Ne arkat e shtetit grek vetem 2 miliard euro

Qytetarët grekë të cilët pritet të japin votën e tyre për qeverinë e re të dielën më 17 qershor duhet të jenë objektiv në zgjedhjen e tyre, pasi shteti disponon në arkat e tij vetëm dy miliardë euro me të cilat mund të garantojë vetëm pagat dhe pensionet e punonjësve publikë deri më 20 korrik. Lajmi bëhet ei ditur nga gazeta helene Kathimerini. Ky lajm i shpërndarë ë tej edhe nga media të tjera greke nuk është konfirmuar por as përgënjeshtruar nga ministria e Financave greke, e cila ka afirmuar përmes një komunikate se pensionet e korrikut nuk janë në rrezik. Por një gjë është e sigurt se fondet e instituteve të sigurimeve shoqërore në sektorin privat grek janë në pikën e falimentimit. Alarmin e ka dhënë ministri i Punës dhe çështjeve sociale Antonis Roupakiotis i cili ka shtuar se nuk është në gjendje të sigurojë se këto institute do të jenë në gjendje të paguajnë kuotat e duhura gjatë verës.
Për korrikun parashikoj mbi bazën e të dhënave që disponojmë se pensionistët duhet të fillojnë të shqetësohen ka thënë Roupakiotis. Nga ana tjetër edhe Agjencia për angazhimet e burimeve njerëzore greke konfirmon se financat e të gjitha fondeve sociale dhe mbi të gjitha ato të subvencionuara nga buxheti i shtetit janë në kushte të këqija. Sipas kësaj zyre për të paguar ndihmat sociale ka vetëm 260 milionë euro. Ministri i Punës dhe çështjeve sociale ka pranuar se vetëm një në pesë të papunë do të përfitojë ndihmën sociale. Ndër të tjera ka afirmuar se 500 punonjës të sindikatave janë pa pagesë prej muajsh dhe se programet e turizmit social, që u japin punonjësve pushime të subvencionuara janë pezulluar.