E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i OKB-së: Shqipëria ka numrin më të lartë të vrasjeve në Ballkan

Grupet shqiptare kontrollojnë tregun e heroinës në Europë

Në nivele të larta edhe korrupsioni dhe vjedhja e makinave

“UNODC” quhet raporti i zyrës së OKB-së që lidhet me krimin dhe drogën, sipas së cilit, Ballkani është më i sigurt nga sa mendohej në raport me krimin global, por Shqipëria është shteti ballkanik me më shumë probleme.
Trafiku
Ky raport konstaton se shqiptarët janë trafikantët më të mëdhenj të drogës ne Europë pasi kontrollojnë 70 për qind të heroinës që hyn në një numër kryesor të tregjeve europiane. Grupet shqiptare janë të vetmit të regjistruar në raportin e “Europolit 2006”, “Kërcënimi nga krimi i organizuar”. Gjysma e heroinës e kapur nga autoritetet italiane më 2006 vinte nga shqiptarët. Përveç drogës që shqiptarët luanë rol parësor, në Shqipëri vihet re edhe niveli i lartë i korrupsionit. Megjithatë raporti për korrupsionin i referohet shifrave të “Transparencë International”, pasi ky raport nuk ka në fokus vetë korrupsionin. Sipas “Transparency”, që ka bërë studim në 57 shtete në 2006 barometri i korrupsionit global tregon se Europa Juglindore ka një nivel 4.5 herë më të lartë korrupsioni se mesatarja e Europës Perëndimore. Në lidhje me krimet e tjera, Shqipëria ka numrin më të lartë të vrasjeve krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, megjithatë sipas raportit numri i vrasjeve është 5 për qind e vrasjeve pas rënies së qeverisë më 1997.
Makinat e vjedhura
Shqipëria nuk konsiderohet vend problematik në lidhje me vjedhjen e makinave. Në 100 mijë makina regjistroheshin 90 makina të vjedhura në Shqipëri, ndërsa në Ballkan me problem për këtë krim është Bullgaria me 412 makina të vjedhura, ndërkohë që kampion në Europë për vjedhje makinash është Britania e Madhe me 1330 makina të vjedhura. Gjithsesi pavarësisht këtyre krimeve të sipërmendura raporti prej 130 faqesh që analizon gjithë krimet në Ballkan, krahasuar me vende të tjera të Europës Qendrore dhe Perëndimore arrin në përfundimin se Europa Juglindore është një nga zonat më të sigurta në botë dhe se progresi që po bëhet në këtë zonë në drejtim të luftës ndaj krimit e bën këtë rajon edhe me të sigurt. Raporti është publikuar javën e shkuar dhe është konsideruar si mjaft pozitiv pasi hoqi nga mendësia e shumicës se qytetarëve të botës faktin se Ballkani ishte vend i rrezikshëm.

Prokuroria përfundon hetimet për ngjarjen e Cërrikut

TIRANË - Hetimet për ngjarjen e rëndë të 23 majit të vitit 1997 në Cërrik, ku si pasojë e një sulmi me armë zjarri u vranë 6 punonjës së Gardës së Republikës, ndërsa u plagosën disa të tjerë, janë në fazën përfundimtare. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur të mërkurën se grupi hetimor po realizon procedurat e fundit të hetimit për këtë çështje, për ta dërguar më pas atë për shqyrtim gjyqësor. Sipas këtyre burimeve, me cilësinë e të pandehurit prokuroria ka marrë 9 persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje, disa prej tyre të arrestuar vitin që shkoi gjatë operacionit të koduar “Autoblinda”. Të pandehurit akuzohen se në maj të vitit 1997 në Cërrik kanë zënë pritë dhe kanë sulmuar me armë zjarri autokolonën e Gardës së Republikës dhe forcat e policisë së Elbasanit, që kishin shkuar në qytezën e vogël për të vendosur rendin publik gjatë trazirave të atij viti, duke vrarë 6 punonjës të Gardës së Republikës dhe plagosur disa punonjës të policisë së Elbasanit.

Akuza hedh poshtë pretendimin e Braun për impotencë

TIRANË - Pretendimi i britanikut 56-vjeçar që akuzohet për marrëdhënie seksuale me të mitur se është impotent u hodh poshtë nga akuza. Britaniku David Braun, i cili dyshohet për abuzime seksuale me disa të mitur të qendrës “Fëmijët e tij” në Tiranë ka deklaruar dje në seancën gjyqësore se është impotent dhe nuk mund të kryejë marrëdhënie seksuale. Një pretendim të tillë, i akuzuari për pedofili e ka dhënë pas përgjigjeve të analizave të një klinike, rezultatet e të cilave sipas tij vërtetojnë impotencën. Ndërkohë që pretendimi i britanikut 56-vjeçar është hedhur poshtë nga akuza. Në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, prokuroria ka sjellë rezultate të një klinike tjetër të cilat sipas tyre vërtetojnë të kundërtën. Prokuroria ka deklaruar para togave të zeza se britaniku Braun nuk është impotent, se problemet e Braun nuk e pengojnë të kryejnë aktivitetin seksual. Ndërkohë një tjetër pikë e seancës së sotme në procesin e David Braun ka qenë edhe dëshmia e dy prindërve të fëmijës 7-vjeçar me iniciale F.D të cilët kanë dëshmuar për dhunimin seksual të britanikut kundrejt fëmijës së tyre. Të dy prindërit dëshmuan se 56-vjeçari David Braun kishte abuzuar seksualisht më fëmijën e tyre dhe përkundrejt kësaj ai jepte para. Prindërit kanë pranuar ndihmën ekonomike të britanikut, por gjithashtu kanë treguar se fëmija 7-vjeçar u kishte treguar skenat e dhunimit seksual. Në vijim të kësaj deklarate, të dy prindërit e fëmijës së mitur, kanë shtuar se David Braun u kërkonte llogari kur fëmija largohej më shumë se dy ditë nga qendra “Fëmijët e tij”. David Braun u vu në pranga në maj të vitit 2006. Skandali u zbulua pas arrestimit të një të mituri, i cili dyshohej për vjedhje. Teksa po e merrnin në pyetje, oficerët e policisë zbuluan se në qendrën ku strehohej i mituri ishte abuzuar seksualisht. Pas arrestimit të Braun, u zbulua se me fëmijët kishin abuzuar dhe dy bashkatdhetarët e tij, Dino Kristodoulu dhe Robin Arnold, të cilët u ekstraduan pak kohë me parë nga Britania. Në valën e arrestimeve, për këtë rast është vënë në pranga edhe kuzhinieri i kësaj çështjeje, Janaq Papleka. Ai u arrestua vetëm dy ditë pas arrestimit të Braun duke e akuzuar për “mos kallëzim krimi”, pasi ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se në qendrën “Fëmijët e tij” abuzohej me fëmijët.

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›