Vlerësimi i qeverisjes është çështje emancipimi
Nëse do të kishim mundësi të përfytyronim “paradoksin” si një ekzistencë thjesht fizike, pra si dy pjesë që, megjithëse përjashtojnë njëra-tjetrën, kanë pak vend diku në kufirin ndarës midis tyre, atëherë është jashtë çdo dyshimi që ekzaktësisht aty në mes i gjen edhe shqiptarët, të trullosur, të hutuar. Në momentin e parë me kokë të kthyer nga pjesa “e bardhë” e kontrastit, duke u dridhur nga entuziazmi, teksa dëgjojnë shifrat e buxhetit, bëjnë kalkulimet e mundshme, sipas eksperiencës që kanë, me çmimet që dinë përmendësh dhe jo vetëm me çmimet, dëgjojnë për reforma të thella, radikale, për vendosjen e Shqipërisë diku pranë Francës në një klasifikim për lehtësirat në ekonomi, dhe pastaj kthejnë kokën nga ana tjetër për të parë pjesën tjetër, d.m.th., rezultatin, atë të pritshmin dhe befasisht kuptojnë që nuk është ai, përkundrazi, është pikërisht ai që nuk pritej. Asgjë nuk ndodh sipas asaj që është thënë, sipas asaj, për të cilën është paguar, financuar, reformuar. Sigurisht, prandaj është edhe paradoks. Por në jetë, në atë të vërtetën, askush nuk ka dëshirën më të vogël, aq më shumë shqiptarët, të merren me paradokse dhe aq më pak të mësohen të jetojnë me to. Prandaj i sheh njerëzit tek ecin sikur rrotullohen, me duar në xhepa, duke folur me vete, shpesh pa mundur të kuptojnë se çfarë ndodh në të vërtetë në Shqipëri.
. . .
Është bërë tashmë e zakonshme që kur politikanët bëhen qeveritarë apo mbështetës të një qeverie të caktuara, përfshi edhe ekzistuesen, për të raportuar suksesin nuk përdorin atë që është rezultat, ose që në gjuhën e institucionalistëve quhet “outcome”, përkundrazi, atë që kanë menduar apo supozojnë të investojnë për të arritur këtë rezultat dhe që shpesh e quajmë “income”. Kjo nuk bëhet vetëm për të raportuar suksesin, por edhe për të vlerësuar qeverisjen, nëse ajo është e mirë apo e keqe. Kështu, për vlerësimin e punës së qeverisë nuk jepet niveli i papunësisë, është rritur apo zvogëluar; nuk jepet numri i shqiptarëve nën kufirin e varfërisë dhe pa asnjë mbrojtje nga shteti apo shoqëria, është rritur apo zvogëluar ky numër; nuk jepet aftësia blerëse e qytetarëve; nuk jepet cilësia e shërbimit shëndetësor, është përmirësuar apo përkeqësuar; nuk jepet cilësia e diplomave universitare, është e ulët apo po përmirësohet; nuk jepet numri i të persekutuarve politikë të lehtësuar të paktën ekonomikisht nga vuajtjet e diktaturës, është rritur apo jo; nuk jepet numri i pronarëve të dëmshpërblyer, është rritur apo zvogëluar ai. Përkundrazi, raportohen pará, në të gjitha valutat, gjithmonë miliona, buxhete të rritura në mënyrë impresionuese, sikundër ditët e fundit u raportua madhësia e një buxheti suplementar, që mbi bazë të supozimit se do të ndikojë në papunësi, varfëri, shërbimin shëndetësor, diplomat universitare, etj., u përdor si tregues për të vlerësuar pozitivisht qeverisjen apo performancën e saj. Duke shkelur të gjitha parimet metodike të vlerësimit të efektivitetit të një sistemi, përfshi edhe efektivitetin e qeverisjes ekzistuese, në vend që të përdoret rezultati, pra “outcome”, si një kriter bazë vlerësimi ose së paku një kombinim i tij me madhësinë e burimeve që do t’i dedikohen këtij rezultati, jepet vetëm madhësia e burimit financiar, d.m.th., “income”, por që asnjë nuk mund ta dijë paraprakisht se përdorimi i këtij buxheti do të tregojë një përmirësim apo përkeqësim të qeverisjes, sepse asnjë nuk e di për momentin se sa nga ky buxhet do të arrijë të prodhojë vërtet rezultat. Ministri i Financave e quajti këtë buxhet përmirësim të performancës së qeverisë, pra një rezultat, një “outcome”, që flet për efektivitet të përmirësuar të qeverisjes. Kjo nuk është e vërtetë. Buxheti suplementar dhe çdo buxhet tjetër mund jetë tregues i përmirësimit të sektorëve ku mblidhen të ardhurat, pra të tatimeve dhe doganave. Po kujt i duhet kjo? Qytetarët nuk duan t’ia dinë për qeverisjen e doganave dhe tatimeve. Qytetarët duan t’ia dinë se ç’efekt do të kenë në jetën e tyre këto pará të mbledhura nga qeveria. Dhe ata kanë pasur kohë të mësojnë që, të thuash buxhet i rritur, nuk do të thotë automatikisht dhe shpesh nuk do të thotë fare përmirësim i jetës së tyre, aq më shumë nuk do të thotë përmirësim qeverisjeje.
. . .
