E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Tiranën zyrtare, seksi është tabu vetëm në karikaturë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Kapexhiu, mjeshtër i groteskut në përmasa europiane
Tek ai bashkohen profile, zhanre, mjete shprehëse të regjisorit, skenaristit dhe aktorit komik, të piktorit dhe brenda tij, karikaturistit. Me batuta dhe me grafikë, konceptet artistike të tij i vë në funksion të paraqitjes së shqetësimeve njerëzore, ndryshe: me një buzëqeshje.
Bujar Kapexhiu është një mjeshtër i groteskut, më e preferuar madje sesa sarkazma. Sepse Kapexhiu dëshiron t i bëjë njerëzit të qeshin dhe reflektojnë pa hidhësi. Bota e vesit është ajo që është. Na e merr buzëqeshjen në jetën e përditshme, ku na revolton, na neverit, na dëmton, dhe na e kthen atë, kur vjen në art. Karikatura është pasqyra ku qenia e papërsosur- njeri, shpesh e molepsur me të keqen, sheh vetveten dhe pranon “mëkatin”: “Po, i tillë jam”. Këtu mbaron…sepse pohimi është fillimi i ndryshimit.
Kapexhi, figurë poliedrike në artin shqiptar, medalist, fitues i një numri të madh ekspozitash kombëtare dhe ndërkombëtare në shumë shtete, i pakujdesur për trofetë e tij si pjesë e memorjes së kulturës, ka mbetur me pak të dhëna për aktivitetin e tij artistik. Në internet gjen kryesisht informacion për pjesën kinematografike të punës së tij, regjitë dhe skenaret e filmave komikë, rolet etj. Me këtë intervistë, ne po përpiqemi të mbulojmë atë pjesë të paprezantuar siç duhet në media, të krijimtarisë së Kapexhiut: mjeshtërinë e tij si karikaturist i përmasave ballkanike e europiane.

Disa më kërkojnë karikaturë, disave u mbetet qejfi. Nuk e kuptojnë të gjithë

“Politikanët pa karikaturën ndihen të harruar. U kam thënë t i vënë në zyra”

“Do të bëj karikaturë edhe ambasadorin amerikan. Ka portret interesant. E meriton”

