“Në PS shtrydhet mendimi ndryshe, kryetari ‘eliminon’ kundërshtarët”
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet se partia opozitare, PS-ja vuan nga mungesa e mendimit të lirë dhe respektimit të rregullave statusore. Deklarata vjen nga sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama, i cili deklaroi se mos angazhimi i PS-së në miratimin e ligjeve dhe reformave, tregon krizën e brendshme si pasojë e ndrydhjes së mendimit ndryshe dhe eliminimit të kritikëve.
“Lidhur me vendimet e PS-së, ato janë vendime të kushtëzuara nga interesat e kësaj trupe duke impenjuar edhe grupin parlamentar, pasi PS nuk është një parti që funksionon mbi bazën e atributeve statusore dhe nuk ka një hapësirë të atyre personave që mendojnë ndryshe nga kryetari. Kësisoj, kritikët vihen lehtë në shënjestër të lidershipit”, tha Rama.
Sipas tij, partitë janë institucione të cilat kanë rregulla, dhe traditë demokratike.
Duke iu referuar rritjes së pensioneve, Luan Rama vuri në dukje se LSI ka ndikuar në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
“Pas vendimit të qeverisë për rritjen e pensioneve ka ndikuar edhe LSI”- tha ai.
I pyetur për zgjedhjet lokale, ai tha se ato janë shumë pranë, dhe se jemi në kufijtë kohorë që lejojnë optimumin e mundësive për të bërë ndryshimin në kodin zgjedhor, por që nuk ka një detyrim ligjor që nuk lejohen ndryshime gjatë gjashtë muajve të fundit.
“LSI ka shpallur prioritet kodin zgjedhor, dhe se transparenca e zgjedhjeve duhet kodifikuar në ligj, dhe në qoftë se PS ka shqetësim transparencën, këtë duhet ta bëjë në Kuvend”, deklaroi më tej Luan Rama.