Në Nju Jork, “Vatra” dhe Bota Sot pritën publicistin Fahri Balliu, botuesin e gazetës “55”

Gjatë vizitës në Nju-Jork, publicisti i njohur Fahri Balliu, botuesi i gazetës “55”, u prit në shtëpinë e Vatrës, nga kryetari i saj z. Agim Karagjozi dhe n/kryetari i saj dr.Gjon Buçaj. Në pritje morën pjesë edhe anëtarë të tjerë të kryesisë së Vatrës, veprimtarët Zef Balaj, Idriz Lamaj, Zef Përndocaj dhe Musli Mulosmani. Takimi qe i ngrohtë dhe rivilatizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes vatranëve dhe publicistit Fahri Balliu, botuesi i gazetës “55”, një figurë e respektuar në gjirin e vatranëve.
Në shtëpinë e Vatrës, kryetari i saj Agim Karagjozi, i përcolli zotit Balliu mirënjohjen e thellë dhe vlerësuese që "Vatra"- siç u shpreh ai, kishte për punën e madhe që ka bërë Balliu në favor të së djathtës shqiptare, patriotizmit, demokracisë dhe në dobi të Atdheut e popullit shqiptar, sidomos me librat e tij, por edhe me gazetën “55”. Në falenderimin e Vatranëve, përmendi zoti Karagjozi, bën pjesë edhe nderimi që kanë "Vatra"-nët për librin “The Ghoulish Lady - Nexhmije Hoxha” - “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Vetë Balliu, tha se vizita tek shtëpia e Vatrës, ishte një dëshirë e hershme tij për një takim me "Vatra"-nët. Me këtë rast, për nder të publicistit të njohur Fahri Balliu, Vatra shtroi një darkë nderi në Nju-Jork.
Në "kryeqytetin" e shqiptarëve të Amerikës, Nju-Jork, zoti Balliu bëri edhe një vizitë në redaksinë e gazetës “Bota Sot”, ku u prit nga redaktori përgjegjës për SHBA-në, z Gervish Jajhaga.
Publicisti Balliu vizitoi gjithashtu bibliotekën dhe koleksionin historik të gazetës "Dielli", organ i "Vatra"-s, gazetë, e cila sapo ka festuar 100-vjetorin e daljes së numrit të parë të saj. Pritja që iu rezervua Balliut nga Vatra dhe redaksia e gazetës kombëtare “Bota Sot”, ishte mjaft e ngrohtë. Midis krerëve të "Vatra"-s dhe publicistit të njohur Fahri Balliu, u fol për pavarësinë e Kosovës, çështjen shqiptare, si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Krerët e Vatrës thanë se në këto zgjedhje ata do t'i japin mbeshtetjen pa rezerva kryeministrit Berisha dhe forcave të djathta në Shqipëri. Ata vlerësuan arritjet e Shqipërisë gjatë këtij mandati, sidomos anëtarësimin në NATO dhe ndërtimin e rrugës - siç u shprehen ata arteries kombëtare - Durrës - Kukës, Morinë. "Kjo Federatë, tha kryetari i Vatrës, z Agim Karagjozi, i dha përkrahje të madhe për 100 vjet me radhë, çështjes kombëtare në mërgim. Vatra, luftoi dhe kontribojë pa rezerva, se për tetëmbëdhjetvjet, për demokracinë në Shqipëri . Vatra ishte e pandryshuar gjatë gjithë historisë së saj në qëndrimet për rrëzimin e komunizimit dhe dhënjen fund të sundimit diktatorial të Enver Hoxhës".
Gjatë takimit që zgjati më shumë se dy orë, bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamjet e tyre edhe lidhur me zgjedhjet e afërta parlamentare në Shqipëri.
Në përfundim të takimeve, publicisti Balliu u shfaqi mikpritësve falënderime të përzemërta, duke e vlerësuar Vatrën patriote, që kishte bërë shumë për atdheun dhe kombin shqiptar.
...