-Zakonisht piktorë ka me shumicë dhe karikaturistë nuk para ka…Si shpjegohet kjo diferencë?
Dhuntia për të kapur dhe prodhuar humorin është një dhunti e veçantë, natyrale, ndoshta që në lindje, si karakter, si natyrë e njeriut. Ka njerëz që dinë të tregojnë shumë bukur barcaleta, të bëjnë humor, por nuk dinë të vizatojnë. Por nëse kanë prirjen për të vizatuar, kanë dhe syrin për të kapur detajet e aftësinë për të krijuar humor mbi to, të trija këto bashkohen për të dhënë karikaturistin. Kush ka mbaruar një shkollë arti, grafikë apo pikturë, ka ca mjete, një përgatitje.
-Ne dimë qe ka autorë që shkruajnë letërsi, por nuk mund të prodhojnë humor (skenare humoristike etj). Është e njëjta gjë?
Po, kjo është njësoj: Siç ka piktor të jashtëzakonshëm, që nuk dinë të bëjnë karikatura.
Eshtë një aftësi e veçantë të kapësh në esencë fenomenin që prodhon humor, atë “cen” humoristik që gjendet edhe mes gjërave me tis serioziteti. Këtë duhet ta zbulosh. Aq më tepër për të abstraguar, për ta perfeksionuar detajin, duhet kjo dhunti.
-Shumë njerëz nuk e dinë nëse ka ndonjë profilizim, ndonjë shkollë për karikaturën…
Jo, në Shqipëri nuk ka ndonjë degë të veçantë për karikaturën, por është grafika, që mund të drejtojë, sepse karikatura është në vetvete një art grafik. Por ajo që është më e rëndësishme, në Shqipëri, sidomos kohët e fundit, ka shumë pak krijues karikature. Ne si specie jemi drejt zhdukjes. Dy-tre kemi mbetur që merremi me karikaturë, ndërkohë që ka patur mbi 30 karikaturistë. Ndërsa bota ka shumë karikaturistë, sepse ka shumë revista, shumë gazeta që e preferojnë karikaturën, për superioritetin që ajo ka kundrejt fjalëve dhe madje, edhe fotove. Ajo shpreh mjeshtërisht atë që duhen qindra fjalë e analiza për ta bërë. Karikatura flet me raportet, ne i quajmë “karikatura pa fjalë”. Por në raste të tjera, ato shoqërohen me diçitura ose tekste, ku personazhet, përveç konfiguracionit artistik, kanë edhe një tekst që i thonë njëri-tjetrit. Ajo që quhet “fymeti”-si tym që del nga goja, ku shkruhet dialogu i personazhit. Këto janë të preferuara gjithnjë e më tepër në letërsinë e librat për fëmijë. Kjo mënyrë e prezantimit të lëndës sot ka kaluar edhe në librat apo revistat e të rriturve ku krahas shkrimtarit, del edhe piktori.
-Përse po zhduket specia e karikaturistëve në këtë vend, kur në botë është specie në “mbarështim”?
Po zhduket sepse ka shumë- pak terren për të zhvilluar aktivitetin e tyre humoristik. Mediat që nuk kursehen për çarçafë analizash të dhjetëra pseudo-analistëve, nuk gjejnë vend në faqet e tyre për karikaturën, që është një nga mjetet më të efektshme të të thënit të gjëave. Megjithatë, ka libra që po botohen nga shkrimtarë satirikë dhe kjo më gëzon. Por me këta rast, do të bëja autokritikë, që unë-vetë, krijimtarinë time si skenarist dhe si karikaturist ende nuk e kam përmbledhur në volume librash.
-Duke krahasuar krijimtarinë e shkruar (verbale) dhe atë vizuale, cila prej tyre të merr më shumë kohë, cila të jep më shumë mundësi shprehëse, pra cila e ka spektrin më të gjerë? Dhe, të ndodh që fabula, gjetja, të vjen në fillim si tekst e pastaj e bën karikaturë, apo nga kjo e fundit kalon tek ilustrimi me fjalë?
Nuk kam gjëra të përcaktuara. Në të njëtën ditë unë shkruaj, në të njëjtën ditë, vizatoj, ose bëj vetëm njërën prej tyre. Por shkruaj një gjë krejt të veçantë dhe vizatoj nga ana tjetër, një gjë tjetër krej të veçantë. Ndodh që në një moment të caktuar, i bashkoj dhe bëj një.
-Çfarë ka së fundi në duar Bujar Kapexhiu, ku është ingranuar dhe si po i mban pikat e kontaktit me publikun e karikaturës?
Aktualisht, botoj në dy revista (“Klan” dhe “Shqip”) dhe tek “Panorama” karikatura politike dhe herë pas here me karakter shoqëror e familjar. Ndërkaq, vazhdoj të marr pjesë në disa ekspozita ndërkombëtare ku dërgoj karikaturat e mia, por kam në dorë atë që kam premtuar me kohë; një katalog me përmbledhjet e karikaturave më të mira, njëkohësisht po përgatis një ekspozitë personale. Paralelisht me këto, jam duke mbyllur një libër të veçantë ku bashkohet humori im me humorin e mjeshtrit të madh, Azis Ndreut, një nga figurat më të shquara të artit si rapsod, valltar, poet, pamfletist, ku kam bashkuar krijimtarinë e tij me timen.
-Si nisi rrugë karriera jote si karikaturist?
Ekspozitën e parë e kam çelur në vitin 1968, në moshën 25-vjeçare. Kam marrë pjesë me një tregim me karikatura, që është vlerësuar dhe ka marrë çmimin e parë në grafikë dhe njëkohësisht është vlerësuar edhe në ekspozitat që ka hapur galeria e arteve jashtë shtetit.
Por karikaturat e para i kam bërë kur isha gjimnazist.
-Ka mbetje qejfi (apo qejfmbetur) prej karikaturave të tua?
Në përgjithësi, njerëzit emancipuar, që e njohin artin e karikaturës, u bëhet qejfi. Bile ka pasur raste që më thonë: “Bujar, nuk më ke bërë një karikaturë”. Një karikaturë është një vepër arti. Por sidoqoftë, ka edhe të tjerë që mërziten.
Në vitin 1992, Sali Berisha në një moment, më thotë: “Nuk ke bërë asnjë karikaturë për mua Bujar”. Sepse një politikan pa karikaturë duhet thënë se ndihet i harruar. Ne kemi një shprehje të bukur, që e përdor shpesh. Për një politikan, një karikaturë është e rrezikshme, por më e rrezikshme është kur nuk ka asnjë karikaturë.” Dhe unë përgjithësisht këta politikanë i kam quajtur politikanë sezonalë , të përkohshëm dhe nuk u kam kushtuar ndonjë karikaturë.
-Besoj, provoni ndonjë lloj lumturie kur e fusni personazhin në majën e lapsit tuaj dhe ai i dorëzohet fantazisë suaj që bën me të çfarë të dojë. Në Perandorinë tuaj besoj ndiheni i plotfuqishëm…
Pikërisht. Ata, në atë moment kthehen në pronën time. Nëse kapërcejnë gardhin këtej, dihet se do të deformohen. Aty do të luaj me tiparet e tyre dhe kjo është lumturia e krijuesit dhe kënaqësia e zbuluesit. Por, unë personazhet e mi i trajtoj gjithnjë me dashuri, sepse qëllimi nuk është të denigroj individin, por të godas vesin që ai ka. Unë dua që edhe ai vetë të qeshë me veset e tij dhe pastaj të mendohet…Të njëjtën kënaqësi e gjej edhe në personazhet jo-konkrete, sepse prapa tyre gjenden shumë tipa realë. Edhe kjo ka ndjeshmërinë e vet.
-Një pjesë e karikaturës botërore ëshë e lidhur me seksualitetin, si pjesë e botës njerëzore. Sa paragjykohet dhe sa lëvrohet në Tiranë?
