Rama dëshmoi se ndan mendimin e etërve të tij për mizoritë e kryera ndaj shqiptarëve
Reagon Partia Demokratike
Partia Demokratike reagoi dje ndaj konferencës 1 orëshe për shtyp të Edi Ramës, në të cilën ai shqipëroi shpifjet më të pazakonta për ekonominë e vendit, por nuk iu referua për asnjë moment veprës maratonomake të shqiptarëve 20 vjet më parë, të cilën sollën shembjen e regjimit dhe rikthimin e Shqipërisë në vlerat e përbashkëta evropiane. Përmes zëdhënëses së saj, PD u shpreh se përmes këtij qëndrimi Rama dëshmon se ndan të njëjtin mendim me etërit e tij.
“Sot Edvin Rama, në datën 2 korrik, ditën kur 20 vjet më parë të rinjtë shqiptarë shembën murin e Berlinit në Tiranë kurse bllokmenët u vërsulën me tërbim dhe mizori kundra tyre, në ligjëratën e tij prej 1 ore, me heshtjen në të cilën nuk shqipëroi asnjë fjalë të vetme për 2 korrikun, dëshmoi se ndan për këtë ngjarje historike mendimin dhe qëndrimin e etërve të tij. Të dalësh para mediave në datën 2 korrik, të shpifësh e të trillosh 1 orë për ekonominë e vendit pa asnjë fakt e argument dhe të mos shqipërosh asnjë fjalë të vetme për veprën e maratonomakëve të lirisë së shqiptarëve, do të thotë se ruan ndaj tyre frikën, tmerrin dhe urrejtjen që ata u kallën etërve të tij. PD u bën thirrje shqiptarëve të shtrojnë pyetjen: Se cilat janë arsyet dhe çfarë fshihet prapa heshtjes së Ramës ndaj kësaj ngjarje madhore në historinë e demokracisë shqiptare? çfarë e detyron këtë njëri që në konferencën e tij të gjatë e të mërzitshme të shtypit të mos guxojë të zërë me gojë 2 korrikun, heroizmin, guximin dhe trimërinë e autorëve të tij? Duke dënuar këtë qëndrim të Ramës ne i bëjmë me dije këtij shoku apo zotërie se drita dhe vepra e 2 korrikut s’do mund të zbehen kurrë nga bllokmenët e rinj që kryeson sot Edvin Rama”, deklaroi zëdhënësja e selisë së PD-së.