E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi për përplasjen mes Artur Dajës dhe Aldo Bares

 

Armand Bajrami

Rrëfimi i mëposhtëm është marrë nga hetuesit më 29 qershor 2006 në Athinë. Dëshmitari është Lorenc Daja, vëllai i Artur Dajës, i cili u sulmua me armë nga Aldo Bare dhe banda e udhëhequr prej tij. Kjo ngjarje e ndodhur në korrik 1997, u shënua si një nga episodet më të rënda të ndodhura në qytetin e Lushnjës. Pas përplasjes, sipas akuzës, Artur Daja mbajti peng viktimat e palës kundërshtare duke mos lejuar familjarët tërheqjen e kufomave. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, mbeti i plagosur Artur Daja dhe u vra shoku i tij Genci Kashari, ndërsa pala kundërshtare humbi Bardhyl Rabiajn dhe Ramadan Shkurtin. Ky i fundit ishte vëllai i kapos së bandës së Lushnjës Aldo Bare, i cili u hakmor për ekzekutimin e vëllait përmes një sipërmarrje kriminale, që për shumë kohë ka qarkulluar si legjendë në qytetin e Lushnjës. Aldo Bare vrau Artur Dajën dhe më pas shëtiti në qytet me kokën e tij të prerë në shenjë hakmarrje. Dëshmia e mëposhtme për këtë episod është paraqitur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga Prokuroria (ndërsa avokatët kundërshtuan leximin e këtyre deklarimeve) e cila lexoi në sallën e gjyqit në seancën e radhës thëniet e mëparshme të Lorenc Dajës, si më poshtë:
“Që prej vitit 1997 e deri më sot kam qenë si emigrant, fillimisht në Itali e aktualisht në Greqi, që prej vitit 1998. Që nga viti 1997 e deri më sot nuk jemi kthyer asnjëherë në Shqipëri. Shkaku i largimit tim dhe i vëllezërve të mi familjarisht nga Shqipëria dhe moskthimi ynë më aty ishte terrori dhe vrasja, që i ka bërë Alfred Shkurti dhe grupi i tij kriminal familjes dhe vëllait tonë Artur Dajës. Unë kam dijeni të plotë për këto ngjarje, por deri më sot nuk kam deklaruar sepse nuk kam pasur garanci se problemi jonë do të zgjidhej ligjërisht nga shteti dhe njëkohësisht edhe rrezikshmërinë e theksuar kriminale të këtij grupi që vepronte në qytetin e Lushnjës.
Duke parë arrestimet e grupit kriminal dhe vetë Alfred Shkurtit kam kërkuar të kontaktoj me persona, që merren me hetimin  e veprimtarisë kriminale të këtij grupi nga Athina. Për të zgjidhur këtë problem kam telefonuar zotin Z.B., pasi kisha informacion se është një nga pjesëtarët e grupit të hetimit dhe i kam kërkuar që të dëshmoj për çka di për këto ngjarje. Takimin ia kërkova në Athinë, pasi nuk kam akoma garanci për të ardhur e dëshmuar në Shqipëri.
Unë para viteve 1986 kam punuar në fabrikën e vjetër të tullave në Lushnjë. Aty jam njohur edhe me Alfred Shkurtin, i cili punonte gjithashtu në fabrikë dhe mbi bazën e kësaj njohjeje ne krijuam një shoqëri pune. Mbi bazën e njohjes që krijova unë me Alfred Shkurtin bëra edhe prezantimin e vëllezërve të mi me të gjatë kohës që punonim në fabrikë.
Në vitin 1986 unë shkova ushtar dhe pas kthimit nga ushtria shkova në punë në Ndërmarrjen Ushqimore në Lushnjë. Këtu punova deri sa kjo ndërmarrje u shkatërrua. Pas kthimit nga ushtria unë dhe vëllezërit e mi takoheshim me Alfred Shkurtin. Ndërsa Alfred Shkurti shkoi ushtar një vit para meje dhe pas ushtrisë, me sa di unë shkoi me punë në Tiranë në polici.
Pas hapjes së kufijve në vitin ‘91, unë, Lorenci dhe vëllezërit e mi Arturi dhe Afrimi kemi shkuar si emigrantë në Itali dhe Greqi. Që nga ky moment dhe deri në vitin 1997 unë nuk di që vëllezërit e mi Arturi dhe Afrimi të jenë takuar me Alfred Shkurtin.