Në Tiranën “zyrtare”, “lëvrohet”, por në Tiranën “artistike” është akoma tabu.
Nëse në vitet e socializmit, ka qenë tabu karikatura politike, ku nuk mund të bëje karikaturë presidentë e kryeministra, sot është tabu karikatura me nuanca erotike, seksuale. Ashtu siç është edhe në letërsi, por më pak. Se të kthesh anekdodën erotike në figurë, është më e zorshme, jo për ta perceptuar, por për ta pranuar. Humori në përgjithësi është i vëshrtirë për t u perceptuar, por më i vështirë është për t u pranuar. Edhe këtu nevojitet sensi i masës. Nëse bën humor me dikë, duhet të jesh i kujdesshëm që të mos e fyesh, por të jesh brenda linjave të trajtimit artistik, pa sforcime.
-Në karikaturën tuaj duket se përdorni edhe batutat që prodhojnë edhe vetë politikanët
Ata që kanë sensin e ironisë, të hiperbolës, në fakt më japin shumë dorë. Sepse tamam atëherë kur thonë gjëra humoristike, mbahen mend. Humori është më i thithshëm se pohimet serioze. Për hir të atyre batutave gazmore që thonë, e bëjnë publikun të harrojë inatet që ka me ta...
-Na thuaj ndonjë ves tëndin, që mund të shprehej me karikaturë?
Është për t u habitur, por nuk i gjej vetes.E shikoj veten time ndoshta pa vese (shpërthen në të qeshur), pa tendenca të ekzagjeruara të një fiksimi. Por po ju them që humori më i bukur është humori me veten, është relaksues dhe ju ftoj ta provoni. Ka njerëz shumë të mençur, personalitete, që kur e nisin bisedën, e fillojnë me një thumb ndaj vetes.
-Thumbojnë veten për t i futur antidodin që të mos u bëjë gjë thumbi i të tjerëve...
Edhe kjo është. Kështu ata janë shumë më të pranueshëm në shoqëri, kur e nisin humorin nga vetja.
-Karikaturat tuaja janë më së shumti, politike. Ndër karikaturat sociale, cilat tematika ju kanë tërhequr dhe fokusuar?
Në përgjithësi janë marrëdhëniet burrë-grua. Ato kanë shumë humor, sepse është një marrëdhënie njerëzore shumë e gjatë, tërë jetën dhe kalojnë nëpër shumë situata. Në marrëdhëniet bashkëshortore ka ekzagjerime, akuza që nuk janë të vërteta. Burri gjen batuta për afësitë si kuzhiniere të gruas dhe gruaja mund të sajojë të tjera për burrin. Nëpërmjet humorit, partnerët i kalojnë problemet dhe konfliktet butësisht.
-Sidoqoftë, janë marrëdhënie që prodhojnë pak humor së brendshmi e për këtë arsye, prodhojnë shumë së jashtmi.
Po që është kështu? Në jetën bashkëshortore ka shumë humor së jashtmi, kur ndërhyn edhe një i tretë. Vjehrra, dashnorja etj.
Por unë kam bërë humor edhe me profesionet që e provokojnë humorin si berber këpucar, hidraulik, polic, kamarier, shitës etj. Shërbimet në përgjithësi. Si shtresa shoqërore me të gjithë kam bërë humor dhe po bëj një libër të tërë me të gjitha këto karaktere e tipa.
Ndër shtresat më interesante për humor është ajo e biznesmenëve. Se tek biznesmeni është kontrasti mes përgatitjes së tij, atyre që thotë dhe sasisë së parave që ka. Kontrasti mes injorancës dhe jetës luksoze është shumë interesant. Injoranca e tij kur do të vendosë veten në pozitën e intelektualit, kur thotë gjëra që nuk i shkojnë, nuk i di. Po kështu ka dhe politikanë që vendosen në pozicione të tilla qesharake, bëhen kompetentë aty ku nuk janë.
-Tradhtia bashkëshortore a është trajtuar para 90-s?
Po, është trajtuar, por pak më ndryshe, shumë e rezervuar dhe me një sens kritik, si i thonë, mbajtje qëndrimi.
-Ju keni prodhuar humor para dhe pas 90-s. Çfarë e prodhonte dhe e provokonte humorin atëherë dhe çfarë tani? Çfarë ka mbetur e përbashkët?
Fenomene, ngjarje të jetës familjare, shoqërore, të karaktereve janë njësoj në çfarëdolloj regjimi. Të flasim për nëpunësa përshembull. Nëpunësa injorantë në atë kohë ka pasur, ka edhe sot. Atëherë ka patur nëpunësa arrogantë, arrogantë ka edhe sot, atëherë ka patur servilë, edhe sot ka. Vetëm se atëherë trajtoheshin pak më ndryshe. Ne, arrogantin, të paaftin e çonim deri tek kryetar kooperative ose drejtor drejtorie në ministri, jo deri tek ministrat. Ndërsa sot e shtrijmë në gjithë hierarkinë. Madje sot lart më shumë e pastaj poshtë. Pra, na është hapur diapazoni.
-Si e njeh realitetin, karakteret, Bujar Kapexhiu? Merr kontaktin direkt me këta tipa apo…?
Kontakti është i gjithanshëm, është direkt me njerëzit, është me të lexuar, është me të dëgjuar nga të tjerët, etj.
- Personalitetet botërore janë të preferuara si karikatura përtej kufijve kombëtarë. Ndërsa figurat e vendit nuk kanë akses jashtë kufijve, pra, jashtë realitetit të tyre... Figurat e ambasadorëve a ju tërheqin dhe sa vend kanë zënë në tërësi figurat e politikanëve të huaj në krijimtarinë tuaj?
Kam bërë edhe karikatura me figura që kanë ardhur në Shqipëri si të ODHIR-it, OSBE-së, FMN-së, BE-së. Ju po më shtyni që ndoshta të filloj një cikël të vërtetë me ambasadorët, aq më tepër që është periudhë zgjedhjesh. Përshembull, tani më lindi ideja të bëj portretin e ambasadorit amerikan, sepse është edhe tip i vizatueshëm dhe me karakteristika shumë interesante në portretin e tij. Nga ana tjetër, është i goditur si personazh, sepse ai në jetën politike shkon dhe jep rekomandime, kudo. Por mendimet e tij, janë mendimet e shtetit amerikan!...
-Karikatura ekonomike sa ka gjetur pasqyrim?
Ka disa gazeta ekonomike që interesohen, por nuk kërkojnë shumë pasi i marrin të gatshme nga literatura e huaj, nga interneti. Por harrojnë që është hajdutëri, që i marrin e i botojnë pa të drejtën e autorit.
-Ka edhe diçka: Karikatura si vepër konsumohet shumë shpejt në kohë, nga disa sekonda deri në pak minuta, kurse prodhimi i saj kërkon më shumë kohë realizimi dhe shumë më shumë kohë zbulimi. Enegjitë e krijimit janë shumë më të mëdha. Por ky disproporcion mes kohës së krijimit dhe asaj të konsumimit nuk lejon të kuptosh mundin...
Po, karikatura vërtet do kohën e akumulimit, nuk del në çdo moment, por edhe sadisfaksioni që jep, nuk është më i vogël se ai që jep një lexim 1 orësh. Unë them se të kursen edhe kohën.
-Si natyrë me humor, Kapexhiu duhet të ketë shumë miq. Si i mbani, me facebook?
Jo, i mbaj të gjallë. Mua më pëlqen biseda direkt me njerëzit, humori direkt. Miqtë i mbaj dhe me humorin tim, ku i kam bërë personazhe. Unë bëj karikaturën, kurse miku im vendos firmën aty, domethënë që është e aprovuar.

