Në PD janë rebeluar dhe tre deputetë (?!)
Një diskutim interesant me dyer të mbyllura në grupin e PD. Sherefedin Shehu: Banorët në Dibër janë në pikë të hallit, janë të izoluar. Berisha: Gjithçka është nën kontroll
Tre deputetë të Partisë Demokratike janë rebeluar brenda grupit të PD. Kështu raporton e përditshmja pro- qeveritare GSH. Rebelimi i tyre konsiston në ankesat që i kanë bërë kryeministrit Sali Berisha për legalizimet, emergjencat dhe rrugët. Për të treguar se mbledhja e grupit nuk është si mbledhje e Byrosë Politike, mazhoranca po përpiqet të tregojë se aty ka diskutim. Gazeta Shqiptare ka zbardhur këtë rebelim. Ndiqni më poshtë debatin e sjellë nga GSH:
Florion Mima: Z.Kryeministër, unë kam një shqetësim që ka të bëjë me 1500 familje në zonën e Shkozës. Kanë që në kohën e Enverit që nuk marrin dot tapitë e shtëpive. Gjykoj se do ishte mirë që ky problem të zgjidhej.
Sali Berisha: Po merremi me atë problem, por së shpejti do ndahet si zonë kadastrave dhe një pjesë mund të kalojë me Linzën, Dajtin dhe sapo të bëhet ndarja do të fillojë menjëherë zgjidhja e tapive të tyre. Ata banorë do ti bëjnë të tyret shtëpitë, ta premtoj këtë.
Sherefedin Shehu: Z.Kryeministër, për shkak të dëborës së madhe, ka disa zona në qarkun e Dibrës që vazhdojnë të jenë tërësisht të izoluara dhe që nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Kanë mbetur të bllokuara. mendoj se do të ishte mirë që të diskutohej edhe me OJQ-të, që të mblidhnim ndihma për tu ardhur në ndihmë, pasi situata vazhdon të jetë e përkeqësuar.
Sali Berisha: Unë nuk mund të urdhëroj OJQ-të, nuk është në dorën time kjo, por ne kemi çuar ndihma edhe në qarkun e Dibrës, sipas kërkesave të kryekomunarëve dhe kryepleqve. Po ka disa prej tyre që nuk kanë kërkuar ndihma dhe pa kërkuar ata nuk kemi si të bëjmë. Gjithsesi situata është nën kontroll dhe do ti qëndrojmë pranë çdo banori që ka nevojë jo vetëm në Dibër, por edhe në çdo zonë tjetër të bllokuar nga dëbora.
Sherefedin Shehu: Kisha dhe një shqetësim tjetër, që ka të bëjë me subvencionimin e arrorëve…
Sali Berisha: Do timarrin të gjitha paratë, pa problem, do të zgjidhet kjo çështje.
Lefter Maliqi: Z.kryeministër, unë kisha si shqetësim problemin e rrugës Lushnje- Berat, që të përfundojnë punimet mos të mbeten në mes…
Sali Berisha: Z.Maliqi, po punohet dhe do të mbyllet brenda afateve