E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Zagreb për ta ftuar Dinamon

Fadil Vokrri është ftuar nga drejtuesit e Dinamo Zagrebit për ta përcjellë ndeshjen derbi ndaj rivalit Hajduk. Ai këtë vizitë pritet ta shfrytëzojë të ftoj gjigantin kroat në Kosovës për ta zhvilluar miqësoren e shumëpritur. Numri një i futbollit kosovar pritet të takohet edhe me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kroacisë. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 19 mars 2011 në ora 14:41

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, është ftuar nga zyrtarët e Dinamos së Zagrebit për ta përcjellë derbin kroat që kjo skuadër do ta zhvillojë të shtunën mbrëma ndaj rivalit nga Spliti, Hajduku.

Vokrri nuk do të jetë i vetëm në këtë ndeshje, pasi do të jetë i shoqëruar edhe nga selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki. “Kjo vizitë e imja në Kroaci është në vazhdën e përpjekjeve të ndërkombëtarizimit të futbollit tonë”, tha Vokrri për Express.

Udhëheqësit e futbollit kosovar kanë marrëdhënie të mira me zyrtarët e Dinamos, ku luajnë edhe dy futbollistët kosovarë, Fatos Beqiraj dhe Arian Ademi, derisa këtë vizitë pritet ta shfrytëzojnë të ftojë gjigantin kroat në Kosovës për ta zhvilluar miqësoren e shumëpritur.

Në muajin e kaluar Dinamo e Zagrebit në çastet e fundit e pati anuluar udhëtimin drejt Prishtinës, për ta zhvilluar një miqësore me përfaqësuesen e Kosovës për nder të ditës së pavarësisë të vendit tonë, pasi stadiumi i Prishtinës ishte duke u riparuar.

“Siç dihet, ndeshja qe anuluar shkaku i disa problemeve teknike dhe kroatët patën thënë se në Kosovë do të vijnë me një datë tjetër. Unë do të bisedoj me zyrtarët e Dinamos rreth gjetjes së një date të përshtatshme për të dyja palët për ta luajtur atë miqësore”, u shpreh Vokrri.

Përveç drejtuesve të Dinamos së Zagrebit, Vokrri e Bunjaki pritet të takohen edhe me zyrtarë tjerë të lartë të Federatës së Futbollit të Kroacisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›