Galeria e personazheve të Kapexhiut
Janë të njohur dhe të panjohur, persona publikë, sidomos aktorë të jetës politike e artistike, por edhe karaktere tipizuese që përfaqësojnë shtresa të caktuara shoqërore. Brenda anonimatit të tyre, secili mund të gjejë pjesë të vetvetes. Ndërsa sodisim galerinë e jashtëzakonshme të karikaturave që mbushin të gjitha muret dhe qoshkat e barit të tij, (lokal “Albert” i ngjan një ekspozite të hapur gjithë kohën për publikun), gjejmë aty edhe pronarin e “pronësuar” që ka marrë një pëllëmbë tokë nga gjithë pronat e tij, edhe biznesmenin që pastron paratë…pa po gjejmë ambientalistët, analistët, mjeshtrat e humorit në skenë dhe në ekran, gjejmë edhe “baballarët” e Kombit, politikanë të krejt spektrit që mbahen mend për diçka. Triptiku i veçantë-“pulë e ngrirë”-“politikan i ngrirë” (Ngjela)- “gazetar i ngrirë” (Çakuli) përcjell bëmat e politikës në një mënyrë frigoriferike .

Grafika e ndaluar
Karikaturat moderniste në 73-shin fundosën Kapexhiun pas Festivalit të 11-të
Si i shpëtoi nga djegja ekzemplarët dhe keqardhja që censura e çmësoi të vizatojë ashtu

