin e pilotëve është pas tetë muajsh, qëkurse Regjimenti i Helikopterëve të Farkës zhvillonte stërvitjen për emergjencat në kohë dimri, në fakt pa e ditur se dimri i sivjetshëm do të ishte shumë i rrallë. Pas kolaudimit teknik, mbushjes së formularëve, ngarkesës me ushqime dhe padyshim përnjohjes me hartat dhe destinacionit, helikopteri i tipit AB 205, i drejtuar nga vetë komandanti i FA-së të Farkës kolonel Frederik Beltoja lë aeroportin e Kukësit në drejtim të Lekbibajve, zonës më të thellë dhe të izoluar në vend. Pas Kukësit dhe Gjallicës së mbushur me borë, befasia e parë është liqeni i Kukësit. Ai tashmë nuk është një liqen i ngrirë, por në shumicën e tij që shkon drejt digës së Fierzës është krejtësisht i mbuluar nga një trashësi gati një metër me borë sipër akullit. Mbi të ka rënë qetësia dhe sipërfaqja e tij është e njëjtë me gjithë terrenin e mbuluar nga mbretëria e bardhë, që ka mbuluar zonën prej gati një muaji. Ndryshe nga Fierza, vijimi i kaskadës së Drinit më Komanin nuk është e ngrirë. Deri në Lekbibaj është vështirë të shquash shtëpitë e vjetra të braktisura majë kodrave me çatitë e thepisura për ti bërë ballë borës dhe dimrit. Zona e Lekbibajve është braktisur dhe shtëpitë e banuara janë me gishtat e dorës. Nga lartësia e helikopterit shquhen si pika të vogla njerëzit që dalin nga shtëpitë e tyre, thjesht nga uturima e helikopterit. Kanë ditë që kanë shkëputur çdo lidhje me pjesën tjetër të botës. Mungesë komunikimi, ushqimesh e ilaçesh. Në fakt, as ata nuk e dinë se dikush është kujtuar për ta. Akujt gjigandë që varen në shkëmbinj kanë marrë ngjyrë qielli.

Liqeni i Fierzës, i mbuluar nga akullit

Tentativa e parë për tu ulur është në Curraj të Epërm. Në grykën e ngushtë helikopteri sillet si në rreth vicioz. Nga shtëpitë me çati të rënduara, si të shokuar dalin banorë të paktë, të cilët nuk prisnin që dikush në këtë kohë të vështirë tu binte pas. Pilotët bëjnë manovrime të kujdesshme të mirëllogaritura, sepse një gabim i vogël, do të ishte fatalitet. Në një livadh buzë përroit, që duket si vijë e zezë nga lart, do të bëhet ulja e parë. Pilotët arrijnë sa të prekin me këmbët e helikopterit sipërfaqen e borës dhe Ervin Fusha, njëri prej rreshterëve, hap derën pa vënë as këmbën në dëborë dhe lëshon pakot me ushqime me mbishkrimin Rezervat e Shtetit. Ka vaj, sheqer, oriz, makarona e pak detergjentë. Banorët që nuk arrijnë në rrezen e helikave duken si të përhumbur në dëborën që ngre pa pushim helikopteri. Në një lartësi të madhe duken më qartë që në shenjë mirënjohjeje përshëndesin me dorë. Mësohet se ata i përkasin familjeve Prekbibaj dhe Ndrevataj.
Ndalesa tjetër është në shpatin tjetër të malit, ku janë si të ngujuar banorët. Edhe këtu e njëjta procedurë. Më pas fluturimi tretet në anën tjetër, në Margegaj. Në Begaj është e pamundur afrimi me tokën dhe Fusha, si një ushtarak i zoti në situata të tilla, hap derën e helikopterit dhe hedh ushqimet nga një lartësi gati 80 metra. Edhe këtu përshëndetja me dorë gërshetohet nga rendja e një qeni që duket sikur noton në dëborën e madhe për të shkuar i pari e për të marrë dhuratën që i ra nga qielli. Pas një hedhjeje tjetër mësojmë se do të marrim me vete një të sëmurë në Gegaj. Këtu është dhe sprova më e vështirë, sepse katër tentativa për tu ulur janë të pasuksesshme. Sqepi i malit ku ndodhen dy shtëpi, në njërën është një i paralizuar, nuk të lë asnjë shteg për tu ulur. Edhe kuajt e kanë vështirë të mbajnë barrën në këtë vend. Pas një fluturimi në Bajram Currin e mbuluar me 2 metra dëborë, sërish në Gegaj, por më kot. Lugina e Valbonës dhe Margegaj janë tërësisht të bllokuara, Rexhë Biberaj, kryetar i komunës, përditë nëpërmjet telefonit tregon rastet dhe vështirësitë, ndërsa sot ndodhemi pikërisht mbi komunën e thellë. Pas komunikimit me komandantin e helikopterit dhe këmbënguljes së Biberajt, duke treguar rastet që në fakt nuk kanë dallim mes tyre, vjen urdhri për të ndërprerë operacionin. Në fakt ishte një triumf, sepse kjo grykë e mbështjellë me dëborë dhe akull u ça. Njerëzit panë se dikush po mendon për ta. Ne i pamë nga lart ata, i trazuam nga gjumi letargjik ku i ka vërvitur dimri dhe i lamë sërish në fatin e tyre të bardhë, natyrisht prej bardhësisë së dëborës.

2 javë kanë të izoluar totalisht  dhe pa asnjë mjet komunikimi me të afërm të tyre apo pushtetarët vendorë dhjetëra banorë në zona të thella të qarkut të Kukësit. Disa prej tyre janë dhe në thellësitë e Tropojës, aty ku helikopteri arriti të
shkonte dje.

Ekipi i pilotëve shpëtimtarë
Ky grup fluturimi, ku bën pjesë dhe Altin Lama dhe Besnik Buzi, ka kryer të mërkurën një fluturim mjaft të vështirë, duke marrë në Arrën një nënë në prag lindjeje. Ekipi do të jetë edhe disa ditë të tjera në bazën e improvizuar në shërbim të banorëve, thotë komandanti Frederik Beltoja. Nga dita e djeshme ka mbetur peng pamundësia për të tërhequr të sëmurin nga Gegaj, për shkak të terrenit tejet të vështirë.

Aeroporti i Kukësit, baza e operacioneve
Pista e aeroportit të Kukësit është kthyer në një bazë furnizimi dhe operacionale për situatën e krijuar nga reshjet e mëdha të dëborës dhe temperaturat e ulëta. Në aeroport janë stacionuar makineritë e ushtrisë, autoambulancat, borëpastrueset dhe helikopteri, së bashku me një personel të përgatitur për dhënien e ndihmës së parë, qoftë në rast bllokimi, izolimi, ndihmën shëndetësore dhe shpërndarje të ushqimeve nga toka dhe ajri.
Nga i dërguari ynë, JONUZ HALLAÇI

Ndihma për familjen e ngujuar
Një organizatë që vepron në Shkodër është kujtuar për të ndihmuar në këto ditë të vështira edhe një familje të ngujuar në fshatin Mazrek, komuna Gur i Zi në Shkodër. Nëpërmjet organizatës Maltezer ndihmon në Shqipëri, i janë dërguar ushqime kësaj familjeje ditën e djeshme. Transporti i ushqimeve është bërë nga mjetet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Shkodër.

Librazhd, gjendet në Sopot familja e zhdukur
Një familje prej nëntë anëtarësh ësh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›