E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në autobusët urbanë të ferrit



Nga Luan Kondi

Mos më pyesni se ku kam qenë nëse më shihni të djersitur në këtë tmerr të temperaturave të larta. Nuk do t’ju flas edhe po këmbëngulët të merrni nga unë një përgjigje për aromën e pakëndshme të djersës së dekompozuar tek unë, edhe pse kam dalë pak minuta më parë i larë nga shtëpia. Por e kam bërë gabimin, e nuk kam mundësi tjetër, kam hipur në autobusin e shërbimit urban të një prej linjave kryeqytetase.
Gjithkush do ta besojë kalvarin e udhëtimit tim me autobusët e ferrit, edhe pse në distancë fare të shkurtër.
Më njohin mirë faturinot e urbanëve, se gjithnjë udhëtoj me lekë në dorë, pa abone, madje, në shumicën e rasteve, nuk marr biletë nga ata, ose vetëm ndonjë malësor me namuz (të paktën kështu të jap përshtypjen dialekti që flasin), më jep kundër-biletën, pasi biletën e rregullt ia ka dhënë pasagjerit që u paraqit tek ai para meje. Këto nuk kanë shumë rëndësi, pasi pronarët e kuptojnë se ata hanë të ngopin barkun, e pinë të shuajnë etjen me lekët që janë e nuk janë të tyre. Pasi kam përmbushur detyrimin financiar, kam gëzuar biletaprerësin, mbahem në hekurin vertikal të urbanit (se jam paksa i shkurtër të arrij atë horizontal), por ndiej se kam fare ngjitur një tjetër nevojtar, që ashtu si unë, është shkrirë në djersë. E kam aq pranë e ai ka po ngjitur një tjetër, sa i ndiej edhe frymën, se lagështirën e djersës e kemi shkëmbyer, marrëdhënie të mira të ngjitësisë këto, dhe mbajmë gojën hapur si peshqit në zall, se hunda nuk mjafton për t’u furnizuar me ajër, që gjithashtu u mungon mushkërive.
Të mjerët ne! Po paguajmë çmimin e rritur të biletës, por përsëri udhëtojmë në kushtet që kemi pasur këtu e vite, e vite më parë.
Unë dhe ata që kam ngjitur, që tashmë më bëhet se i njoh prej kohësh, jemi mirë, por këtë nuk mund ta them për disa të moshuar që Zoti e di se ç’hall i ka detyruar të dalin, e madje të pashoqëruar. Më dhimben edhe fëmijët e vegjël, që prindërit ua fshijnë djersët, por përsëri ata mbulohen nga bulëza të reja, që i detyrojnë prindërit ta bëjnë e ribëjnë derisa të zbresin. Disa gra nuk e kanë harruar erashkën që në dorën gjithnjëtundëse duket thjesht një vijë imazh që lëviz shpejt përpara fytyrës së tyre, e ky quhet udhëtim me aspirim privat e personal. ǒtë bëjnë të gjorat kur nuk kanë lekë për naftë pronarët e linjave të shërbimit urban, se kanë kohë që thonë se nuk fitojnë asgjë. Ata janë vërtet më të varfër se ne, jo në lekë, por në mendje.
Faturinoja shtyn dhe herë pas here pyet nëse kemi paguar, apo jo. Askush nuk ka kohë t’i përgjigjet, ose ngushtësia na e ka marrë frymën dhe ai e kupton e largohet ashtu siç erdhi, duke shtyrë të tjerë që pengojnë rrugën e tij.
Sa shumë jemi pa makina! Sa shumë udhëtojmë dhe s’ndalemi! Sa shumë popull jemi! Por ç’të bëjmë, e kemi nga halli, se për qejf, kur duam të djersitim vrapojmë nga Liqeni, si ndonjë analist, intelektual, deputet, politikan, apo ndonjë tjetër që ruan linjat, se u duhet performanca.
Kulmi i udhëtimit tim, udhëtimit tonë të përvuajtur, është debati i një gruaje, e cila mbante fort çantën me të dyja duart, me një djalë që nuk duhet të ishte më shumë se 16-17 vjeç. Edhe ai e kishte një çantë, por e mbante në shpinë pa problem, se i duhet të jepte përshtypjen e rreme të një alpinisti, por në të vërtetë ishte personi që inventarizonte paratë e kuletave të udhëtarëve. Të gjithë e kuptuam se gruaja e kishte pikasur zgjatjen e duarve të tij drejt çantës së saj, ashtu kot, për qejf, se janë shtuar ca si shumë ata që e kanë një mani të tillë, por askush nuk foli. Personi që heshti më shumë ishte faturinoja, që sigurisht në të tilla raste bën abstenuesin, se nuk ka ç’i duhet. Ai është vetëm për të marrë lekët e biletave, vjedhja e të tjerëve është iniciativë private e hajdutit dhe ky i fundit, sipas tij, nuk pyet askënd. Kur i thua se nuk duhet të qëndrojë indiferent në të tilla raste, të sheh me inat e madje të përgjigjet serbes duke të akuzuar se i ke thënë diçka që ai e di, por vetëm se nuk ka mundësi të ndërhyjë. S’ka gjë, përgjigjen vjedhësit, ia dha vetë gruaja, e cila kur ai zbriste si të mos kishte ndodhur asgjë mes tyre, i tha se do ta kapte e do ta rrihte, ne goxha burra, edhe faturinoja, edhe shoferi, edhe.... mbanim vesh se çdo të ndodhte më tej. Sa të “mirë” jemi, larg nesh themi, edhe pse e dimë se po nuk na ndodhi sot, nesër është e sigurt se do të na ndodhë. Nuk ma ha mendja se ka ndonjë prej nesh që nuk e ka provuar dorën e tjetrit, hajdutit, në xhepin e tij, ndaj dhe të mos bëjmë indiferentin kur ajo është futur në kuletën e fqinjit.
Ka edhe më po deshët, se udhëtimit të ferrit me urban nuk i mungon asgjë për ta merituar plotësisht këtë emër...

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›