Ekspozeja është e gjatë…grafika bardhezi, përveç punimeve me ngjyra, të reja e të vjetra, me tematikën e dy kohëve të dy sistemeve. Është e habitshme sot kur njeriu zbulon finesën e të bërit humor në art grafik në një kohë të izoluar, në një sistem kur duhej qeshur “me kujdes” e “me karar”, e kur mjetet shprehëse cungoheshin, censuroheshin nga brenda dhe nga jashtë laboratorit krijues. Ishin fillimvitet 70, kur Bujar Kapexhi, nuk e bëri hesap se sa do t i kushtonin veprat e bëra në vitet studentore. Ishte “axhami”. Bashkë me pjesën e tij në Festivalin e 11-të, “kompletoi” figurën e njeriut që ishte infektuar nga arti borgjezo-revizionist. Kësaj here ai nuk ia kishte shkarë dot partisë. Karikatura, karikatura…por binin erë që tej, që ishin tejet moderniste. Përfundimi? Autori i tyre kishte nevojë për riedukim nja dy vjet në prodhim.
Pas më shumë se 30 vjetësh, ato shohin lirisht dritën e ekspozimit. Por çfarë duan të thonë këto grafika kubiste? Në përmbajtje ato ishin ilustrime librash humoristikë, “të keqen” e kishin tek linjat, që edhe tani janë në vetvete kaq interesante, saqë të bëjnë të shpërfillësh qëllimin prej nga janë nisur.
Karikatura me tendenca moderniste . Kështu ishin quajtur atëherë, por po njësoj mund të quhen edhe tani. Është fat që ekzemplarë të tillë jashtë kontureve të socrealizmit, kanë shpëtuar nga eliminimi. Në vitin 73 mbanin radhë në shtypshkronjë për t u bërë brumë ose djegur. Ndërsa botimi i tyre po vononte, Bujar Kapexhiut një engjëll i foli të merrte rrugën për në shtypshkronjë, të interesohej. Atje, falë dashamirësisë së punonjëseve, pasi mësoi fatin e këtyre librave, shpëtoi disa prej ekzemplarëve. Së shpejti, publiku do të ketë mundësi të njohë këto grafika të jashtëzakonshme nën titullin e katalogut: “Grafika e ndaluar”.
Pasoja e Festivalit të 11-të të Këngës, ku ai kishte prezantuar dhe përgatitur libretin, fryu edhe mbi librat e tij. Piktorë si Bujar Zajmi, Safo Marko që ishin atëherë në komisionin e pranimit në shtëpinë botuese, i thoshin: “Sa të bukura o Bujar! Po si të lejojnë ty! Sa qejf kemi edhe ne të bëjmë kështu, moderne!” Edhe tani i kujtojnë me nostalgji dhe thonë: “Ah sa të bukura kanë qenë ato vizatime atëherë!”. Bujari, tani thotë: ”Unë kur i bëja këto, atëherë akoma nuk kisha mbaruar Akademinë e Arteve, i bëja me shumë lehtësi, me shumë pasion, duke thyer të gjitha rregullat e artit grafik. Të them të drejtën, pasi më ndaluan në mënyrë absolute që të vizatoja ashtu, fillova të vizatoj me linja të rrumbullakëta dhe sot kam humbur të gjitha ndjesitë, të gjitha emocionet dhe nuk di të vizatoj më si më parë. Për këtë më vjen keq. Më vjen keq edhe që unë u bëra shkaku që nuk panë dritën e botimit këta libra me bashkautorë. U dogjën edhe ata prej meje. I dogja, por u kërkoj falje. Dhe nëse ata do t i botojnë tani, jam gati t i ilustroj falas tregimet dhe romanet e tyre”.

Diell pas shiut…
Brenda karikaturës, ai shfrytëzon edhe një nga aksesorët e gazetarisë: trajton si personazhe ata që janë në vëmendje të publikut. Sepse publiku do të dijë për njerëz të cakuar, edhe se si e mbajnë furçën kur lajnë dhëmbët... Bujar Kapexhi i përgjigjet realitetit shpejt, e prodhon direkt monedhën e tij. Dhe na thotë: Pa shikoni të paguani njëherë me këtë!” Sa më seriozisht i marrim gjërat e parëndësishme, aq më shumë gjasa ka, që ato të kalojnë në ekstremin tjetër- në grotesk. Dhe ekstremet takohen tek karikatura e Kapexhiut. Pas lotëve, dhimbjes, zemërimit, natyra na ka falur dhuntinë të ringjallemi përmes të qeshurës.

TERAPIA-KAPEXHI

“Duam një departament brenda Ministrisë së Shëndetësisë. Humori është antibiotik”
Zonja ministre! Mbushi spitalet me karikatura
Propozoj seriozisht që materialet humoristike të mos shiten në librari, por në farmaci

