Në Vojvodinë shtohen protestat kundër tentativave për zvogëlimin e autonomisë
Një gjykatë serbe ka hedhur poshtë kufijtë e autonomisë së Vojvodinës, duke i cilësuar burimet e legjislacionit që i jep Vojvodinës autonomi janë jokushtetuese. Vendimi është përshëndetur nga Nikoliç dhe Daçiç, por ka shkaktuar një trazirë politike që rrezikon të destabilizojë të gjithë Serbinë
Një vendim i Gjykatë kushtetuese të Serbisë që pakëson autonominë e Vojvodinës po ndez një debat të ri rreth njësisë e në se qeveria e re serbe do të kërkojë koncesione të mëtejshme. Vendimi i gjykatës më 10 korrik vjen vetëm disa javë pas zgjedhjes së ish-nacionalistit Tomisllav Nikoliç si president dhe ndërsa një qeveri koalicioni e kryesuar nga ish-zëdhënësi i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i ngarkuar Ivica Daçiç përgatitet të marrë pushtetin. Vendimi do të thotë se krahina nuk do të ketë më juridiksion mbi mjedisin, bujqësinë e politikat e zhvillimit rural. "Ky vendim është sulmi më i madh mbi demokracinë në Serbi që nga vrasja e Zoran Gjingjiçit", tha Branisllav Grubaçki, ish-anëtar i parlamentit për Ligën e Social Demokratëve të Vojvodinës. "Daçiçi kishte thënë se nuk do të kishte ndërhyrje të mëtejshme në autonominë e Vojvodinës, por nuk duhet besuar". Të tjerë, duke përfshirë partitë politike më nacionaliste, e mirëpritën vendimin e gjykatës. "Serbia mund të jetë e kënaqur sepse rendi kushtetues e ligji i vendit janë mbrojtur nga padrejtësia e ndarja, që tregon se Serbia ka një të ardhme nëse e zhvillon atë si një vend i përcaktuar ligjërisht", tha Vojisllav Koshtunica, president i Partisë Demokratike të Serbisë. Gjykata hodhi poshtë gjithashtu përcaktimin e Novi Sadit si kryeqytet i Vojvodinës dhe praninë e zyrave të Vojvodinës në Bruksel - që krahina i hapi tetorin e kaluar për të fituar mundësi më të mirë të përdorimit të fondeve rajonale të BE-së e për të përmirësuar investimet e huaja - dhe gjetkë.
Vojvodina e Kosova gëzonin statusin e krahinave autonome brenda Serbisë, një status i fituar nga kushtetuta e ish-Jugosllavisë e 1974-ës. Autonomia e provincave u pakësua në mënyrë rrënjësore më 1989, kur Sllobodan Millosheviç nisi të ashtuquajturin "revolucion kundër burokracisë", për të konsoliduar e centralizuar pushtetin. Asambleja e Vojvodinës miratoi një statut më 2009 që nxori në pah statusin autonom të krahinës e respektin për të drejtat e pakicave në reagim ndaj kushtetutës së Serbisë të 2006-ës; shumë besonin se kjo e fundit i dha autonomi të pamjaftueshme Vojvodinës. Ligji i sapo-kundërshtuar mbi juridiksionion e Vojvodinës u miratua për të ligjëruar përmbajtjen e statutit të Vojvodinës në një nivel kombëtar. Ish-Presidenti Boris Tadiç e shpalli atë të vlefshëm me dekret dhe e zbatoi më 2010. Disa pakica kombëtare e përshkruan vendimin e gjykatës si problematik e të motivuar politikisht. "Ka patjetër arsye politike për veprimet e gjykatës kushtetuese. Megjithatë, ende duhet të shohim të gjithë vendimin prej 90 faqesh sepse nuk është bërë akoma publik. Kemi parë vetëm një ose dy faqe," tha për SETimes Pasztor Balint, kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës. Më shumë se një e treta e gati 2 milionë banorëve të Vojvodinës përbëhen nga hungarezë, sllovakë, kroatë, malazezë, rumunë, romë, ruthenianë bunjevci e maqedonas dhe pakica më të vogla numerikisht. Grubaçki tha se nëse degradimet e autonomisë së Vojvodinës vazhdojnë, ai do të detyrohet të kthehet në politikë. "Të tjerë do bashkohen me mua e do të jetë një lëvizje e përqendruar rreth vetëm kësaj çështje", tha Grubaçki.