E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Sumatra fundoset një anije me 250 udhëtarë

Një anije indoneziane, me rreth 250 udhëtarë, është fundosur sot në ujërat afër ishullit Sumatra, me çrast kanë humbur jetën së paku nëntë persona. Ekipet shpëtimtare kanë zbuluar nëntë kufoma dhe kanë shpëtuar 230 udhëtarë tjerë, por ujërat e trazuara kanë vështirësuar punën e ekipeve shpëtimtare, deklaroi shefi i policisë në provincën Riau Kepulauan, gjenerali Puji Hartanto.

Ai shtoi se një numër i udhëtarëve ende konsiderohen të zhdukur.

Zyrtari i qeverisë provinciale, Nurdin Basirun theksoi se në mesin e të vdekurve ishin edhe dy fëmijë dhe shtoi se ekipet shpëtimtare kanë arritur të shpëtojnë së paku 232 udhëtarë.

Së paku nëntë anije ishin të angazhuara në kërkimin e personave të zhdukur. Policia theksoi se në listën e udhëtarëve të anijes kanë qenë emrat e 228 personave, përfshirë këtu edhe 15 fëmijë dhe 14 anëtarë të ekuipazhit.

Anija është fundosur gjatë lundrimit prej Batamit drejtë Dumait, një provincë kjo në ishullin e Sumatres, në perëndim të Indonezisë.

Anijet që kanë qenë pranë anijes së aksidentuar shpëtuan udhëtarët në det dhe i dërguan ata në ishujt e afërt për tretman mjekësor.

Gjatë viteve të fundit, si pasojë e aksidenteve detare në Indonezi kanë humbur jetën me qindra njerëz. Anijet shpesh janë të mbingarkuara dhe nuk respektojnë rregullat e sigurisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›