-Bujar, di që fëmijët e duan shumë humorin dhe karikatura i shkrin fare. Kur kanë një problem shëndetësor, prindi fillon të bëjë humor që fëmija të jetë më i duruar. Por ka raste kur prindi, edhe vetë është shumë i rënduar shpirtërisht dhe nuk e bën dot komikun. Duhet një ndihmë nga jashtë. A do të ishit i gatshëm ta mbushnit spitalin e fëmijëve me karikatura? Ndoshta mund të testohej…
Kjo që thoni ju është shumë e bukur. Humori është edhe një shërues, antibiotik shumë i mirë.Atëherë, duhet biseduar me ministren e Shëndetësisë. Do ta propozoj një projekt për një spital-pilot me pavijonet e mbushura me karikatura. Nëse muret e pavijoneve do të mbushen me karikatura dhe nëse do të ketë rregjistrime kaseta humoristike, barcaleta etj, gjatë kohës së trajtimit spitalor, do të ishte them me efekt për pacientët. Ju premtoj që do ta propozoj një projekt në spitalet e fëmijëve dhe të të rriturve. Kjo mund t i propozohet disa institucioneve; Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Pushtetit Lokal.
Madje, do t u sugjeroja edhe mjekëve të jenë sa më artistë, të përdorin ndjenjën e humorit në komunikim me pacientët. Kam pasur rastin të bëj karikaturë një gjinekolog tepër të njohur: Ilir Gjylbegun. Ai, në procesin e lindjes me një fëmijë në dorë dhe fëmija, jo duke qarë, por duke qeshur. Sepse Ilir Gjylbegu është njeri me shumë humor. Unë aty kam shkruar: “Fëmijët vijnë në jetë duke qarë, me doktor Ilir Gjylbegun vijnë duke qeshur”.
-Kur përshkruhen simptomat e sëmundjeve të ndryshme, që nga ato infektive, reumatizmale, kardiake, e lloj- lloj patologjish, mes shenjave të tjera kanë: RËNIE E HUMORIT…
Kjo është si puna e leukociteve në gjak apo e rënies së nivelit të sheqerit. Kështu është edhe rënia e humorit. Është tregues. Kur thotë dikush: Jam i mërzitur, nuk jam në humor të mirë , kjo do të thotë që është i sëmurë. Unë do të bëj këtu një propozim origjinal, të parin e këtij lloji, që librat humoristikë, kasetat humoristike dhe gjithë sa janë gjëra humoristike, të mos shiten në librari, por të shiten në farmaci. Sepse është ilaç dhe është bërë eksperiment nga mjekësia, që humori ndikon në shërim. Pra, librat humoristikë të jenë të bashkëshoqëruar me tabletat. Ne humoristët ndihmojmë në shërim dhe për këtë arsye, kemi nevojë të kemi ministrin tonë, ministren e Shëndetësisë. Të jemi edhe ne si një departament...

TEATRI
Bujar Kapexhiu tregon planet
“Tirana ka nevojë për Teatrin e Komedisë”

Ta shohim jetën tonë mbrëmjeve ashtu siç është, e vërtetë, por e përcjellë me humor. Për këtë na duhet të frekuentojmë ndonjë nga ato sallat që tani për tani nuk ekziston. Por do të bëhet një ditë realitet. Bujar Kapexhiu ka kohë që e bluan me miqtë e vet një plan të tillë. Tirana ka nevojë për një Teatër Komedie që të shkarkojë dramën e përditshme të rrugës. Ka nevojë për një valvul tjetër shkarkimi, për t u çtensionuar. Kështu, Kapexhiu mendon të përmbushë edhe një ëndërr të tij: teatrin, të cilin e paska dashur në heshtje më shumë se filmin.

-Bujar, publiku mban mend lehtësisht dy gjëra nga ju: firmën tuaj mbi grafika dhe portretin tuaj në disa kinokomedi. Cili është profesioni juaj i parë në fakt?
Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve (ish-ILA) për aktor në 67, në 68 si rregjisor dhe në 80 kam mbaruar për pikturë. Në fillimet e mia si regjisor dhe si aktor kam interpretuar në disa filma…Por teatrin e kam dashur më shumë se filmin. Është një kontakt direkt me spektatorin, një gjë emocionale. Kam shumë dëshirë të vë shfaqje teatrale dhe shumë më thonë. Por e kam vendosur në veten time: Do të vë vetëm shfaqje kombëtare, vetëm kur të kem në dorë pjesë shqiptare. Nuk dua të vë në skenë shfaqje të huaja. Le të jetë, qoftë edhe pjesë më e dobët, por ama të jetë shqiptare. Duhet të stimulohet teatri ynë. Ndërkaq, spektatori sot ka nevojë më shumë për teatrin komik sesa dramatik dhe po ta vini re, ndjek më tepër komedinë sesa dramën.
-Sepse dramën e ka përditë qytetari, e ka rrugës...Ndoshta do të ishte interesante një cikël teatror
Ne po përpiqemi, jemi në grup njerëzish që po përpiqemi të krijojmë Teatrin e Komedisë, krahas Teatrit Kombëtar, në të cilën mund të vendosen komedi me një akt, dhe shumë akte, por kryesisht komedi shqiptare.
-Por do të duhej edhe një trupë e mirë aktorësh. Do të preferonit nga brezi i vjetër apo nga brezi i ri?
Ka talente të mrekullueshme të brezit të vjetër, sikurse ka edhe talente të mrekullueshme të brezit të ri. Dhe ndërthurja e këtyre të dyjave- eksperienca me forcën e rinisë do të japin maksimumin. Teatri shqiptar në përgjithësi ka vuajtur nga rregjisura, sepse ne kemi aktorë të mrekullueshëm.
- Për komeditë që mendoni, shihni të përshtatshëm humoristët apo edhe aktorë të dramës?
Ka aktorë që janë të dyanshëm dhe këta janë padyshim, aktorët më plastikë, që janë si plastelinë të cilën mund ta ndërtosh dhe mund ta deformosh si të duash. Këta janë aktorët e rrallë.
-Kë keni parasysh këtu tani?
Robert Ndrenika, Roland Trebicka, por ka edhe të tjerë aktorë të mrekullueshëm të humorit dhe të dramës.
-Thonë që aktorët e zhanrit të humorit, e kanë shumë të vështirë të bëjnë humor, kur kanë halle të mëdha. Sepse duhet të dalin nga vetja.
Humori profesional prandaj është i vështirë, sepse duhet ta prodhosh, kur nuk të vjen. Ka aktorë shumë të mirë, të bëjnë ty për të qeshur, ndërkohë që në shtëpi kanë një gjendje të vështirë dhe ti po ta dije, do të qaje.