Në vitin 1996 unë shkova si emigrant në Greqi dhe në muajin shkurt të 1997 kur filluan trazirat në Shqipëri për firmat piramidale unë u ktheva përsëri në Lushnjë. Ndërsa Arturi vazhdonte të qëndronte në Itali. Në qershor Arturi kthehet në shtëpi në Lushnjë. Nuk më kujtohet se sa ditë kishte që ishte kthyer nga jashtë shtetit Arturi dhe po bëhej gati për të ikur përsëri. Ka qenë kohë dreke kur isha duke ndenjur në shtëpi me dy fëmijët e mi. Në këtë kohë marr vajzën e vogël që quhej Valeria, atë kohë ishte një vjeçe dhe dal në trotuarin e rrugës që të çonte tek qendra e qytetit drejt varrezave të qytetit të Lushnjës. Tek lokali i djalit të xhaxhait tim Alfred Dajës, në verandë jashtë, i cili nga vendi ku isha unë ndodhej në një distancë 10 metra, shoh të ulur në një tavolinë vëllain tim Arturin, Genc Kasharin, shok i Arturit dhe një person nga Shkodra, i cili banonte në Karaburun të Lushnjës. Këtij i di vetëm emrin, Petrit. Në krahun tjetër të rrugës ishte, tek kioska e Cen Luftës, në distancë larg meje rreth 15-20 ishte duke ndenjur vëllai jonë i vogël Stiliani.
Shkoj tek lokali, shoh që ishte mbyllur sepse ishte kohë dreke, orën nuk e kam të fiksuar dhe Alfred Daja kishte shkuar për të pushuar. Ulem në tavolinë së bashku me personat e sipërpërmendur dhe pashë që ata e kishin shtruar tavolinën dhe po hanin drekë. Në verandën e lokalit ishin 4 tavolina. Aty ku ishim ulur ne ishte në pozicionin, sa hyn në verandë e dyta majtas. Në momentin që u ula në tavolinë, nga shtëpia e vet, për në rrugën kryesore  ballë për ballë me lokalin (pak majtas) po vinte Gramoz Selmani. Në këto moment Arturi e shikon dhe i thërret, “Gramoz, hajde të hash bërxolla. Gramozi erdhi dhe u ul bashkë me ne në tavolinë dhe filloi të hante. Në momentin që Gramozi erdhi tek tavolina, ku ishim ne, unë mora një bërxollë në dorë, ngrihem nga tavolina dhe shkoj ulem në një tavolinë tjetër vetëm me gocën dhe po lozja me të. Pozicioni im i uljes në tavolinë ishte që shikonte në drejtim të rrugës që vjen nga qyteti. Unë nga tavolina ku isha ulur u ngrita dhe shkova në tjetrën, sepse i lirova vendin djalit të xhaxha Xhevitit. Në kohën që këta ishin duke ngrënë drekë pashë që pas karriges ku ishte ulur Arturi i shtrirë në dysheme ishte një automatik kallashnikov i Turit, të cilin që kur erdhi nga Italia ai e mbante me vete, ndërsa asnjë prej personave të tjerë që ishin ulur në tavolinë nuk kishin armë. 
Dita, koha dhe data e saktë nuk më kujtohet, por duhet të ketë qenë kohë dreke, ditët e para të muajit korrik të vitit 1997.
Këtë e them sepse e lidh me një vjetorin e vajzës sime.
Pikërisht në këtë kohë, akoma pa mbaruar së ngrëni drekën shoh që në rrugën kryesore që vjen nga varrezat e qytetit, po vinte një makinë e cila ecte ngadalë. Kjo makina ishte e tipit “Audi” dhe fillimisht nuk më ngjalli interes. Distanca nga makina tek vendi ku isha unë ishte rreth 10 metra. Pas pak sekondash që unë pashë këtë makinë, po nga kjo makinë u fillua të gjuhej me breshëri armësh mbi ne që ishim ulur në lokal. Sapo dëgjova këto të shtëna mora vajzën në krahë dhe u shtriva përtokë, tek cepi i murit të lokalit. Pozicioni im nuk më lejonte mua të shikoja se kush po na gjuante me armë, ndërsa më lejonte të shikoja të gjithë veprimet e personave, që ishin ulur në tavolinë me Turin.
