E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat e reja për banesat në Tiranë, kryeqytetasit paguajnë 6 për qind më shumë

Buxheti i shtetit përfiton 78 milionë dollarë

Ervin Koçi

Qytetarët e Tiranës do të paguajë më tepër para si taksa për banesat vetëm sepse jetojnë në kryeqytet. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka nisur të shqyrtojë propozimin e pushtetit vendor për ndryshimin e disa taksave vendore, për të cilat është kërkuar një rritje më e madhe me qëllim grumbullimin e sa më shumë fondeve që vilen prej taksapaguesve. Bëhet fjalë për rritjen e taksës së banesave, si dhe kalimin e taksës së tokës bujqësore në varësi të bashkive. Me miratimin e ligjit të ri pritet që banorët që jetojnë jashtë Unazës së Tiranës të paguajnë 45 lekë për metër katror, si dhe 65 lekë për metër katror nëse ndodhen brenda saj. Ndërsa qytetarët në bashkitë e tjera të vendit do të paguajnë një taksë që varion nga 12- 24 lekë për metër katror. Rritja e taksës vjetore për banesat është pjesë e propozimeve që ka bërë pushteti vendor dhe që është miratuar nga qeveria. Përveç taksës së banesave, ai parashikon edhe kalimin tek pushteti vendor të taksës për tokën bujqësore, si dhe vendosjen e një takse të re për infrastrukturën në masën 6 për qind për Tiranën dhe 4 për qind për bashkitë e tjera, që do të zbatohet tek ndërtimet e reja. Një tjetër taksë që ndryshon është edhe ajo për automjetet, ku rreth 40 për qind e të ardhurave që do të mblidhen prej saj, do t’i kalojnë pushtetit vendor, ndërsa pjesa tjetër do t’i mbetet qeverisë.

Debatet

Drafti ka kaluar për diskutim në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku debatet e kanë shoqëruar që në seancën e parë. Projektligji “Për ndryshimin e taksave vendore” ka shkaktuar debate mes deputetëve të opozitës që e kanë kundërshtuar këtë rritje të re taksash nga qeveria në komision. Komisioni i Ekonomisë e ka kaluar projektligjin në parim dhe gjatë mbledhjeve të tjera, drafti do t’i nënshtrohet diskutimit nen për nen. Rritja më e fundit e taksave vendore, është kundërshtuar dhe nga biznesi, por ajo nuk duket se e ka shqetësuar edhe aq qeverinë. Arsyeja është shtimi i të ardhurave në arkën e buxhetit të shtetit, ku sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave, efektet financiare janë 78 milionë dollarë, faturë kjo e njëjtë me atë që do të vihet në dispozicion për rritjen e pagave dhe pensioneve.

Rritja e taksave

Në ndryshimet që u bëhen taksave vendore, ajo çka është më e prekshme për të gjithë është dyfishimi i taksës së apartamenteve. Sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave, efektet që do të përcillen në buxhet nga kjo rritje kapin vlerën e 2.1 miliardë lekëve të rinj. Në nivelet e reja të propozuara të taksës mbi ndërtesën është hequr ndarja e tatimit të ndërtesave sipas vitit të ndërtimit. Në përcaktimin e niveleve të reja të kësaj takse janë analizuar vlerat e taksës aktuale me çmimet reale të shitjes së tyre, çka ka sjellë dyfishimin e kësaj takse. Rritja e taksës së apartamenteve është kundërshtuar edhe nga përfaqësitë e biznesit, por edhe nga vet kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Genc Ruli. Të dyja palët kanë paralajmëruar se rritja e taksës së ndërtesës do të shoqërohet me çmime të larta të apartamenteve. Një tjetër ndryshim në sistemin e taksave vendore, e cila do të shoqërohet me efekte të larta financiare, është rritja në masën 4 për qind të taksës së ndikimit në infrastrukturë. Sipas llogaritjeve të Financave, efektet monetare nga rritja e kësaj takse janë 2.8 miliardë lekë të rinj në vit. Ministria e Financave shpjegon se rishikimi i niveleve ekzistuese të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja kryhet në kuadër të rritjes së të ardhurave të qeverisjes lokale.

BOX////////////////////////
Ligji i ri, rritje deri në 6 për qind të taksave për kryeqytetin