E qeshura është ngjitëse
Thuhet që më të suksesshëm janë ata që tregojnë bukur, por edhe qeshin njëkohësisht edhe vetë. Sepse e qeshura e tyre është nxitëse, tërheq. Kështu që unë qesh edhe vetë kur tregoj, sepse më duket si vetëshërbim.

Komplimenti
Babai i Anisa Markarjan
“Ka njerëz që tregojnë bukur humorin, ka njerëz të tjerë që dëgjojnë bukur, por ka edhe njerëz që qeshin bukur. Ti Bujar i ke të treja"

Fëmijëria, kur krijova teatrin e hijeve
Isha 10-12 vjeç atëherë, kur bashkë me disa shokë të mi realizova teatrin e hijeve. Në lagjje vendosëm një çarçaf të bardhë, që e ndriçonim nga prapa dhe aty ne lëviznim figura të ndryshme, që unë i vizatoja dhe i prisja. Kjo vazhdoi...Atë kohë banoja pranë liceut artistik, ku sot është rezidenca italiane. Aty ka qenë një grumbull i madh shtëpish të vogla prej qerpiçi dhe me bahçe shumë të mëdha, që sot nuk janë më. Mbaj mend veç këtyre shokët e vegjëlisë, mes tyre regjisorin, artistin e merituar, Dhimitër Pecanin, operatorin Lionel Konomi, mjekun e shquar Petraq Troja, sot në Amerikë etj.

Rëngu “rinor” i Kapexhiut
Bujar Kapexhiu ka pasur vërtet shumë humor! Ja përshembull, andej nga rinia e tij, kishte thënë se po ndiqte Fakultetin e Inxhinierisë, kur në fakt, shkonte përditë në auditorin e dramës. Me sa duket, skicat e vjetra të studentit të inxhinierisë së ndërtimit i mbante në dosje ende, edhe pse ato më të fundit, ishin skica të tjera, “shkarravina” prej aktori. Vetëm kur ishte në vitin e tretë të Institutit të Arteve, prindërit morën vesh se “inxhinieri” i tyre do bëhej artist. Dhe u mërzitën. Tani Bujarit i vjen të qeshë me këtë histori… E kishte nisur që kur ishte adoleshent, pikërisht atëherë kur nisin të piqen disa tendenca të njeriut për të bërë diçka, kur shpirti rebelues i moshës kërkon edhe ironinë. Gjimnazisti i “Petro Ninit” kishte paralajmëruar qysh atëherë të ardhmen: Në atë kohë kur zhargoni i moshës shpërthen në stigmatizime, ai kapi lapsin për të stigmatizuar mësuesit, nxënësit “e këqij” dhe prindërit e disave. Karikaturat e para mbushën gazetën e murit. Ata që vinin vonë, ata që ankoheshin për shëndetin, që grindeshin, etj, ishin gjithnjë në stendë. Të tjerat, me porosi të mësuesve.

HUMORI NE FAMILJE
Jam betuar t i shtoj qeshjen familjes sime
“Edhe familja ime e meriton një karikaturë. Do ta bëj së shpejti”

