E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Amerika për vrasjen e 13 vjetëve më parë



Tiranë – Ishte larguar pas krimit të dyfishtë por edhe në Amerikën e largët nuk ka mundur të fshihet për më shumë se 13 vjet. Ndue Harusha 66 vjeç, i deportuar dje në mesditë do të vuaj dënimin e dhënë nga Drejtësia shqiptare . Burimet zyrtare thanë për gazetën se Interpol Tirana ekstradoi nga Nju Jorku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë shtetasin shqiptar Ndue Harusha, lindur më 10.02.1942 në Shkodër. Ekstradimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më vendimin numër 202, datë 23 tetor të vitit 1996, e ka dënuar me 23 vjet heqje lirie, për veprat penale: “Vrasje”, “Vrasjes me dashje e mbetur në tëntativë” dhe “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga nenet 76, 76-22-23 dhe 278/2 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin numër 1142, datë 11 dhjetor të vitit 1996, ka vendosur lënien në fuqi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës, në datën 30 gusht të vitit 1995, rreth orës 21:00, në lokalin e Ndue Harushës, janë grindur më njëri tjetrin Metush Ujka dhe Gjon Harusha. Për këtë grindje është vënë në dijeni Artur Ujka, i cili ka shkuar për të ndihmuar të atin e tij shtetasin Metush Ujka. Në grindje e sipër, Ndue Harusha ka qëlluar më pistoletë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Metush Ujkës, dhe ka plagosur rëndë djalin e tij Arturin. Menjëherë pas kryerjes së krimit Harusha është larguar nga Shqipëria por është arrestuar 13 vjet në pas nga policia e Nju Jorkut. Në bazë të Konventës Europiane mbi Ekstradimin si dhe nenit 504 të K. PR. Penale organet tona të Drejtësisë kanë kërkuar ekstradimin nga SHBA të tij, në mënyrë që të vuajë dënimin në vendin tonë. Në aeroportin e Rinasit Harusha iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›