Pafajësia e Metës, ja vendimi i plotë i Gjykatës

Videoja Meta-Prifti
Katër gjyqtarët: Fakti i denoncuar nuk ekziston.
U shkel ligji me ekspertin amerikan, videoja Meta-Prifti, jo origjinale
Gjykata e Lartë zbardhi dje arsyetimin e vendimit të 16 janarit 2012, që shpalli të pafajshëm ish-zv.kryeministrin Ilir Meta për akuzën e korrupsionit. Argumentimi u publikua një muaj pasi Kolegji Penal vendosi unanimisht deklarimin e pafajshëm të Metës për akuzat e ngritura ndaj tij, pas publikimit të një videopërgjimi të një bisede mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti. Sipas arsyetimit të Gjykatës së Lartë, materiali audio-video Meta-Prifti i ekspertuar nuk ishte origjinal. Po sipas Gjykatës, materiali nuk përmbush kushtet për tu konsideruar provë materiale dhe se dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria nuk mundëson qartësimin e rrethanave të faktit që pretendohet të përmbahen në të. Arsyetimi i vendimit në fjalë përbëhej nga një material prej 84 faqesh në total. Në këtë material voluminoz, pesë gjyqtarët paraqisnin arsyetimin e verdiktit të tyre dhe relatori Ardian Dvorani bënte të ditur qëndrimin e tij me një mendim paralel. Në vendimin e zbardhur Kolegji rrëfente seancë pas seance arsyetimet e të gjitha momenteve të vendimmarrjes, që prej depozitimit të dosjes ndaj Metës në Gjykatë më 9 maj 2011 e deri më mbyllje të gjykimit. Gjykimi i dosjes në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta në Gjykatën e Lartë u realizua nga një Kolegj Penal ku kryesues ishte gjyqtari Ardian Dvorani dhe anëtarë gjyqtarët Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj. Më poshtë publikohen argumentet kryesore të vendimit të Gjykatës së Lartë (shumica).
Vendimi
Në diskutimin e saj përfundimtar, Prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të Metës dhe dënimin e tij me 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, rezultonte e provuar se Ilir Meta, më 1 mars 2010, në një bisedë që kishte pasur me Dritan Priftin, i ka propozuar këtij të fundit të favorizonte në garën koncesionare që zhvillohej për ndërtimin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë, Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive Vëllezërit Tola sh.p.k., për një investim me një vlerë rreth 65 milionë euro, duke i premtuar si shpërblim të kundërligjshëm shumën prej 700 mijë eurosh dhe 7% të aksioneve, si dhe ndërhyrjen për të favorizuar shoqërinë Halilaj Holding Group sh.a. në ankandin për Shitje të një sasie prej 30 mijë tonësh naftë bruto të prodhuar nga shoqëria Albpetrol sh.a. Për këtë të fundit, sipas dëshmitarit, nga i pandehuri Ilir Meta i është ofruar një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion dollarë, që do të ndaheshin mes tyre.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të ish-zv.kryeministrit Meta, në diskutimin e tyre përfundimtar kërkuan deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta, pasi sipas tyre, fakti nuk ekzistonte. Në vijim paraqiten argumentet e Kolegjit Penal referuar vendimit të Gjykatës.
EKSPERTËT E HUAJ
Në vendimin e zbardhur arsyetohej vendimi i ndërmjetëm i Kolegjit Penal për pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmëri relative dhe papërdorshmëri të akt-ekspertimeve të videos Meta-Prifti të ekspertit amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar, Adrian Philips. Sipas Kolegjit Penal, ky ekspertim ishte kryer në shkelje të dispozitave ligjore përkatëse dhe mosveprimit të Prokurorisë në përputhje me Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale. Sipas argumentimit të Gjykatës, Prokuroria ka shmangur Ministrinë e Drejtësisë. Kjo, pasi ekspertimet nuk ishin kryer nëpërmjet letër-porosive për jashtë shtetit, si edhe u ishin ngarkuar detyra në rrugë jo zyrtare. Duke pranuar si ekspertë persona privatë të huaj, si dhe duke u ngarkuar detyra e marrë mendimin e tyre në rrugë jo zyrtare, jashtë detyrimeve ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale, organi i akuzës i ka përjashtuar ekspertët realisht nga çdo përgjegjësi, aq më tepër nga përgjegjësia penale që mund të mbajnë sipas ligjeve përkatëse në rastin e veprës penale të ekspertimit të rremë. Nëse organi i akuzës do të kishte ndjekur rrugën ligjore të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale, në Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale, si dhe në ligjin nr. 10193, datë 03.12.2009 Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështje penale, ekspertët e huaj duhej të bënin betimin dhe të merrnin përgjegjësinë përpara organit kompetent të shtetit të tyre, gjë që do të shërbente si garanci që ekspertimi do të ishte i saktë, thuhej në vendim.
