E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ne Eurozone ende e dobet

Rritja ekonomike në Eurozonë vijon të mbetet ende e dobët  e ndikuar nga rreziqe të mëdha kryesisht nga një shtim i mëtejshëm i tensioneve në tregjet financiare. Është ky parashikimi i bërë nga BQE në raportin mujor të qershorit. Sipas këtij raporti tregu i punës dhe pritjet për të janë përkeqësuar më tej. 
Gjatë 2012-ës rritja e PBB në Eurozonë parashikohet sipas BQE mes –0.5% dhe 0,3% ndërsa për vitin e ardhshëm mes 0 dhe 2%. Gjithashtu konfirmohet edhe niveli inflacionit në vendet e euros në mbi 2% për të gjithë vitin 2012 me një rënie të këtij niveli në fillim të 2013-ës. 
Vende të ndryshme të Eurozonës do të shënojnë çekuilibra të zgjeruar që duhen korrigjuar sugjeron instituti i Frankfurtit, kërkohen reforma më të mëdha në sektorin financiar, të punës dhe atë të mallrave e shërbimeve të cilat do të ndihmojnë promovimin e një rritje të qëndrueshme. Më tej në raportin mujor të BQE thuhet se nevojitet një fuqizim i konkurrencës në sektorin e mallrave e shërbimeve edhe përmes kompletimit të tregut unik, ndërsa përshtatja e pagave duhet të vijë në mënyrë fleksibël, duke reflektuar kushtet e tregut të punës dhe produktivitetit. Reforma të tilla në mbështetje të rritjes do ta bëjnë më të shpejtë procesin e nevojshëm të korrigjimit të bilanceve dhe do të favorizojnë krijimin e vendeve të punës, përfundon raporti i qershorit të BQE. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›