Kur unë isha shtrirë breshëria e armëve vazhdonte në drejtimin tonë. Në këtë kohë unë po bërtisja “o Turi, po na vrasin, po më vrasin gocën. Në këtë kohë Turi më tha ‘mos bërtit’ dhe pashë që ai u ngrit në këmbë dhe me automatikun që kishte në dorë godet me breshëri në drejtim të autoveturës “Audi”. Në këtë moment u ngrita edhe unë në këmbë, duke mbajtur vajzën në krah dhe pashë Gramoz Selmanin, Xhevit Dajën, Petritin që u ngritën në këmbë, ndërsa Genci Kashari nuk u ngrit, por mbeti i shtrirë dhe pashë që poshtë kokës së tij në dysheme kishte gjak.
Kur Turi po gjuante me breshëri në drejtim të makinës “Audi”, unë duke mbajtur vajzën në krahë, pashë që makina kishte qëndruar 10 metra larg lokalit ballë për ballë me një makinë të tipit Saurer.
Në këtë moment, kur makina “Audi” kishte ndaluar, prej saj dalin dy persona, njëri pas tjetrit nga dera e parë e pasagjerit, krahu i djathtë i makinës. Sapo këta dy persona dolën nga makina dhe po ecnin me vrap në drejtim të rrugës që të çonte për në qendër. Sa i pashë këta dy persona unë arrita të njoh Alfred Shkurtin, i cili doli i dyti nga makina (personin tjetër nuk e njoha). E kam fiksuar mirë, pasi Alfredi në një dorë mbante atë personin, ndërsa në dorën tjetër mbante një automatik dhe duke vrapuar herë pas here kthehej dhe qëllonte drejt nesh. Personi që Fredi mbante për dore nuk e pashë nëse ishte, apo jo i armatosur dhe asnjërit prej tyre nuk i kam fiksuar karakteristikat e rrobave që mbanin veshur.
Në kohën që dy personat iknin me vrap dhe Alfredi vazhdonte të gjuante drejt nesh Turi në mes të rrugës i bërtiste “O Fred k...., do të q... r.... se më vratë”. Po në këtë kohë pashë që Turit po i rridhte gjak nga krahu i djathtë. E pyeta në ishte plagosur. Ai mu përgjigj se kishte marrë një plumb. 
Në këtë kohë dhe unë marr vajzën e shkoj në shtëpi, tek nëna ime Lidja për ta lënë aty. Kur shkoj brenda gjej nënën shumë të shqetësuar dhe më pyet se ç’kishte ndodhur dhe nëse ishte vrarë njeri. Unë i them nënës se desh na vrau Fred Shkurti dhe nuk e di se çka me ne. Lash gocën, dal përsëri e shkoj tek makina “Audi”. Kur shkova atje pashë dy të vrarë, njëri ishte në vendin e shoferit me trup gjysmë të dalë jashtë dere, e cila ishte e hapur. Nuk e njihja se kush ishte. Ndërsa personi tjetër i vrarë, ishte në sediljen e mbrapme, në vendin pas pasagjerit. Këtë person sa e pashë e njoha që ishte Dani, vëllai i Fredi Shkurtit. Kur vajta në momentin e parë tek makina, aty gjeta vetëm Turin. Unë tek kjo makinë nuk kam fiksuar as targën dhe as ngjyrën se isha shumë i tronditur.
Në momentin që ju shkuat tek makina dhe gjetët dy personat e vrarë, a patë gjë që këta persona kishin armë, apo jo?
Unë shkova tek makina shumë i shqetësuar dhe kur shkova aty, i pashë dy personat e vrarë, por nuk fiksova kishin armë apo jo. Koha e qëndrimit aty ishte shumë e shkurtër, shoferin e pashë që ishte gjysmë jashtë, ndërsa Danin e pashë nga xhami i mbrapmë i makinës, i cili ishte thyer.
