E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesionet false, ndiqet penalisht 60-vjeçari

Autori i Lajmit: red.
Falsifikon ditëlindjen për të fituar pension para kohe vihet nën akuzë nga policia. Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Agim Koçin, 60 vjeç, banues në Tiranë, sepse ka falsifikuar dokumentet e gjendjes civile për të përfituar pension në mënyrë të padrejtë. Ndërkohë që dosja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës numri i të dyshuarve për falsifikime me pensionet arrin në 210. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se dosjet në fjalë u përkasin personave të ndryshëm, të cilët dyshohet se kanë përfituar pension pleqërie përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe mashtrimit me vjetërsinë e punës. Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se dokumentet shkresore të këtyre dosjeve po u nënshtrohen ekspertizave përkatëse, të cilat në shumë raste kanë provuar falsifikimin e dokumenteve me qëllim përfitimin e pensionit të pleqërisë. Ndërkohë grupi i hetimit po merr në pyetje personat e dyshuar për përfitim pensioni në mënyrë të paligjshme. Hetimet kanë përfshirë edhe ish-punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, të cilët mendohet se kanë favorizuar individë të caktuar në marrjen e pensionit të pleqërisë. Ndërkohë rreth 120 ish-minatorë të rrethit të Kukësit janë denoncuar deri tani në Prokurorinë e këtij rrethi për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare me qëllim përfitim pensioni. Burime nga Drejtoria rajonale e Sigurimeve Shoqërore bëjnë të ditur se në jo pak raste skema e sigurimeve shoqërore është kthyer në strehë të përfitimit korruptiv të të ardhurave nga persona të ndryshëm. Një gjë e tillë është evidentuar veçanërisht pas kontrollit të ushtruar ndaj gjithë dokumentacionit të dosjeve të ish- minatorëve të rrethit të Kukësit. Burimet saktësojnë se pjesa më e madhe e dokumentacioneve për pension ka rezultuar me probleme. Sipas të njëjtave burime, mësohet se hetimet kanë çuar dhe në pezullimin e 207 dosjeve të tjera me të cilat dyshohet se janë kryer shkelje, pasi deri tani rezultojnë me mangësi.
Ky lajm është publikuar: 08/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›