“Në Serbi dhe Hungari, valët e mëdha të energjisë rinore rrëzuan qeveritë e rrënjosura”- Associated Press: Në Tiranë studentët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, aleat i Vuçiçit
Fitorja e kandidatëve të mbështetur nga studentët në Serbi ka sjellë skena festimi në Beograd dhe ka shënuar një moment të rëndësishëm për lëvizjen kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit. Pas pranimit të humbjes në zgjedhje të dielën në mbrëmje, mijëra të rinj dolën në rrugë, duke shembur barrierat që rrethonin kampin e njohur si “Ćaciland”.

Për më shumë se një vit, parku pranë Parlamentit serb dhe zyrave të presidentit Vuçiç kishte qenë i rrethuar dhe i zënë nga mbështetës të tij. Sipas Associated Press, kampi ishte kthyer në një pikë presioni ndaj lëvizjes studentore, ndërsa mbështetësit e qeverisë akuzohen se kishin intimiduar dhe në disa raste, sulmuar protestuesit kundër pushtetit.
Pas fitores së opozitës së mbështetur nga studentët, barrierat u hoqën dhe çadrat e kampit u përfshinë nga flakët. Për shumë prej protestuesve, shkatërrimi i kampit simbolizoi fundin e një periudhe të gjatë të kontrollit politik dhe presionit ndaj kundërshtarëve të qeverisë.
Dy vite protesta pas tragjedisë në Novi Sad
Lëvizja studentore në Serbi u fuqizua pas tragjedisë së vitit 2024, kur 16 persona humbën jetën nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Ngjarja shkaktoi zemërim të gjerë publik. Studentët dhe protestuesit e lidhën tragjedinë me korrupsionin, klientelizmin dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale gjatë punimeve të rinovimit të stacionit.
Për dy vite, protestat dhe organizimi në terren u kthyen në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë së Vuçiçit, të cilën kundërshtarët e akuzojnë për përqendrimin e pushtetit, lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsion të përhapur.
Megjithatë, fitorja zgjedhore nuk shënon fundin e sfidave. Lëvizja studentore duhet të përballet tashmë me detyrën e vështirë të reformimit të institucioneve dhe rikthimit të besimit te shteti.
Ngjashmëritë me Hungarinë pas largimit të Orbanit
Zhvillimet në Serbi kanë ngjallur krahasime me ndryshimin politik në Hungari, ku Viktor Orban humbi pushtetin pas 16 vitesh, në një proces të nxitur nga pakënaqësia ndaj korrupsionit dhe kontrollit mbi institucionet.
Sipas analizës së Associated Press, në të dyja vendet, pakënaqësia e qytetarëve u përqendrua te korrupsioni dhe dobësimi i institucioneve demokratike. Në Hungari, Peter Magyar dhe partia e tij e qendrës së djathtë, Tisza, arritën një fitore të thellë, të ndihmuar edhe nga pjesëmarrja e lartë e të rinjve.
Magyar përshëndeti fitoren e studentëve serbë përmes rrjeteve sociale, duke thënë se ishte i kënaqur që fitorja e lëvizjes së tij në prill u kishte dhënë forcë gjatë betejës së vështirë.
Përvoja hungareze shihet si një pikë referimi për Serbinë, veçanërisht në lidhje me reformimin e institucioneve, lirinë e medias dhe luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, lëvizja serbe përballet me një pengesë të rëndësishme: ndryshe nga shumica parlamentare e Magyarit, studentët nuk kanë ende një bazë të konsoliduar politike dhe përvojë të gjerë në administrimin e shtetit.
“Sot po festojmë, por nesër nis puna”, deklaroi Radomir Shajçiç, një prej kandidatëve të Listës Studentore.
Sfidat e qeverisë së re
Një nga vështirësitë kryesore për autoritetet e reja do të jetë përballja me rrjetet e krijuara gjatë viteve të pushtetit të Vuçiçit, veçanërisht brenda institucioneve të sigurisë dhe strukturave të komunikimit politik.
Sipas analistëve, këto struktura mund të përpiqen të pengojnë reformat. Vuçiç ka deklaruar se do të vazhdojë betejën politike nga opozita, duke e bërë të qartë se përplasja politike në Serbi nuk ka përfunduar.
Një tjetër sfidë do të jetë ruajtja e unitetit të lëvizjes studentore. Brenda saj ekzistojnë qëndrime të ndryshme për çështje të ndjeshme, si marrëdhëniet me Bashkimin Europian, Rusia dhe orientimi ndërkombëtar i Serbisë.
Megjithatë, lufta kundër korrupsionit mbetet një prej prioriteteve kryesore që bashkon mbështetësit e lëvizjes. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale, që sipas raportimit duhet të mbahen deri në fund të vitit, do të përbëjnë një tjetër provë të rëndësishme.
Protestat e të rinjve përhapen edhe në Shqipëri
Pakënaqësia e brezit të ri nuk kufizohet vetëm në Serbi. Edhe në Shqipëri, protestat e studentëve dhe grupeve të të rinjve janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.
Sipas Associated Press, protestat që nisën me kërkesa për reforma në arsim janë zgjeruar, duke përfshirë pakënaqësinë ndaj një projekti të madh zhvillimor në jug të vendit.
Demonstratat kundër qeverisë socialiste, e cila drejtohet prej vitesh nga kryeministri Edi Rama, janë shoqëruar me përplasje në rrugët e Tiranës. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, duke ngritur akuza për korrupsion të përhapur, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat.
Rama konsiderohet gjithashtu aleat i Vuçiçit në rajon, çka i jep zhvillimeve në të dyja vendet një dimension më të gjerë politik.
Pakënaqësia e të rinjve po shfaqet edhe në vende të tjera europiane, përfshirë Francën, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë, ku protestat lidhen me problemet në arsim, shërbimet sociale dhe kostot e larta të banimit.
Maria Silvestre, profesore e sociologjisë në Universitetin e Deustos në Spanjë, shpjegon se të rinjtë europianë po përjetojnë një ndjenjë të fortë pasigurie dhe mungese kontrolli mbi të ardhmen. Sipas saj, kur shfaqen kushtet e duhura, një ngjarje mund të shërbejë si shkëndijë për të nxjerrë pakënaqësinë në rrugë.

Një brez i ri kërkon ndryshim politik
Fitorja e studentëve në Serbi shihet si shenjë e një ndryshimi brezash në politikë. Profesorë dhe analistë politikë kanë vënë në dukje se mungesa e përvojës politike të kandidatëve dhe fakti që ata nuk janë përfshirë në skandale të njohura mund të kthehen në avantazh përballë elitave tradicionale.
Megjithatë, përmbysja e një pushteti të konsoliduar nuk garanton automatikisht funksionimin e institucioneve demokratike. Sfida do të jetë shndërrimi i energjisë së protestave në reforma konkrete dhe në një administratë që u përgjigjet nevojave të qytetarëve.
“Tentakulat e oktapodit të Vuçiçit janë përhapur në të gjithë vendin. Çmontimi dhe përballja me to do të jetë një punë jashtëzakonisht e vështirë”, paralajmëroi analisti politik Ivan Milenkoviç.