Mazhoranca dhe opozita miratojnë me 127 vota “pro” Kodin e ri Zgjedhor
Konsensusi i arritur në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor vijoi edhe dje në seancë plenare, kur mazhoranca dhe opozita votuan në unanimitet me 127 vota “pro” ndryshimet në ligjin elektoral. Dy vota kundër dhe 3 abstenim, përkatësisht të Fatmir Mediut dhe Gazmend Oketës si dhe tre deputetëve të LSI-së, nuk ia zbehën frymën pozitive marrëveshjes së arritur mes dy partive të mëdha që në thelb ka edhe respektimin e të drejtave të partive të vogla, partnere të koalicioneve përkatëse.
Kryetarja e Kuvendit, Topalli ka vlerësuar punën e rëndësishme që është bërë me këtë reformë, duke plotësuar kështu një nga 12 pikat e Komisionit Evropian për integrimin e vendit.
“Puna e bërë për Reformën Zgjedhore ka qenë e gjithanshme dhe shumë e mirë”, tha kryeparlamentarja Topalli.
Për herë të fundit para gongut të votimit partitë e vogla folën të parat, duke shfaqur kundërshtimet e tyre.
Kryetari i mazhorancës garantoi aleatët e tij për fitore dhe se nuk kanë për të provuar te ai kurrë tradhtinë që provojnë aleatët e Edi Ramës.
Në emër të deputetëve socialistë vlerësoi pozitivisht ndryshimet në Kod ish-bashkëkryetari i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri. Ai tha se zgjedhjet me standarde, sidoqoftë nuk garantohen nga ligji, por nga vullneti i opozitës e mazhorancës për të zbatuar me korrektësi ligjin.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha tha se rruga ishte e vështirë, për shkak të parimeve jo demokratike që ndoqi PS, por tashmë administrata e re do të ketë kohën e duhur për të garantuar zbatimin e ligjit tashmë të përsosur sipas rekomandimeve të ODIHR. Kryeministri rezervoi gjatë fjalës së tij edhe thirrjen e radhës ndaj opozitës që të ruajë këtë klimë konsensusi edhe për heqjen e imunitetit, pse jo dhe para 6 gushtit. Në 11 korrik, PD-PS pas shumë debatesh ranë dakord edhe për tre çështjet e cilësuar të “nxehta”, riformatimi i KQZ-së, procesi ankimor dhe teknologjia e numërimit të votave në zgjedhjet e ardhshme.
Aktiviteti i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore zgjati më shumë se 7 muaj, ndërsa parlamenti i zgjati plot 3 herë mandatin për kompletimin e ligjit elektoral. Ndonëse Parlamenti miratoi me konsensusin e opozitës Kodin Zgjedhor, nuk e pati këtë votë rezoluta e KQZ-së për veprimtarinë gjatë vitit 2011, institucion i cili me Kodin e ri Zgjedhor do të ketë kryetarin e tij sipas një formule të re.