E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha viziton ekspozitën në kujtim të ngjarjes së 2 korrikut ’90

Në vazhdim të aktiviteteve që po zhvillohen në Tiranë në përkujtim të ngjarjeve të 2 korrikut të vitit 1990, kryeministri Berisha vizitoi ekspozitën me fotografi dhe dokumente, dëshmi e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Ekspozita, e çelur nën kujdesin e kryeministrit Berisha dhe e përgatitur nga Universiteti Europian i Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, risjell në kujtesën e çdo shqiptari, përmes fotografive dhe pamjeve filmime, dokumenteve të ndryshme dhe raportimeve të strukturave të regjimit të kohës, 2 korrikun e vitit ’90, kur mijëra qytetarë shqiptarë kapërcyen muret e ambasadave të huaja, të akredituara në Tiranë, në kërkim të lirisë. Kjo ekspozitë do të paraqitet edhe në universitete dhe mjedise të tjera. Kryeministri Berisha, duke përshëndetur çeljen e kësaj ekspozite, u shpreh se kjo është një ditë e madhe, një ditë e shënuar në përpjekjen e shqiptarëve për liri dhe dinjitet njerëzor. 2 korriku shënon rënien e murit të Berlinit në Tiranë, rënien e murin të Berlinit në diktaturën më të egër që Europa ka njohur në historinë e saj, në vendin e regjimit më opresiv, më shtypës, regjimit që zhyti Shqipërinë në izolimin më të thellë, mjerimin më të madh, kolektivizmin dhe monizmin më total. “I theksova këto vetëm për të vënë në dukje se cila ka qenë guximi dhe trimëria e atyre qindra e mijëra të rinjve dhe të rejave të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, që në 2 korrik, vendosën të ndjekin shembullin e qytetarëve të Gjermanisë Lindore dhe qytetarëve të vendeve të tjera, por në kushte shumë të pabarabarta. Ritheksoj këtu se regjimi hoxhist burgosi, persekutoi, ekzekutoi dy herë më shumë se të gjitha regjimet komuniste, përveç Bashkimit Sovjetik, të marrë së bashku. Në këtë vend, në një kohë kur qytetarët gjermanë çmontonin murin e Berlinit dhe vende të tjera me radhë ecnin drejt zgjedhjeve të lira, në sheshet e Shqipërisë ekzekutoheshin, vareshin disidentë. Këta të rinj, të cilët në tërësi, në aspektin shoqëror ishin anonimë, ishin djem e vajza të thjeshtë që punonin në punishtet, uzinat dhe fabrikat e vendit dhe ndër ta, të paktë intelektualë të skajuar, ishin të profesioneve të ndryshme, të nivelit të ndryshëm arsimor, por të gjithë ata ishin vëllezër e motra në një guxim të pashembullt. Ata u ngritën me një heroizëm dhe trimëri, e cila zgjoi një popull të tërë, por mesazhi i tyre pati një jehonë të gjerë europiane dhe botërore. Atyre që menduan se shqiptarët nuk do të mund të çlirohen për shkak të indoktinimit të tyre të thellë, varfërisë dhe mjerimit që dobëson më shumë se çdo gjë tjetër qenien njerëzore, gulakëve të panumërta në vendin e tyre, djemtë e vajzat, të rinjtë e Tiranës, më 2 korrik, u dhanë mesazhin tjetër, ne jemi këtu për t’u bashkuar me ju. është një mirënjohje e madhe ndaj tyre, por mirënjohje e madhe edhe ndaj të gjithë misioneve diplomatike të asaj periudhe, të cilët hapën dyert e ambasadave të tyre, në një akt historik, për të ndihmuar shqiptarët, që ata të ecnin në rrugën e lirisë. Diplomatët gjermanë dhe diplomatët e vendeve të tjera mike, ditë e natë, atë dhjetëditësh të fundit të qershorit dhe fillim korriku, u bënë një me protestuesit, bënë çdo gjë për mbrojtjen e tyre, me dispaçet e tyre, i bënë të qartë botës të vërtetën e madhe të Tiranës së 2 korrikut. Ndaj le t’u shprehim atyre mirënjohjen, sepse pa kontributin dhe angazhimin tyre, 2 korriku do të kish qenë i vështirë të realizohej. Edhe një herë nderim të madh për guximtarët, trimat e 2 korrikut, familjet e tyre dhe të gjithë ata që bënë të mundur këtë datë të madhe, këtë ngjarje të madhe në historinë tonë kombëtare”- vlerësoi kryeministri Sali Berisha.


Kreu i qeverisë viziton familjen e Artin Bashës, i cili humbi jetën, teksa më 2 korrik ’90, përpiqej të hynte në ambasadën Gjermane Kryeministri Berisha vizitoi sot familjen e Artin Bashës, i cili humbi jetën teksa më 2 korrik të vitit 1990, përpiqej të hynte në ambasadën gjermane. Kryeministri Berisha i shprehu nderimet e tij nënës dhe familjarëve të Artinit. “Artin Basha ra 20 vjet më parë, për t’u bërë i pavdekshëm, nga plumbat e policisë dhe Sigurimit të Shtetit, në përpjekjen e tij për t’u bërë i lirë. Artini ishte një i ri si qindra e mijëra të tjerë, të cilët, në një kohë terrori dhe shtypje mizore, guxuan dhe morën vendimin më të mençur, më të guximshëm, të luftojnë për lirinë e tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri e cilësoi vrasjen e Artinit në muret e ambasadës gjermane një akt kriminal të shëmtuar dhe përpjekjen e regjimit për të manipuluar këtë ngjarje. “Vrasja e tij në muret e ambasadave ishte një akt kriminal i shëmtuar, por po kaq e shëmtuar ishte përpjekja e diktatorit dhe sejmenëve të tij për të manipuluar, për të fajësuar ambasadën gjermane për vdekjen e tij, e cila në të vërtetë e dërgoi atë në spital që në minutat e para, pas plagosjes dhe nuk e mbajti ditë të tëra, siç u përpoq diktatori Ramiz Alia ta paraqesë atë, në mbledhjen e intelektualëve”, u shpreh Kryeministri. Duke e konsideruar 2 korrikun, një ditë të madhe në historinë e vendit, Kryeministri Berisha u shpreh “sot është një ditë në të cilën djem dhe vajza të thjeshtë, familjarë, njerëz që siguronin kafshatën e gojës me një mundim shumë të madh ose ishin të papunë, u dëshmuan se, pavarësisht nga ky anonimat, ata përbënin guximtarët e kombit, se, pavarësisht nga moshat e tyre, pavarësisht nga profesionet, ata të gjithë ishin vëllezër dhe motra në guximin e madh. Dhe e vërteta është se me atë guxim dhe trimëri, hapën rrugën e lirisë”. Kryeministri Berisha, shprehu përuljen me nderim të madh ndaj Artin Bashës dhe nderoi njëkohësisht edhe sakrificën sublime, trimërinë, guximin dhe heroizmin e djemve dhe vajzave të 2 korrikut të vitit ’90.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›