Pasi u largua me vrap Alfred Shkurti dhe personi tjetër, të cilin nuk e njoha, shkova tek Genci Kashari, që ishte i shtrirë tek lokali. Aty gjeta Gramozin, Turin, Petritin e Xhevitin dhe pashë që Genci kishte vdekur. Kam të fiksuar se në kohën që ishte shtrirë me shpinë, kishte në krahun e djathtë të gojës një copë mishi. Kur i lëvizëm trupin pamë se ai kishte rrjedhje gjaku nga koka.
Unë pasi pashë që Genci ishte vrarë shkoj në shtëpi. Pas meje erdhi Turi dhe Stiliani, ndërsa për të tjerët nuk e di ku shkuan. Pasi u futëm në shtëpi un pyes Turin se çfarë problemi ka Fredi me ne. Turi mu përgjigj se “nuk di t’i kem bërë gjë atij, sepse kam 4-5 vjet pa e parë me sy”.
Ndërsa Stiliani tregoi, se unë isha duke ndenjur tek kioska e Cen Luftës dhe kur personat që ishin në makinën që gjuajti me breshëri mbi ju, nga kjo makinë në krahun që isha unë pashë Ramadan Shkurtin, që uli xhamin e makinës dhe më drejtoi automatikun mua.
Në ditët në vazhdim unë kam pyetur dhe personat e tjerë si Xhevitin, Gramozin, Petritn dhe Alfredin nëse kishin ndonjë problem me Fred Shkurtin, ata më thanë se nuk kishin pasur asnjë problem me të.
Në mbrëmjen e kësaj dite, më telefonon nga Italia vëllai im Afrimi. Më pyeti: Çfarë ka ndodhur sot aty? Unë i them që na goditi Fredi për të na vrarë dhe u vra Genci Kashari dhe u plagos Turi, por nuk e di pse na goditi. Në këtë moment Afrimi më tha që kanë pasur një debat në telefon me njëri-tjetrin Turi me Fredin, por se për çfarë nuk ma sqaroi.
Përse Arturi mbante armë me vete?
Dua të sqaroj se ishte viti 1997, vit i trazirave në Shqipëri dhe shumë njerëz në qytetin e Lushnjës mbanin armë me vete. Ndërsa Arturi kishte edhe një arsye tjetër. Disa ditë pas ardhjes nga Italia herën e fundit, kur ky ishte tek po ky lokal i kushëririt tonë Alfred Dajës në orët e vona të mbrëmjes dikush ka goditur me një plumb tek, shenja e të cilit mbeti në murin e brendshëm të lokalit. Unë në këtë moment nuk isha prezent, isha brenda në shtëpi, por duke ndenjur brenda dëgjoja të bërtiturat e Arturit. Menjëherë dola jashtë, pashë që Arturi po bërtiste duke thënë që dikush e qëlloi për ta vrarë. Në lokal kishte dhe persona të tjerë, por unë nga shqetësimi nuk kam fiksuar asnjë prej tyre, por mora Arturin dhe e futa në shtëpi. 
Po për vrasjen e vëllait tuaj Arturit a kini dijeni? Nëse po, na e shpjegoni këtë moment?
Unë në muajin shtator të ‘97 jam larguar nga Shqipëria dhe nuk jam kthyer më aty. Di që na është vrarë vëllai Arturi, por nuk di se kush e ka vrarë. Dhe sot e kësaj dite nuk dimë asgjë për të.

Bare kërcënoi Tur Dajën në telefon: Do të të fus në arkivol

Pasi kanë mësuar se Aldo Bare ka pasur përplasje me Artur Dajën, pasi kishte sharë në telefon një nga vëllezërit Daja, hetuesit marrin në pyetje Afrim Dajën, pikërisht personin që i ishte përgjigjur telefonatës së Aldo Bares e që më pas i kishte kaluar telefonin Artur Dajës, të cilit kapoja i bandës së Lushnjës, sipas dëshmisë së Afrimit, i kishte thënë “do të fus në arkivol”. Më poshtë, dëshmia e Afrim Dajës siç u lexua dje në sallën e gjyqit tek Krimet e Rënda:
Jam banor i lagjes “K. Qystri” Lushnjë. Jam beqar. Që prej vitit 1995 e deri më sot kam qenë si emigrant fillimisht në Itali dhe aktualisht në Greqi. Që nga viti 1995 e deri më sot nuk jemi kthyer asnjëherë në Shqipëri.