Në ligjin ekzistues, niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe është 1 deri në 3 për qind të kësaj vlere për të gjitha bashkitë dhe komunat, me përjashtim të Bashkisë së Tiranës, niveli i së cilës është 2 deri 4 për qind e saj. Në projektligjin që i është dërguar për diskutim Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, parashikohet rritja e nivelit të taksës përkatësisht në 4 për qind për të gjitha bashkitë dhe komunat, dhe 6 për qind për Bashkinë e Tiranës. Rritja e kësaj takse për të gjitha bashkitë dhe komunat do të synojë rritjen e të ardhurave të buxhetit të qeverisjes lokale, duke rritur kështu edhe mundësitë për më shumë investime. Rritje ka shënuar edhe taksa e tokës bujqësore, ku efektet financiare nga kjo rritje janë llogaritur në vlerën e 1 miliard lekëve. Kurse kalimi i taksës së peshkimit drejt pushtetit vendor ka një efekt prej 20 milionë lekësh, që janë të ardhurat e parashikuara për vitin 2008 nga ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit, ndërsa efekti për 6-mujorin e vitit 2008 është 10 milionë lekë. Po ashtu, ndryshimet në taksa sjellin për herë të parë taksën e truallit urban, për të cilën Ministria e Financave nuk ka ende të llogaritur efektin financiar të saj. Kurse taksa e pasurisë në Shqipëri është trajtuar në lekë për m2, duke përgjithësuar të gjithë taksapaguesit, me të vetmin përjashtim për ndërtesat e banimit, vitin e prodhimit të tyre dhe diferencimin e aktiviteteve tregtare që ushtrohen në pasuritë e taksueshme.

Tab///////////////////////////////
Efektet financiare që përfitohen në buxhet nga taksat e rritura

Taksa e ndërtesës 2.1 miliardë lekë

Taksa e ndikimit në infrastrukturë 2.8 miliardë lekë

Taksa e tokës bujqësore 1 miliard lekë

Taksa e peshkimit 20 milionë lekë

Përtej lajmit////////////////////////////////
Kush i paguan taksat...?

Qytetarët shqiptarë, por edhe ata të huaj që punojnë në vendin tonë, apo kalojnë rastësisht këtej, paguajnë një mori taksash, që për nga niveli janë më të lartat në rajon. Disa prej tyre njihen mirë nga të gjithë, të tilla si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), apo tatimi mbi fitimin. Por, pakkush është ulur të llogarisë shifrën totale të taksave nacionale. Ndoshta për arsye se shumë prej tyre, qytetarët e thjeshtë nuk i hasin fare. Por, biznesi i njeh mirë, pasi ndeshet me to në çdo hap. Tatimet në vendin tonë përfshijnë TVSH-në, tatim-fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale nga puna, tatimin mbi burimin etj. Me këtë grup të fundit cilësohet pagesë në favor të shtetit shqiptar, në masën 10 për qind nga shuma bruto e pagesave të mëposhtme, që lindin nga një burim në Republikën e Shqipërisë: interesat, ndarjet e fitimit, pagesa për shërbime teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet financiare, pagesa për qiratë, dividendët, pagesat për të drejtën e autorit e të pronësisë intelektuale etj. Që nga 1 janari i këtij viti, me përjashtim të TVSH-së, që vazhdon të “rezistojë” në nivelin 20 për qind, që nga viti 1997, tatimet e tjera janë “ankoruar” në shifrën 10 për qind. Në të mirënjohurën “taksë e sheshtë”, e cila ka rritur barrën fiskale për pagat e ulëta dhe sidomos për kalimet e pronësive të pasurive të patundshme, të cilat “kërcyen”, nga 2-3 për qind në 10 për qind të vlerës së një trualli apo një apartamenti, në mënyrë që të marrësh lejen ta hipotekosh. Në total, pas këtyre tatimeve dhe akcizës, që shteti e vendos për mallrat e caktuara, janë edhe 22 taksa të llojeve të tjera, të gjitha nacionale, pra të tilla, që nuk shkojnë në arkën e pushtetit vendor, por direkt në Buxhetin qendror të Shtetit. Në vendin tonë ekzistojnë taksa portuale, taksa për shërbimet konsullore, taksa e qarkullimit të automjeteve të huaja, taksa e importimit të automjeteve të përdorura. Por, duhet të paguajmë gjithashtu shtetin edhe për të fituar të drejtën për t’u pajisur me leje drejtimi për automjete, për të përdorur mjetet radio-televizive, për zotërimin e një numri telefonik, kabllor a celular, për të gjitha llojet e shërbimeve që kryhen nga zyrat e shtetit (hipotekë, gjyq, prokurori), për të pasur të drejtën e regjistrimit në Arsim të Lartë. Madje, edhe për të kaluar me avion në hapësirën tonë. Ndër to, taksa më e panjohur ndoshta, është ajo e ambalazhimit plastik (nga 1- 2 lekë copa).

OSSH-ja, gati sistemin e ri për matjen e energjisë te biznesi

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), po instalon një sistem të ri matësish të energjisë për bizneset, që janë konsumatorë të fuqishëm të energjisë elektrike. Ky proces do të përfundojë brenda muajit korrik. Burime zyrtare të OSSH-së bëjnë të ditur se ky sistem përfshin vendosjen e paneleve kolektive, të cilat shmangin abuzimin me matjen e energjisë. Deri tani janë vendosur 2600 panele të tilla, kryesisht në bizneset, që konsiderohen biznese të fuqishme. Vendosja e këtij sistemi të ri është shtrirë në të 10 njësitë e shpërndarjes në të gjithë vendin. Me vendosjen e tyre, shmangen abuzimet me matësit, si dhe për lidhjet me linja të dyta, bënë të ditur burime të OSSH-së.

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›