E keni vënë re që njerëzit qeshin më shumë në shoqëri sesa në familje? Sikur çtensionohen më mirë. Por me familjen Kapexhiu nuk ngjet kështu. Bujari vetë thotë se ka një familje të inkuadruar në një grup shoqëror dhe “është betuar” që ta bëjë shtëpinë e tij të qeshë sa më shumë të mundë. Por i ka mbetur borxh familjes një karikaturë, që premton se do ta bëjë patjetër. Ndërsa veten e tij e ka bërë karikaturë mëse një herë dhe për këtë thotë: “E kam bërë që të jem ballëhapur me të tjerët, që të mos më zemërohen.”
Në përgjithësi, prirja ime nuk është deformacioni i shumtë i personazhit, por është vendosja e personazhit në një situatë, në një marrëdhënie humoristike me profesionin e tij, me karakterin e tij. Karikaturat e mia janë miqësore”.
-Të pasurit e dhuntisë për të krijuar humor si art, a pasqyrohet edhe në natyrën e brendshme të njeriut (tuajën) dhe në marrëdhëniet e tij me njerëzit e tjerë?
Padyshim. Duke nisur që nga familja. Jam njeri i batutave, i situatave humoristike.
-Ata qenkan me fat...
Padyshim. Ata, me fat që më kanë mua, por edhe unë që i kam ata. Në përgjithësi nuk jam njeri me qoshe, por jam tip rrumbullak, mundohem gjithnjë që edhe kur ka konflikte në shoqëri, kur ka keqkuptime, unë të ndërhyj me humorin tim, me batutën time për ta kaluar.
-Këtë lojë i bën edhe gruas tënde që “ta zbusësh”?
Nuk ka nevojë, sepse gruaja ime është kaq e butë sa, ajo më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme.
-Të vjen pas avazit apo të përgjigjet me gjuhën tënde të batutës?
Ajo qesh bukur, por e ngacmoj, i kam thënë që “Ajo qesh rrallë, qesh vetëm në ditë festash”. Në shtëpi mua më pason djali, ai bën shumë humor, është tip alegro.
-Djali i babait me çfarë merret?
Djali im, Kledi po shkon 29 vjeç, ka mbaruar për regjisurë, ka mbaruar edhe për pikturë, ka ndjekur linjën time. Ai ka një studio të tijën ku merret me xhirimet, me montazhet, me kompjuterat.
-Bashkëpunoni?
Sigurisht, por më tepër bashkëpunimi është në përplasjen e koncepteve mes të resë e të vjetrës.
-A ka të dashur Kledi?
Po, ka një të dashur, të cilën e pëlqen shumë dhe me sa e shoh, edhe ai është me shans në këtë drejtim. Ka gjetur një vajzë shumë të mirë dhe them se e ka shumë seriozisht.
-Po dy vajzat me çfarë?
Vajza ka mbaruar për ekonomi biznes, sepse ka qenë shumë e zonja në matematikë. Megjithëse kështu, si natyrë, më ka ngjarë mua. Kurse tani, pas masterit, do të fillojë doktoraturën. Ajo është 25 vjeçe. Gruaja ka mbaruar për inxhinieri mekanike dhe sot merret me bibliografinë, shefe në Bibliotekën e Universitetit.
-Gruas i keni bërë karikaturë?
Jo, vetëm një portret i kam bërë. Por duhet patjetër t i bëj edhe një karikaturë. Ja kjo është një mangësi dhe faleminderit për sugjerimin. Do të vazhdoj t i bëj të gjithë familjes. E gjithë familja ka nevojë për një karikaturë, ashtu siç ka nevojë për një fotografi të përbashkët.
Bile unë u kam sugjeruar disa politikanëve që mbajnë nëpër zyrat e tyre fotografi që janë edhe të trukuara, si për të ngjarë më bukur (!), u kam rekomanduar që të mbajnë në vend të tyre, një karikaturë. Do të ishin më tokësorë. Unë do t ju thosha që Xhorxh Bush mban në studion e tij një karikaturë të tijën, që ia ka bërë një karikaturist i famshëm italian, Koratini.
-Kurse unë tani po i bëj me mend një karikaturë vetes sime dhe po më vjen për të qeshur...
Shiko, karikatura kap gjithnjë të veçantën. Kërkon diçka specifike edhe në linjën e portretit, edhe në karakter. Karikaturë nuk bëhet vetëm vesi, por edhe ato gjëra që bëjnë përshtypje. Por ështe e çuditshme se disa njerëz, disa personazhe është shumë e vështirë të bëhen karikaturë, sepse janë tepër të përgjithshëm, nuk kanë një gjë të evidentueshme. Kurse ka karaktere të tjera që japin shumë dorë t i bësh.
-Nga e trashëgoni genin e humorit?
Unë dhe motra ime jemi me shumë humor, me sa duket, dhuratë nga babai. Ndjenjën e humorit im atë e ka patur të vetvetishme, por e kishte si rrufe në qiell të pastër: E lëshonte tepër i qetë batutën. Ndërsa mbështetëse, udhëheqëse të të gjithë linjës sime të krijimtarisë kam patur nënën. Ajo ishte admiruesja numër 1. Them se ka qenë konsumatorja dhe shkëndija e humorit tim që në vogëli.

Magjia e humorit
Femrat duan të qeshin, humori të jep sukses

“Në përgjithësi, artistët humoristë janë më të suksesshëm në dashuri sipas statistikave botërore. Në përgjithësi, femrat e pëlqejnë humorin, duan të qeshin dhe duan të kenë në rrethin e tyre dikë që u bën humor, sikurse edhe dikë që u këndon serenata. Një shoqëri që i ka të dyja këto, i ka të tërë komponentët e duhur. Vlerën e humorit, njerëzit e njohin vetvetiu. Humori është çelësi që hap bravën më të sofistikuar Ai njeri që ka humorin, ka një armë që lehtëson situatën edhe në çastet më të vështira. Çdo ngjarje, sado e dhimbshme, ka një linjë që mund ta trajtosh nga ana humoristike. Në momentet më serioze, humori nuk na braktis por na gjen.”

Ky lajm është publikuar: 09/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›