E Diel, 1 Nëntor 2026

"I palinduri"

Efektet speciale, filmat horror, shfrytëzimi i teknologjisë së lartë me siguri që nuk janë në interesin e kritikës, por arkëtojnë shuma të mëdha. Janë filma të etiketuar tashmë si komercialë, drejtuar një publiku i gjerë dhe kryesisht adoleshentëve. "The unborn" është një realizim i tillë. Një film horror i komentuar jo shumë pozitivisht nga kritika, por i ndjekur nga publiku. David Goyer u shfaq në rolin e regjisorit pasi ishte njohur ndërkohë si skenarist i "The Dark Knight" dhe "Batman Begins". "The unborn"(I palinduri), i shfaqur gjatë këtij viti në shumë kinema të botës, ka mbërritur edhe në Tiranë. Do të vazhdojë të shfaqet për publikun deri më datën 21 shtator në sallën nr. 2 të kinemasë "Imperial". I etiketuar nga vetë regjisori si "horror i shkollës së vjetër", historia mbështetet më së shumti në folklorin hebraik. Një qen i maskuar dhe imazhi i një fëmije jo të zakonshëm, me efektet tipike të një filmi të tillë, paralajmëron diçka të frikshme. Një vajzë tetëmbëdhjetëvjeçare, Casey Beldon, është rritur me ndjenjën e urrejtjes ndaj nënës që e braktisi. E vetme, ëndrra të pazakonta fillojnë ta shqetësojnë jetën e saj. Imazhe të së përtejmes dhe personazhe të mbinatyrshme mbushin orët e gjumit. Gjithçka fillon të kthehet në një halucinacion, në një makth të vazhdueshëm. Atëherë Casey fillon të kërkojë për të kuptuar se ç‘po i ndodh. Kërkimet e çojnë në një histori, një mallkim i vjetër i familjes së saj që në kohën e nazizmit. Casey (interpretuar nga Odette Yustman) zbulon se persekutohet nga një Dybbuk, shpirti i një njeriu të cilit i është mohuar hyrja në Parajsë. Dybbyk i shfaqet asaj në formën e një fëmije, vëllait të saj binjak, i vdekur në barkun e nënës para se të lindte. Casey duhet të luftojë që të mos i nënshtrohet këtij shpirti, që rritet e i forcohen fuqitë sa herë që hyn në një trup njerëzor. Për këtë Casey i drejtohet udhëheqësit të saj shpirtëror Sendak (Gary Oldman). Njëkohësisht fillon të kuptojë shumë nga arsyet që e shtynë të ëmën ta braktiste. Ka vetëm një zgjidhje: të ndërpresë fillin që e lidh me botën e përtejshme. Kjo portë është hapur nga vëllai i saj binjak që nuk lindi kurrë. Regjisori, që fillimisht hezitonte ta realizonte këtë film, e ka shpjeguar ngurrimin me mungesën e përvojës në këtë gjini. "Nuk kisha bërë horror më parë dhe nuk isha i sigurt nëse isha gati. Por, ndërsa po diskutonim për emrin e mundshëm se kush mund ta drejtonte këtë film, vendosa ta realizoja", është shprehur David Goyer. Ideja e këtij filmi ka lindur në Çikago, në një darkë me gruan e tij teksa vizitonte sheshin e xhirimit të filmit "The Dark Knight". Filloi të mendonte për një histori të frikshme, një nga ato që të bëjnë të kapesh fort pas karriges në sallën e kinemasë. Mendja i shkoi të një binjak që s‘lindi kurrë, që torturonte binjaken e tij në jetë. "Fillova të bëja studime mbi binjakët. Atëherë mësova se ç‘ishte heterokromia (sytë blu që kthehen në kafe) dhe kërkimet më çuan në studimet e dr. Mengele për binjakët dhje sytë me ngjyrë (në Auzhvic), e më tej në legjendën hebraike të Dybbuk. U bënë të gjitha së bashku dhe shkrova këtë histori", tregon regjisori. Pothuajse në të gjithë intervistat me të, nuk janë anashkaluar incidente, nëse mund të quhen të tilla në sheshin e xhirimit. I pari ka qenë një tërmet. Ishin duke xhiruar në mesin e dimrit në Çikago. Regjisori kujton se "ishte natë dhe rreth skenës së xhirimit kishte disa makina të mëdha që krijonin artificialisht erë dhe projektorë të mëdhenj. Në këtë kohë ra tërmet. Fillimisht të gjithë kujtuan se bëhej fjalë për efekte speciale, por vetëm më pas e kuptuan se ç‘po ndodhte. Ndërsa ditën tjetër u paralajmëruam se do të kishte tornado dhe na u desh ta evakuonim setin e filmit". I pyetur se sa të vështirë e ka pasur të bëjë horror, Goyer është përgjigjur: "Të bësh një horror është njëlloj si të bësh një komedi. Nuk ka një formulë të saktë se çfarë është për të qeshur e çfarë të bën të frikësohesh, ka veç ndryshim ritmesh e ti duhet t‘i gjesh ato. Në set nuk ndodh asgjë e frikshme, sepse ti ke përreth 100 veta e për më tepër e di se çfarë do ndodhë. Nuk e kupton nëse e ke bërë aq horror sa duhet pa e testuar atë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›