Paolo Rago: Si e përvetësoi Kanunin Enver Hoxha

Paolo Rago
U prezantua dje libri i studiuesit italian.
Një libër që trajton traditën, nacionalizmin dhe komunizmin në Shqipërinë bashkëkohore.
Të mësuar me trajtimet militante, ku në varësi të bindjeve politike, majtas apo djathtas, njëra palë nxin tjetrën, studiuesi italian Paolo Rago na vjen si një zë tërësisht asnjanës.
Të qenit i huaj e bën atë të ftohtë, por duke qenë nga një vend fqinj, nuk i mungon ndjeshmëria. Libri Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore, i përkthyer nga Agim Doksani, një botim i shtëpisë botuese Dudaj, u promovua dje në Tiranë. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ambasadori italian në vendin tonë, Masimo Gaiani, shefi i Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Klaijv Rumbold, drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, profesori Augusto DAngelo i universitetit La Sapienca, Avokati i Popullit, Igli Totozani, studiues dhe historianë. Ai e shikon Shqipërinë nga larg, por njëkohësisht edhe nga afër, në raportet me të tjerët dhe raportet brenda nesh, në keqkuptimet midis asaj se si ne e gjykojmë veten tonë dhe se si na gjykojnë të tjerët, – pra në një pozicion sa komod, aq edhe të vështirë, duke ofruar një nga botimet më të arrira në trajtimin e çështjeve të tilla, tha Presidenti Topi, duke shprehur një falënderim për të gjithë ata historianë të huaj, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për zbardhjen e historisë së Shqipërisë. Libri Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore ngërthen një hark të gjerë kohor, gjatë të cilit nuk shihet historia shqiptare

Gjatë promovimit të librit të Paolo Rago
vetëm në mënyrë vertikale. Rago tenton të hyjë thellë në mentalitetin e shqiptarëve, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë në librin e tij traditës, të drejtës kanunore, fesë, miteve, gjuhës dhe përmes tyre ai përpiqet të shpjegojë ngjarje të mëdha në Shqipëri, në veçanti instalimin e komunizmit. Ku u mbështet Enver Hoxha për të vendosur diktaturën dhe për të forcuar pozitat e tij, si i shfrytëzoi anët e errëta të Kanunit, mentalitetin patriarkal, duke shkatërruar klanet fisnore dhe duke ngritur një tjetër klan, atë partiak. Si e shfrytëzoi origjinën e lashtë të shqiptarëve duke impenjuar të gjitha forcat e historianëve dhe të studiuesve. Ai fuqizoi mitin e Skënderbeut etj. Më shumë se një paraqitës faktesh, Rago është një analist i tyre. Fakti që prej 20 vitesh ai jeton në Shqipëri, ka shtetësi shqiptare, i angazhuar në detyra të rëndësishme pranë UNICEF-it, Bankës Botërore etj., ai ka arritur të kuptojë shumëçka nga natyra e shqiptarëve. Kjo e ka ndihmuar që tu shkojë disa çështjeve në origjinë apo të hedhë disa teza interesante, siç është ajo formulës së Trinisë së Shenjtë, të përdorur nga diktatori Enver Hoxha (Enver-Parti-Pushtet). Më poshtë, nga libri Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore, kemi shkëputur pikërisht dy pjesë që hedhin dritë mbi këtë tezë dhe raporti i komunizmit me Kanunin e Lek Dukagjinit, me mënyrën se si u përdor ky i fundit dhe si u ngrit klani i ri, i ngritur jo më mbi baza fisnore, por partiake.