Në deklarimin e bërë nga vëllai juaj Lorenci, thuhet se në bisedën telefonike që ju keni bërë midis njëri-tjetrit ditën që u goditën me armë nga Alfred Shkurti në lokalin e djalit të xhaxhait tuaj keni thënë se Alfred Shkurti me Turin kanë debatuar në telefon midis njëri-tjetrit. A mund të na e sqaroni këtë moment?
Po, është e vërtetë që unë atë ditë i kam telefonuar vëllait tim Lorencit në orët e mbrëmjes dhe i kam thënë: Kam dëgjuar sot këtu në Itali se ju kanë goditur me armë tek lokali i Alfred Dajës. Lorenci mu përgjigj se është e vërtetë që na ka gjuajtur Alfred Shkurti, por nuk dimë arsyen se përse na ka goditur.
Unë i them që para dy muajsh kur unë isha së bashku me Turin në Milano, Itali, mbas mesnate më telefonon një person. E pyes: Kush je? Ai më përgjigjet: Fredi. Unë e pyes përsëri, cili Fred je, e ai më përgjigjet: Fredi i satëme. Përsëri i them: Do më thuash se cili Fred je apo ta mbyll telefonin. Ai pas kësaj bisede më thotë që jam Fred Shkurti prandaj ma jep pak Turin. Turi kur dëgjonte përgjigjet e mia më thotë, që kush është ai që flet me ty, unë i them që është Fred Shkurti dhe të kërkon ty të flasë.
Unë i jap Turit telefonin për të biseduar me Fredin. Sa Turi merr telefonin i thotë Fredit, si ka mundësi që ti shan Afrimin në telefon se ne kemi kaq kohë pa u parë me njëri-tjetrin. Në këtë kohë filluan debatet mes tyre. Dëgjoja Turin që i thoshte që “ti nuk e vrave për mua Besnik Tahirin, por e vrave për interesat e tua. Vij tani ku je ti se ne jemi shokë dhe e pimë kafen dhe tani”. Më pas mbyllet kjo bisedë mes tyre.
Pasi u ndërpre biseda midis tyre, unë pyes Turin që çfarë i tha Fredi në telefon. Turi mu përgjigj, që Fredi më tha “jam afër teje dhe do të takoj shpejt se e di ku e pi kafen ti. Kam vrarë Besnik Tahirin për ty dhe ti më kërkon llogari pse të shaj unë në telefon”.
Unë kërkova me këmbëngulje nga Turi se si qëndron problemi i konfliktit të Fred Shkurtit me ty. Turi më tha që nuk di të kem ndonjë gjë me Fredin, kam pesë vjet që nuk kam folur me të. Në vazhdim e pyes: Po problemi i Besnik Tahirit si qëndron? Turi mu përgjigj që unë nuk di gjë farë për problemin Besnik Tahirit. Gjithashtu, Turi më tha se gjatë bisedës Fredi i kishte thënë se do ta fuste në arkivol. Ne nga dita në ditë prisnim që Fredi të na merrte në telefon për t’u takuar, por nuk na mori më.
Vijon dëshmia e vëllait tjetër Stiliano Daja për përplasjen me armë të ndodhur në korrik 1997 në qytetin e Lushnjës mes grupit të Aldo Bares dhe Artur Dajës. Stiliano Daja:
Sapo filluam të luanim, pa kaluar as dy minuta unë pashë një makinë “Audi” ngjyrë gri, me xhamat anësorë të errët, ndërsa xhami i përparmë i zakonshëm. Largësia në momentin që unë pashë makinën duke ecur në drejtim nga varrezat e qytetit në drejtim për në qendër të Lushnjës ishte rreth 10-15 metra larg meje. Sa e pashë më tërhoqi vëmendjen ecja e ngadaltë e kësaj makine, pasi rruga ishte e lirë dhe në krahun e kundërt të lëvizjes. Në momentin e parë që unë pashë këtë makinë, nuk arrita të dalloj njerëzit që ishin në të, pasi në xhamin e parë reflektonte drita dhe më pengonte për të parë se kush ishte brenda. Makina vazhdonte ecjen ngadalë drejt qendrës nuk kaloi as gjysmë minute që unë po shikoja këtë makinë dhe ku ajo ishte drejt për drejt verandës së lokalit, ku ishte Turi me shokët e tij, dëgjova breshëri automatiku në krahun tjetër të makinës. Në këtë moment distanca e makinës me verandën e lokalit ishte 4-5 metra.