VIDEOJA JO ORIGJINALE
Në arsyetimin e vendimi citoheshin përfundimet e akt-ekspertimit shkencor të videos Meta-Prifti nga tre ekspertët shqiptarë, sipas të cilëve, në objektin e ekspertimit provë materiale orë nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës Meta-Prifti, por u gjet një material tjetër audio-video. Bazuar në konkluzionet e ardhura nga ekspertët, Kolegji Penal vlerëson se materiali audioviziv që iu nënshtrua ekspertimit nuk është origjinal. Në këtë material audioviziv u vërtetua mundësia dhe probabiliteti i lartë i ndërhyrjeve në përmbajtje si rezultat i anomalive të pashpjegueshme. Ndërkohë që cilësia e tij është nën nivelin shkencor të kuptueshmërisë së përmbajtjes së tij. Mbi këtë bazë, Kolegji Penal vjen në përfundimin se ky material, me përmbajtje një regjistrim audioviziv ku pretendohet të përmbahet një bisedë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti, nuk përmban gjurmë të vlefshme dhe nuk përmbush kriteret ligjore për tu konsideruar provë materiale. Nga ana tjetër, dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria e tij nuk mundësojnë qartësimin e rrethanave të faktit që pretendohet se mund të përmbahen në të. Si përfundim, Kolegji Penal vlerëson se, nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e administruara e të çmuara në gjykim, nuk rezulton e provuar që në bisedën e datës 01.03.2010 mes dëshmitarit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta, ky i fundit ka kërkuar të ndikojë në mënyrë të paligjshme dhe ti ofrojë dëshmitarit Dritan Prifti një shpërblim prej 700 mijë eurosh dhe 7% të aksioneve të subjektit Bashkimi i Përkohshëm Vëllezërit Tola sh.p.k., për të favorizuar këtë subjekt në fitimin e konkurrimit publik për dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë, thuhej në vendimin e Gjykatës. Në vijim Gjykata arsyetonte rrëzimin e pretendimeve të Prokurorisë së në bisedën e 1 marsit 2012, ish-zv.kryeministri Meta ti kishte kërkuar Dritan Priftit favorizimin e shoqërisë Halilaj Holding Group sh.a. në ankandin për shitjen e një sasie prej 30 mijë tonësh naftë bruto të prodhuar nga shoqëria Albpetrol sh.a., duke i ofruar edhe një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion USD për ti ndarë së bashku. Kolegji Penal vëren se vetëm dëshmitari Dritan Prifti bën deklarime, sipas të cilave, në bisedën e tij të datës 01.03.2010 me të pandehurin Ilir Meta, çështje tjetër e diskutuar mes tyre ka qenë ajo e ecurisë së procedurave të ankandit të shitjes së një sasie nafte nga Albpetrol sh.a., si dhe ndërhyrja e hapur për të favorizuar në këtë garë shoqërinë Halilaj Holding Group sh.a., me aksioner të vetëm shtetasin Bekim Halilaj, një mik i afërt i të pandehurit Ilir Meta dhe i LSI-së, nëpërmjet shtyrjes dhe anulimeve të datave të ankandit për shkak të frikës nga konkurrenca dhe kërkimit të avantazheve (marrjes me qira të një rafinerie të ARMO sh.a.), madje kundrejt një përfitimi prej 1 milion USD për tu ndarë mes dy bashkëbiseduesve, arsyetohej në vendim. Sipas arsyetimit të Kolegjit Penal, edhe në këtë rast, regjistrimi audioviziv i realizuar nga Prifti dhe dëshmia e tij në Gjykatë nuk ka