Arrestohen katër veta për trafikim femrash
Pas hetimeve disamujore, Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore në rajonin e Prizrenit ka realizuar një operacion policor të koduar me emrin “Vitia”, me ç’rast janë arrestuar katër persona me dyshimin se kanë kryer veprat penale trafikim më qenie njerëzore dhe prostitucion.
Personat e arrestuar janë dy meshkuj, njëri nga rajoni i Prizrenit dhe tjetri nga rajoni i Gjilanit, si dhe dy femra nga rajoni i Gjilanit. Personat e arrestuar, që të gjithë të nacionalitetit shqiptar, janë zënë në kryerje të veprës penale dhe dyshohet së të njëjtit kanë bashkëvepruar gjatë kryerjes së veprave penale.
Operacioni policor është zhvilluar të premten dhe mbështetur nga njësitet policore, antidroga, njësiti i hetimeve rajonale dhe njësiti special i rajonit të Prizrenit.
Lidhur me rastin janë identifikuar edhe persona tjerë si të dyshuar që janë pjese e këtij rrjeti kriminal dhe që kanë vepruar edhe në qytete tjera të territorit të Republikës së Kosovës dhe hetimet ndaj tyre janë duke vazhduar.
Me urdhër të prokurorit personat janë ndaluar dhe janë dërguar në qendrën e paraburgimit.