E kam fiksuar se nga kjo makinë janë gjuajtur drejt tavolinës së Turit rreth 3-4 breshëri armësh. U ngrita menjëherë dhe në këmbë dhe i thashë Cenit, që na vranë dhe i kërkova të më jepte automatikun e tij, se e dija që ai e mbante në kioskë. Ceni më tha që armën nuk e kam sot, por largohu edhe ti se do të vrasin. Ika menjëherë nga vendi ku isha dhe futem në cepin e pallatit katër katesh, ku ishte vendosur kioska dhe duke u mbrojtur nxjerr kokën dhe gjysmën e trupit për të parë e ç’po ndodh. Në këto momente shikoj që xhami i pasim i pasagjerit në krahun ku isha unë ishte gjysmë i ulur. Aty fiksova se ishte i ulur në sediljen e pasme, në krahun e djathtë me shikim nga isha unë Ramadan Shkurti, i cili nxori grykën e automatikut dhe e drejtoi për nga unë. Unë ika me vrap dhe u futa për t’u fshehur në shtëpinë e Trifon Hiles, që është në katin e dytë hyrja e tretë e këtij pallati. Me djalin e Trifonit, Adin ishim shokë dhe kishim hyrje dalje prandaj shkova tek shtëpia e tij. sSa futem brenda i shqetësuar më del përpara vëllai i Adit, Fredi i cili duke më parë të shqetësuar më pyet çfarë kisha. I thashë që kanë qëlluar Turin dhe nuk e di se kush është vrarë. Fredi doli në ballkon për të parë se ç’po ndodhte tek lokali. Sapo Fredi doli në ballkon u dëgjua një goditje e fortë. Në këtë moment po dilja edhe unë në ballkon, por Fredi nuk më la dhe më tha të fshihesha se po na qëllonin me armë. Fredi nuk më tha çfarë kishte parë, por mu lut që të mos dilja jashtë se do na vrisnin. Qëndrova 3-4 minuta dal jashtë dhe shkoj drejt lokalit ku ishte Turi. Jashtë pashë edhe makinën “Audi” të ndaluar përballë një Saureli, në krahun e kundërt të rrugës në drejtim nga qendra. Afrohem tek makina dhe shoh që dera e shoferit ishte e hapur. Në këtë sedilje ishte një person i vrarë dhe me trup gjysmë të varur jashtë, ndërsa mbrapa ishte i vrarë Ramadan Shkurti. Kur shkova tek makina nuk kam të fiksuar nëse kishte persona të tjerë aty apo jo.
Mbasi pashë makinën dhe personat e vrarë shkoj për tek shtëpia e xhaxha Feritit. Aty takova Fred Dajën, i cili sa më pa më tha: Sill një kovë ujë se do lajmë gjakun në verandën e lokalit, sepse kanë vrarë Genci Kasharin. Mbusha kovën me ujë dhe e çova tek veranda. Tek lokali takoj Turin, i cili sa e takova më tha se ishte plagosur. Unë nuk e pyeta më gjatë e ai s’më tregoi më. Turi ndenji pak edhe shkoi në shtëpi dhe unë pas tij. Kur u takuam, të gjithë kishim një shqetësim, që përse Alfred Shkurti donte të na vriste.
Dua të sqaroj se rreth gjysmë ore përpara se të ndodhte ngjarja, kur unë isha duke ndenjur me Turin, Genci Kasharin dhe Petritin ka ardhur dhe është ulur në një tavolinë të lokalit të Ilir (Lik) Isufit, ngjitur me lokalin e Alfred Dajës, Enver Boriçi. Unë u përshëndeta me Enverin kur erdhi tek lokali i Likut, pasi distanca midis nesh nuk i kalonte as dy metrat. Kam të fiksuar se Enveri është çuar dhe ka ikur nga tavolina rreth 20 minuta para se të goditej Turi. E pashë që iku në drejtim të shtëpisë së tij.
Nga e njihnit Ramadan Shkurtin?
Unë e njihja Ramadan Shkurtin, sepse ai vinte e pinte kafe gjithmonë tek lokali i Ben Boriçit, të cilin ne e kemi komshi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›