BB: Shqipëria ka kaluar në fazën e kreditimit me terma tregtare
Banka Botërore e konsideron vendin tonë si të përshtatshëm tashmë për të përfituar kredi të mëdha me terma tregtarë nga bankat e fuqishme, për projekte dhe investime të ndryshme. Përfaqësuesja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Naumah, e cila nënshkroi dje në emër të BB-së marrëveshjen për realizimin e tre projekteve në fusha të ndryshme në vlerë 64.5 milionë dollarë, tha se Shqipëria ka arritur sukses me rastin e IDA-s dhe tashmë ka siguruar kalimin në fazën e kreditimit me terma tregtare. "Në më pak se dy dekada vendi ka kaluar nga një vend me të ardhura të ulëta, në një vend me të ardhura të mesme. Ky është një zhvillim, i cili nuk mund të nënvlerësohet", - u shpreh Naumah. Marrëveshjet u nënshkrua në emër të qeverisë shqiptare nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Më konkretisht, projektet përfshijnë përmirësimin e rrugëve rurale, projektin për eliminimin e risqeve dhe pasojave nga fatkeqësitë natyrore si dhe projektin për mbrojtjen e digave. Projekti i përmirësimit të rrugëve në vlerë 20 milionë dollarë përfshin përmirësim të rrugëve rurale në vend, si dhe mbështetje të sektorit privat në mirëmbajtjen e këtyre rrugëve. Projekti për eliminimin e risqeve natyrore është në vlerë 6.16 milionë dollarë, kurse ai për mbrojtjen e digave kap shumën 35.3 milionë dollarë. Në tërësi portofoli i kredive është 64,87 milionë dollarë dhe financohen nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD). "Pjesë e këtij projekti do të jenë dhe donatorë të tjerë, të cilët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre siç janë, Fondi i OPEC-ut me 15 milionë euro, BE nga fondet e IPA-s për vitin 2008 me 8 milionë euro dhe jemi duke negociuar me Bankën Ndërkombëtare të Zhvillimit dhe me Bankën Japoneze, të cilat do të financojnë pjesën tjetër të projektit", - tha ministri Bode
3 Korrik 2008