Në 5-10 vjet, Shqipëria do jetë një surprizë e heshtur e Ballkanit Perëndimor

Olli Rehn mbështet kandidaturën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke i cilësuar si mbresëlënëse rezultatet në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar
“Shqipëria ka bërë përparime në rrugën e reformave si dhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar... Është e mundshme që në pesë ose dhjetë vitet e ardhshme ajo të shndërrohet në një surprizë të heshtur të Ballkanit Perëndimor”. Komisioneri i zgjerimit Olli Rehn, e mori në mbrojte kandidaturën e Shqipërisë, duke shprehur edhe vlerësimet më të larta. Ai e bëri këtë gjatë një simpoziumi me rastin e pesë-vjetorit të raundit të parë të zgjerimit të BE-së. Në këtë simpozium Rehn tha se Shqipëria ka të drejtë të shtrojë kërkesën për anëtarësim. “Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë përparime në rrugën e reformave si dhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deri diku ka vuajtur nga imazhi i keq i së kaluarës. Por është e mundshme që në pesë ose dhjetë vitet e ardhshme ajo të shndërrohet në një surprizë të heshtur të Ballkanit Perëndimor”, tha komisioneri Rehn. Në fjalimin e mbajtur në përfaqësinë e Komisionit Evropian në Berlin Olli Rehn theksoi se zgjerimi i BE-së ka sjellë përfitim për të dyja palët. Mbas dorëzimit të kërkesës për kandidat, procedura kërkon që 27 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, të ngarkojnë komisionin me hartimin e një raporti, i cili do të shërbejë si bazë për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit.
...