“Axhenda e integrimit prioriteti madhor i qeverisjes dhe kontributi thelbësor i LSI”
Mblidhet Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së, zgjedh disa drejtues të rinj
TIRANE – “Axhenda e integrimit do të jetë prioriteti madhor i qeverisjes dhe kontributi thelbësor i LSI-së në Qeveri”, konfirmoi dje, Komiteti Drejtues Kombëtar i kësaj force politike, duke mbështetur në mënyrë unanime të gjithë veprimin politik dhe përfaqësimin e LSI-së në Qeverinë e Integrimit.
Në këtë mbledhje, anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar mbështetën në mënyrë unanime të gjithë veprimin politik dhe përfaqësimin e LSI në Qeverinë e Integrimit.
Në një deklaratë për shtyp, Drejtori i Marrëdhënieve me Median në LSI, Dritan Ylli informoi mbi konkluzionet e mbledhjes së KDK-së, ku sipas tij, “u vlerësua përfshirja e prioriteteve programore të LSI-së, në programin qeverisës”.
KDK vlerësoi gjithashtu se integrimi dhe në mënyrë specifike problemi i liberalizimit të vizave, do të jetë prioritet i padiskutueshëm i LSI-së në të gjithë angazhimet e saj.
Në mbledhjen e djeshme, KDK miratoi disa plotësime në kryesinë e LSI-së, duke zgjedhur Edmond Haxhinasto në vendin e zëvendëskryetarit të LSI-së, Prof. Edmond Panariti në vendin e Kryetarit të KDK-së, Lefter Koka në postin e nënkryetarit dhe Monika Kryemadhi, Sekretare Organizative e LSI-së.
Gjithashtu, Ylli informoi se në mbledhjen e djeshme u zgjodhën si anëtar të kryesisë së LSI-së edhe Prof. Shezai Rrokaj, Leonard Beqiri, Edmond Hoxha, Nasip Naço, Matilda Merxhani, Bujar Hasa, Pjerin Xhuvani dhe Qemal Elezi.