E Diel, 1 Nëntor 2026

Në QSUT Antena zbulon një kartelë mjekësore me diagnozë ÇP

Antena brenda familjes

Korrespondenti i Antenës ishte dje në qendrën spitalore për të parë reagimet nga ndryshimet në qeveri. Duke u sjellë rrotull kartotekës, korrespondenti pa një punonjëse që po hidhte poshtë një tufë letrash të vjetra. I bërë kurioz se ç’kishte në to, korrespondenti ynë konstatoi se ishte thjesht një kartelë e vjetër. Emri i të sëmurit ishte grisur dhe kishin mbetur vetëm faqet e brendshme. Dokumenti i çuditshëm ishte thjesht një kartelë mjekësore.

Korrespondentit i tërhoqi vëmendjen sidomos diagnoza e çuditshme vetëm me dy shkronja si targë makine dhe u bë kurioz. Diagnoza thoshte se i sëmuri vuan e lëngon nga ÇP. Kurioz për këtë lloj sëmundjeje korrespodenti ynë u konsultua me literaturën dhe mësoi se ÇP quhej çrregullimi i personalitetit me shenja të psikozës maniakale.

“I sëmuri herë-herë bëhet keq, e zë një inat epileptiku dhe reagon me një shenjë agresiviteti shumë herë më të madhe sesa stimuli që e ka ngacmuar. Shan me fjalor banal, shtrembëron tiparet e fytyrës, dridhet i tëri nga inati dhe bëhet rrezik për të pranishmit, po s’e mbajti njeri për krahësh apo po s’i shkeli këmbën e djathtë, aq sa t’i dhembë në shpirt”. Por sëmundja kishte dhe shfaqjet e veta pozitive. “Psikoza maniakale kohën tjetër ka një humor të shtuar në ato përmasa sa nuk mund t’ia përligjë asnjë logjikë. Kështu, pacientit i duket vetja i suksesshëm, i aftë, jashtëtokësor dhe beson se bota do të qe e mjerë pa të, sepse diçka do t’i mungonte. Thotë me zë të lartë turli gjërash që njeriu vetëm mund t’i mendojë, por s’i artikulon me zë të lartë. Problemi është se nis t’i besojë dhe vetë sikur të jenë të vërteta dhe kjo pastaj krijon agresivitet te mosbesimi që ngjall te njerëzit që e rrethojnë. Kështu, kush i prish humorin, rrezikon të fyhet rëndë me ofendime personale, zakonisht me orientim seksual.”

Përshkrimi i kartelës thoshte se, si në rastet kur ka humor të shtuar, edhe në rastet kur bëhet agresiv, mjekimi është i njëjtë. E vetmja mënyrë është të shtohen dozat e ilaçit “Rispolept” nga 7 në 10 pika. Ky ilaç ka qëlluar çudibërës, sepse, sa e pi, të bën të urtë dhe të shton në mënyrë patologjike dashurinë për familjen, të bën që armiqtë të të duken si miq të ngushtë dhe ata që tallen, sikur të lëvdojnë.

Korrespondenti Antenës vendosi të pyesë Flamurin për këtë kartelë të gjetur rrugëve, duke u nisur nga fakti se mbi të gjitha është mjek.

Sa e pa, Flamuri tundi kokën i inatosur dhe filloi të mërmërisë me vete:

- Mixhë, mo ta shoh më atë kartelë, se të zhduka, - i tha korrespondentit të Antenës. - Këtij Nard Ndokës s’i mban sekret barku. Sa u mërzit prej qeverisë, i nxori lakrat në shesh.

- Po kjo ÇP ç’është? - e pyeti korrespondenti, se po të pyes si doktor jo si komisar.

- Prit të pyes një çikë në telefon mixhë, se është nga këto diagnozat e reja, se kur isha unë në shkollë, s’i bënim këto.

Pas pak filloi të tundë kokën përsëri.

- Ku di unë ç’është, mixhë, po zhduke, mo ta shoh më atë kartelë. Se nuk ia them dot dhe atij burrit. Unë jam doktor për ata që sëmuren nga kanceri jo nga mendtë. Dhe kam gjetur rehat me këtë degë, se pacienti e ka të sigurt që vdes dhe nuk akuzon mjekun për paaftësi. Shiko se ç’heqin kolegët e mi me kartela të tilla!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›