Përmirësimi i qeverisjes ka të bëjë me rezultatin, pra me atë se sa rezultat prodhohet për njësi parash buxhetore të shpenzuara. Për arsimin në përgjithësi, po ta marrim si shembull, por edhe për arsimin e lartë, është raportuar një rritje e buxhetit i shprehur si raport me prodhimin vendas bruto. A do të jetë ky një tregues i një qeverisje më të mirë, pra a do të prodhojë shtesa e buxhetit një përmirësim të cilësisë së diplomave në universitete? Kjo do të varet totalisht nga shkalla e reformimit të sistemit të arsimit të lartë, pra nga ajo sesa të afta do të jenë universitetet të thithin buxhetin dhe ta shndërrojnë atë në rezultat. Që universitetet të jenë të afta të thithin paranë, ato duhet të jenë të reformuara në një mënyrë të tillë që të gjithë universitarët të jenë pjesëmarrës në jetën apo qeverisjen e universitetit sipas parimit të zgjidhjes së problemeve atje ku ato lindin. Thjesht, kjo do të thotë decentralizim, jo vetëm i pushtetit, kompetencave, por edhe i përdorimit të parasë. Vetëm kështu mund të maksimizohet çlirimi i energjisë nga universitarët dhe të përmirësohet efektiviteti i funksionimit të universitetit. Në këtë pikëpamje situata në Shqipëri nuk është aspak optimiste.
Së pari, universitetet janë të detyruara të propozojnë një projektbuxhet, madhësia e të cilit përputhet me buxhetin historik dhe nuk mbështetet në asnjë formulë që të mund të lidhte madhësinë e buxhetit universitar me performancën e tij, për shembull me numrin e diplomave apo studentëve që kanë mbaruar denjësisht në një vit të caktuar. Kjo mungesë lidhjeje i bën universitetet të çinteresuara në përmirësimin e performancës. Paraja që mbërrin në universitet, nuk shpërndahet në nivelet ku punohet (te profesori apo seksioni, departamenti), në mbështetje të parimit që në një njësi të caktuar brenda universitetit të alokohen aq pará sa të zgjidhen problemet që lindin në këtë njësi. Kjo bën që problemet të jenë të kësaj njësie, p.sh., të këtij departamenti, por përgjegjësia për t’i zgjidhur ato është diku tjetër. Aktiviteti i njësive universitare, pra edhe i universitarëve që marrin pjesë në to, në këtë mënyrë nuk është i lidhur me performancën. Në gjendje më të mjeruar është financimi i kërkimit shkencor. Ndërsa pothuajse të gjitha vendet pa përjashtim kanë një Fondacion për Shkencën që zotëron buxhetin për kërkimin shkencor dhe ia jep atë universiteteve mbi bazë konkurrimi, në Shqipëri është Ministria e Arsimit që i shpërndan fondet për kërkim jashtë çdo formatimi konkurrues.
Në thelb, paraja e parashikuar në buxhetin e qeverisë për sistemin e arsimit të lartë lëviz nga qeveria për në universitete dhe brenda tyre, ekzaktësisht siç lëvizte dhe përdorej në sistemin totalitar, pra para viteve ‘90. Kjo ndodh, sepse kemi të bëjmë me një sistem të ndryshkur financimi, që nuk e lidh financimin e universiteteve dhe individëve me performancën. Arsimi i lartë, por edhe shëndetësia, është shembulli më tipik se si mosreformimi i sistemit nuk e shndërron financimin nga buxheti i shtetit në rezultat. Paraja e futur në universitet, edhe nëpërmjet një buxheti të rritur, qoftë ai edhe suplementar, meqë nuk prodhon rezultat, nuk mund të jetë edhe tregues i përmirësimit të qeverisjes.
. . .
Analiza e shkurtër e bërë për arsimin e lartë ka vlerë edhe për fusha të tjera të përfshira në skemën e paradokseve. Është e qartë se vlera e qeverisjes nuk qëndron tek investimi i supozuar apo edhe i vendosur për t’u bërë, por sa prej tij shndërrohet në rezultat. Ky i fundit lidhet me reformimin e sistemit, që përveç të tjerave përcakton edhe masën e kufizimit të korrupsionit. Prandaj është normale, dhe akoma më shumë, është e detyrueshme, që një forcë politike si PD apo partitë e djathta që qeverisin sot, të jenë të interesuara për nivelin e qeverisjes së qeverisë të formëzuar nga fitorja e tyre politike. Kaq, megjithatë, nuk mjafton. Ato duhet të njohin mirë edhe rrugën apo metodën që duhet të ndjekin për ta matur vlerën e kësaj qeverisjeje, gjithmonë duke u bazuar jo tek ato që japin, pra jo te buxhetet që arrin të krijojë qeveria, por te rezultatet që arrihen nga aplikimi i tyre. Vlerësimi joformal, jopropagandistik, përkundrazi, vlerësimi realist dhe pse jo, edhe shkencor i qeverisjes së PD (e djathta) nga vetë forca politike që ka krijuar këtë qeverisje, ka një të mirë dhe sigurisht edhe një kusht. E mira është se një vlerësim realist e bën qeverisjen serioze në sy të shqiptarëve. Nëse ky vlerësim realist nuk bëhet, herët a vonë atë do ta bëjnë vetë shqiptarët, siç po e bëjnë, dhe ndëshkimi do të jetë i madh. Asnjë forcë politike, pra as PD, nuk mund të vlerësojë realisht qeverisjen, nëse nuk plotëson kushtin e emancipimit të vetvetes, në kuptimin e zotërimit të lirisë për të kritikuar, që si çdo liri tjetër bëhet arma më e fortë kundër ngurtësimit të vetvetes, autocensurës. Sepse një vlerësim i vërtetë i qeverisjes jo rrallë do të thotë që të mos ndalesh edhe para kritikave të forta. Të mos ndalesh, do të thotë që kritika të tilla janë të pranueshme brenda partisë, ty nuk të hedhin jashtë nga partia dhe partia është aq e demokratizuar, saqë jeton me to, i ka shndërruar në formë të ekzistencës, madje edhe kur i adresohen kryetarit të saj.