E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka e ambasadorëve përshëndet Kodin, kërkon konsensus për imunitetin brenda 6 gushtit

20-07-2012 / Gazeta 55

Arvizu: “Jo shtyrje të imunitetit”
Sequi: “Po përmbushen rekomandimet”
Wollfarth: “Imuniteti pengesë në luftën kundër korrupsionit”
 
Trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë ka përshëndetur votimin me konsensus të reformës zgjedhore. Ndërsa kanë ndjekur në sallën e Kuvendit votimin e kodit të ri elektoral, tre ambasadorët, ai i SHBA-së Aleksandër Arvizu, i BE-së Ettore Sequi dhe i prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth kanë theksuar se i njëjti vullnet politik duhet të vijojë edhe për dy çështjet e tjera si reforma parlamentare dhe heqja e imunitetit.
Në një prononcim për mediat menjëherë pasi Kuvendi miratoi me konsensus ndryshimet në kodin zgjedhor, ambasadori Arvizu u shpreh i surprizuar pasi nuk e priste.
“Kur flasim për mungesën e besimit është fakt i trishtueshëm, por do jem i sinqertë me ju, nuk e kisha menduar se do e miratonin reformën zgjedhore dhe gjithashtu e kuptoj zotin Dule, Oketa, Mediu dhe partitë e vogla sepse e di që ka pasur diskutim për sistemin, nuk ka qenë i mundshëm, por do jetë në të ardhmen. Të jem i sinqertë nuk e dija që do e kalonin reformën zgjedhore në Kuvend, kam humbur dy baste se nuk e kisha menduar se do e kalonin, edhe me mungesën e besimit nëse kaluan reformën do kalojnë edhe imunitetin”, u shpreh Arvizu.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për çështjen e imunitetit, Arvizu apeloi që palët të bien dakord dhe të gjejnë vullnetin e duhur në mënyrë që më 6 gusht të votojnë heqjen e tij. Ai theksoi se është i panevojshëm shtyrja e votimit të ndryshimeve kushtetuese për kufizimin e imunitetit, pasi deri në 6 gusht ka kohë të mjaftueshme, për diskutime dhe konsultime, pavarësisht se ekspertët ndërkombëtarë kanë kontribuar për këtë proces.
“Mendoj që të gjitha palët duhet të bien dakord dhe janë të zëshëm që imuniteti duhet të hequr. A duhet shikuar me kujdes, absolutisht po. Jemi të sinqertë nuk është diçka që ka ndodhur brenda natës, pra nuk është tematikë e re, ekspertët ndërkombëtarë kanë kontribuar për këtë proces. Kemi pasur shumë takime. Gjatë 7 deri në 10 ditët e ardhshme do ketë shumë aktivitete, debate publike dhe diskutime. A nevojitet shumë kohë, ndoshta, por dua të jem i sinqertë. Sot është 19 korrik dhe koha nga sot deri më 6 gusht në periudhën shqiptare është përjetësi dhe nuk është tematikë e re, por nëse ka vullnet mund ta heqin imunitetin”, tha më tej, Arvizu.
I pranishëm në seancën e djeshme parlamentare ishte edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili pas përfundimit deklaroi se, procesi i ndryshimeve në ligjin zgjedhor u kurorëzua me sukses.
“Jemi të lumtur që ky proces u kurorëzua. Besoj se të dyja palët kanë dëshmuar gatishmëri dhe vullnet politik. Mendoj se duhet të përgëzojmë të dyja palët”, tha ai.
Sequi e cilësoi miratimin e Reformës Zgjedhore, një hap të rëndësishëm para, për integrimin në BE.
“Rezultati i ditës së sotme është një hap shumë i rëndësishëm për integrimin. Ky vullnet nuk ishte i lehtë, por palët duhet ta vazhdojnë”, shtoi ai.
Ai apeloi për gjetjen e vullnetit të përbashkët politik edhe për heqjen e imunitetit e reformën parlamentare. “Çështja e reformimit të rregullores, një ndër pikat e marrëveshjes së arritur në nëntor dhe që nuk është trajtuar ende, dhe heqja e imuniteteve, në përputhje me standardet evropiane, janë shumë të rëndësishme që të bëhen hapa para drejt BE-së”, tha ai.
Edhe kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori, Eugen Wollfarth vlerësoi dje miratimin nga parlamenti shqiptar të Kodit të ri Zgjedhor me konsensus të mazhorancës dhe opozitës. Ai e cilësoi përmirësimin e ligjit elektoral si shenjë besimi mes palëve politike dhe zgjedhësve. Ndërsa theksoi se Kodi i ri Zgjedhor është produkt i adresimit të rekomandimeve të ODIHR.
“Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor pas një procesi gjithëpërfshirës negociatash, përbën një hap të madh për Shqipërinë drejt demokratizimit të mëtejshëm të vendit. Kjo reformë ka për qëllim të kontribuojë për të siguruar që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të mbahen në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Edhe me një Kod Zgjedhor të përmirësuar, vullneti politik është një element i domosdoshëm për zbatimin e Kodit Zgjedhor, për krijimin e besimit në të gjitha nivelet – midis zgjedhësve, komisionerëve dhe politikanëve - dhe për krijimin e një mjedisi drejtësie dhe të respektimit të rregullave”, u shpreh Wollfarth.
Ai theksoi se prezenca e OSBE-së dhe Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) kanë mbështetur zbatimin nga autoritetet shqiptare të rekomandimeve të ODIHR-it, duke ofruar gjithashtu ekspertizë për institucionet përkatëse shtetërore. “Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të asistojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë aktorët e tjerë në zbatimin e legjislacionit zgjedhor”- theksoi ai.
Wollfarth i mëshoi gjithashtu edhe nevojës për adresimin nga ana e Kuvendit të çështjes po aq të rëndësishme të imuniteteve. Ai i kujtoi klasës politike vështirësitë që krijon imuniteti në luftën ndaj korrupsionit.
“Imunitetet e deputetëve dhe gjyqtarëve mbeten një pengesë madhore për hetimin e rasteve të mundshme të korrupsionit. Pas shumë vite diskutimesh, tani duket se është koha e duhur për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të hequr imunitetin që gëzojnë këta zyrtarë. Në fakt, aktorët politikë kryesorë dhe faktorët e interesuar duket se janë dakord. Nënshtrimi ndaj Kushtetutës dhe ligjit është i rëndësishëm për të gjithë, duke përfshirë edhe zyrtarët, dhe për këtë arsye nuk duhet të ekzistojë asnjë lloj pandëshkueshmërie kur ka shkelje të ligjit”, deklaroi më tej ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Wollfarth duke i bërë thirrje Kuvendit që ta shfrytëzojë siç duhet kohën e mbetur, për të synuar arritjen e një marrëveshjeje deri në 6 gusht.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›