* * *
Pjesë nga libri
Diktatori
…Enver Hoxha ishte i vetmi që kishte tagrin të përpunonte ideologjinë zyrtare të Partisë, të përkufizuar në mënyrë të thjeshtëzuar si enverizëm, përfaqësuese të një interpretimi kryekëput të lirë të doktrinës komuniste me ndikim nacionalist. Filozofia që qëndron në themel të saj bazohej në faktin që ndërmjet masave, të udhëhequra nga Partia, dhe udhëheqjes, të lindte një komunikim frytdhënës, i frymëzuar dhe i udhëhequr nga themeluesi, duke u mbajtur për këtë rol mesianik që ngërthente si mishërim i fjalës së shenjtë marksiste-leniniste në Shqipëri. Sipas interpretimit të autorizuar të klasës drejtuese, me qëllim që të shmangen gabimet e vendeve të socializmit real, qarkullimi
i mendimit nuk duhet të ndodhte vetëm në një kah, me një fjalë, vetëm nga lart-poshtë, por edhe anasjelltas. Pra, nuk ishte vetëm Partia nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm që përcaktonte vijën udhëheqëse, duke i bërë kështu masat të vetëdijshme për detyrat dhe detyrimet e tyre, por ishte vetë populli që u shprehte udhëheqësve dhe përgjegjësit më të lartë kërkesat dhe pritshmëritë e tij, në përputhje me parullën e njohur: Çdo populli bën Partia dhe çthotë Partia bën populli. Përhapja e doktrinës enveriste dhe kalimi i informacioneve ndërmjet popullit, partisë dhe udhëheqësit të saj, fitonte në këtë mënyrë një karakter vazhdimësie të pandërprerë dhe një efektshmëri të padiskutueshme. Por, nëse vëzhgohet me vëmendje leksiku i përdorur për të përshkruar unitetin e pandashëm ndërmjet Enver Hoxhës, popullit dhe Partisë (Enverpopull-Parti), ska se si të mos bjerë në sy përdorimi i një shprehjeje trinie të ngjashme me gjasa jo krejt rastësore me nocionin e Trinisë së krishterë (Atë-Bir-Shpirt i Shenjtë). Me qëllim që ta bënte më të përvetësueshme doktrinën socialiste për masat e fshatarëve analfabetë, sidomos për ata të fesë së krishterë, që pa dyshim ishin krejt të zhveshur nga parimet marksiste, por jo krejt të paditur në kulturën fetare, përdorimi i figurës së trinisë nuk u shpërfill nga Partia. Qëllimi ishte që në opinionin publik të arrihej uniteti i tërë popullit rreth udhëheqjes, duke u shkrirë e bërë një me themeluesin e saj. Duke pasur parasysh të tilla parakushte, krahasimi me Trininë e Shenjtë nuk tingëllon i pavend. Të paktën në një fazë fillestare, enverizmi u shfaq si një metodë komunikuese bindëse, duke e zbuluar veten si një ndërmjetës të nevojshëm për të arritur unitetin e lakmuar ndërmjet popullit dhe kreut, unitet që duhet të ishte i çeliktë. E shpallur si e vërteta më e madhe që rridhte nga zbatimi shkencor i mendimit të dy ideologëve më të mëdhenj të socializmit, Marksit dhe Leninit, enverizmi u përhap nga Byroja politike e Partisë, strukturë e kontrolluar nga diktatori dhe e vetmja nën udhëheqjen e tij që ishte e autorizuar të zotëronte monopolin e interpretimit të marksizëm-leninizmit.
Cilido qoftë gjykimi i historisë për njeriun dhe politikanin Enver Hoxha, do të ishte gabim të mos i jepej rëndësi ndryshimit
rrënjësor që pësoi Shqipëria pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore. Vendi mori një dukje më moderne dhe hyri në marrëdhënie më të shumta me botën e jashtme, më shumë nga çkishte ndodhur deri atëherë. Lidhur me këtë, Emanuela Fabretti shkruan: Regjimi i Hoxhës, në përpjekjen për të vendosur një kohezion të brendshëm që do të sillte ndërtimin e një shteti kombëtar (nëpërmjet frymës së ndezur nacionaliste), solli gjithsesi një zgjerim të pushtetit shtetëror, një përmirësim në drejtim të një homogjeniteti shoqëror dhe krijoi një sistem Welfare-i minimal për të gjithë. Gjithashtu u shënuan përparime në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe n